Çfarë thonë media për dialogun dhe normalizimin?

Çështja e përfshirjes së mundshme të SHBA-së ne dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, takimet e shpeshtuara midis presidentëve Thaçi e Vučić (natyrisht, me lehtësimin e Mogherinit), si dhe idetë për dialogje të brendshme në Kosovë dhe Serbi ishin disa prej çështjeve që tërhoqën vëmendjen e medias gjatë shtatorit.

0
651

Pas takimit në Bruksel, në fund të gushtit, mes presidentit serb Aleksandar Vučić dhe atij kosovar, Hashim Thaçi, të lehtësuar nga Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini, pati njoftime se kryeministrja serbe, Ana Brnabić kishte deklaruar se tani ishin hapur “bisedimet për marrëdhëniet afatgjata të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë”. Ndërkaq, me t’u kthyer në Beograd, presidenti Vučić, në përgjigje ndaj raportimeve të disa medieve rreth mundësisë së përfshirjes së aktorëve tjerë përveç BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, kishte deklaruar se “BE-ja është ndërmjetësues nën të cilin zhvillohet dialogu dhe nëse disa fuqi të mëdha do të kërkojnë të përfshihen, atëherë do të përfshihen të gjitha fuqitë.” Sipas njoftimeve, ai është shprehur se nuk mendon se kjo çështje është ‘në lojë”. Në anën tjetër, u njoftua se ndërmjetësuesja e dialogut në Bruksel, Federica Mogherini, gjatë Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, kishte thënë se priste rezultate pozitive nga periudha e ardhshme e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Me rastin e votimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës me 9 shtator, mediat njoftuan se kryeministri i ri, Ramush Haradinaj, kishte deklaruar se “dialogun me Serbinë e kemi pa alternativë edhe pse kemi histori tragjike” dhe kishte lajmëruar për nisjen e një dialogu të brendshëm “për të kuptuar ndjenjën e qytetarëve, … që politika të mos ketë shkëputje me popullin.”. U raportua po ashtu se Goran Rakić, kryetari i Listës Serbe, me ndihmën e të cilës u mundësua formimi i qeverisë, kishte thënë se me këtë hap “shumë shpejt do të formohet Bashkësia e Komunave Serbe”.

Gjatë shtatorit pati edhe njoftime për mundësinë e ndryshimit të preambulës së Kushtetutës së Serbisë duke hequr Kosovën prej saj. Duke përcjellë një artikull të gazetës serbe Blic, Koha.net raportoi se projekti për Kushtetutën e re të Serbisë pritet të përfundojë deri në fundin e vitit 2017, dhe se “askush zyrtarisht nga Serbia nuk ka kërkuar që Kosova të fshihet nga preambula e Kushtetutës së Serbisë. Porse mesazhet kanë ardhur përmes kanaleve jozyrtare”. Sipas njoftimit, inicimi i idesë së dialogut të brendshëm nga Vučić në opinion ishte interpretuar “si përgatitje për fshirje ose të paktën si ndryshim të preambulës të cilën gjë kryetari i shtetit dhe Qeveria nuk mund ta bëjnë pa shumicën e Kuvendit dhe pa shumicën që lidhur me ndryshimin do të deklarohej përmes referendumit.” Gjatë një takimi të nënsekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Britanisë së Madhe, Simon McDonald, me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabić, mediet njoftuan se diplomati britanik, ndër tjera, kishte thënë se “dialogu është rruga e vetme që çon drejt anëtarësimit të BE-së”. Ngjashëm, u raportua që Komisari evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, gjatë një vizite në Beograd, deklaroi se “Brukseli nuk do që problemin e Kosovës ta fusë përmes dyerve të vogla në Bashkimin Evropian”.

Ndërkohë, mediat njoftuan se presidenti Vučić kishte paralajmëruar fazë të re të dialogut për Kosovën gjatë muajit tetor dhe kishte kërkuar që dialogu të institucionalizohet. Ndër të tjera, Vučić kishte thënë se ishte hera e parë që nuk shënohej rënie dramatike e numrit të serbëve në Kosovë dhe se ka pasur dhjetëfish më pak therje me thikë të serbëvedhe sulme ndaj tyre se sa në katër vjetët e shkuar, duke shtuar kështu se “Serbinë s`e kam poshtëruar kurrë dhe u kam siguruar serbëve që të jetojnë pak më lehtë se sa më herët.”

Presidenti Thaçi, në anën tjetër, u raportua të ketë kërkuar përfshirjen aktive të SHBA-së në dialog. Gjatë një intervistë dhënë Zërit të Amerikës me rastin e takimit me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence, presidenti Thaçi përsëriti se është jetik “normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë për ecjen përpara të të dy vendeve në perspektivën evropiane por edhe në perspektivën euro-atlantike për Kosovën” dhe se faza e re e dialogut “do të sjellë marrëveshjen përfundimtare për normalizimin e plotë dhe pajtim mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”. Por, sipas Thaçit “njohja e Kosovës nga Serbia nuk mund të pritet menjëherë por ajo është një proces i pandalshëm dhe do të ndodhë herët a vonë, mirëpo është herët të spekulojmë apo prejudikojmë.” Për më shumë, Thaçi e përmendi edhe idenë e vënies së marrëveshjes përfundimtare në referendum duke thënë se duhet ”vet qytetarët e vendit të Kosovës të vulosin këtë marrëveshje”.

Po ashtu, pati edhe një takim tjetër në New York mes Thaçit, Vučić-it dhe Mogherinit, gjatë të cilit u raportua se u diskutua për fazën e re të dialogut dhe përparimin e bërë në zbatimin e Marrëveshjes për Drejtësinë, e cila do të hyjë në fuqi plotësisht më 17 tetor, siç është rënë dakord në takimin e tyre të fundit. Në këtë drejtim, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë dhënë gazetës austriake, Wiener Zeitung, ka deklaruar se nuk pret të ndodhin takime me palën serbe këtë vit. Hoxhaj po ashtu ka thënë se “do të ishte naive të besonim që pa njohje mund të kishim një proces pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në një intervistë dhënë të përditshmes së Kosovës, Zëri, shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka inkurajuar drejtuesit e institucioneve vendore që ta formojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por kjo, sipas saj, duhet të bëhet duke respektuar ligjet e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

SHARE