Çfarë thonë media për dialogun dhe normalizimin?

Muaji nëntor vazhdoi t’i nënvizojë gati po të njëjtat kërkesa nga pala kosovare dhe ajo serbe rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Përderisa pala kosovare kërkon me ngulm përfshirjen e SHBA-së në dialog dhe hartimin e një rezolute, ajo serbe pret që Kosova ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe para se të fillojë rundi i ri i bisedimeve në Bruksel.


0
1134

Dialogu i brendshëm në Serbi, që kishte pasur takimin e parë në tetor, mbeti një ndër temat kryesore për të cilat u raportua gjatë nëntorit. Mediat në Kosovë përcollën një artikull të gazetës serbe “Danas” ku ky dialog vlerësohej si “versioni më modern i propagandës” që mbështetet në “pohimet për domosdonë e shikimit nga e ardhmja, pa iu kthyer të kaluarës, në mënyrë që, siç përsërisin përfaqësuesit e pushtetit, të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e Kosovës dhe të mos u lihet ajo barrë trashëgim fëmijëve tanë”. Ndërkaq, njohës të kësaj fushe deklaruan për Radio Evropën e Lirë se përderisa Serbia përgatit platforma të reja për t’i paraqitur në nivel (ndër)kombëtar, Kosova ka mungesë të politikës proaktive dhe mbetet gjithnjë mbrapa “planeve të Serbisë”.

Mungesën e një rezolute që i paraprin vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi, sipas mediave, e diskutuan edhe Kryetarët e komisioneve parlamentare në Kuvendin e Kosovës që u mblodhën në takimin e dytë koordinues të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Institutit Demokratik të Kosovës, lidhur me procesin e dialogut. Kryetarët e këtyre komisioneve kërkuan një rezolutë të re për dialogun ku do të diheshin qartë pozicionet e secilit protagonist shtetëror dhe do të dihej se cilat janë vijat e kuqe në këtë proces. Kjo rezolutë do të miratohej nga Kuvendi i Kosovës dhe përmes saj do të autorizohej ky institucion për mbikëqyrjen e procesit të dialogut, i cili u cilësua si i mbyllur deri tash. Po ashtu, kjo rezolutë u paralajmërua edhe nga deputetë të tjerë, sipas njoftimeve nga mediat, si një dokument që ndonëse nuk është obligativ do t’i paraprijë dialogut dhe do të shprehë “qëndrim dhe vullnet politik të përfaqësuesve të shtetit, i cili më pas do të duhej të përfillej nga liderët politikë që do të përfaqësojnë vendin në dialogun me Serbinë”.

Në anën tjetër, pati njoftime për një takim mes presidentit serb Aleksandar Vučić dhe shefit të misionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizi, gjatë të cilit presidenti Vučić e ka potencuar nevojën e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe para nisjes së raundit të ri të bisedimeve Kosovë-Serbi duke theksuar se “kanë kaluar 1.670 ditë që nga afati i fundit për zbatimin e vendimit”. Të njëjtën gjë e ka theksuar edhe Igor Simić, në një intervistë dhënë Radio Evropës së Lirë, duke thënë se “ne, në Listën Serbe, konsiderojmë se nuk ka më vend për bisedime dhe që është e nevojshme që të shihen rezultatet konkrete dhe proceset që çojnë kah formimi i Bashkësisë së komunave serbe, në atë mënyrë se si është arritur pajtimi në Bruksel dhe jo ashtu siç po përpiqet dikush që ta paraqesë në Kosovë.”

Ndërkohë, pas një takimi të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit BE-Serbi ku ishte e pranishme edhe kryeministrja serbe, Ana Brnabić, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, dhe komisari Johannes Hahn, kryeministrja serbe i ka bërë thirrje Prishtinës që t’i realizojë marrëveshjet e arritura në Bruksel. “Të ulemi dhe të formojmë Asociacionin e Komunave Serbe, meqë ky do të ishte sinjal i mirë se mund të bisedojmë edhe për çështje të tjera,” ka thënë Brnabić. Në një takim të ngjashëm kishte qëndruar edhe presidenti Vučić një ditë më herët pas të cilit, sipas portalit Koha.net, kishte deklaruar se “nuk do t’ia dalim pa ndryshime drastike në raport, tonin dhe raportit të përgjithshëm ndaj Kosovës (e Metohisë – siç e quan Beogradi Republikën e Kosovës) që të bëhemi anëtar të Bashkimit Europian.” Ndërkaq, pas takimit me palën serbe, Mogherini gjatë një konference për medie kërkoi implementimin e marrëveshjeve tashmë të arritura në Bruksel. Po ashtu, ajo ua përkujtoi të pranishmëve se mandati i saj skadon pas dy vitesh dhe se korniza e shkurtër kohore caktohet edhe nga kjo që të bëhen përpjekje për të arritur rezultate pozitive sa më parë.

Takimi i palës serbe me përfaqësuesit e BE-së në Brukseli i parapriu vizitës së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, për të kryesuar takimin e radhës të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit BE-Kosovë. Ndonëse ishte paralajmëruar një konferencë për media pas takimit të Haradinajt me Mogherinin, ajo u anulua pa shpjegime të qarta dhe pati njoftime se Mogherini e ka lëshuar takimin pasi ishte nervozuar nga këmbëngulja e kryeministrit Haradinaj se “duhet të ketë përfshirje të SHBA-së” në dialog. Ndërkaq, sipas komunikatës së lëshuar nga zyra e Kryeministrit, ai gjatë këtij takimi ka theksuar se “dialogu duhet të riformatohet të afatizohet dhe të përfundojë me një rezultat konkret, të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve.”

Nuk ka pasur ndonjë njoftim se kur pritet të nis raundi i ri i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.