Çfarë tjetër solli me vete pandemia?

Në këtë kaos të përgjithshëm në të cilin po jetojmë dhe po mbijetojmë së bashku, duhet të shtrojmë pyetjen a solli koronavirusi me vete diçka të mirë? Kjo është ajo që të gjithë po përpiqemi ta shohim këto ditë - anën e mirë të një situate absolutisht të re dhe abnormale. Derisa po e kërkojmë nëpër jetët private, nuk është keq ta kërkojmë edhe në nivelin politik. Bile në relacionin Kosovë-Serbi.

0
129

Ka disa muaj që e gjithë bota po lufton me një virus të ri dhe është vështirë nga kjo perspektivë të parashihet se kur do t’i vijë fundi kësaj lufte. Kur zyrtarisht u shpall pandemia e koronavirusit apo covid-19, shumëkush pyeste se si do të funksionojë bota në këto kushte të reja, të sapokrijuara. E njëjta pyetje u bë edhe për banorët e Kosovës. Më saktësisht për atë se si do të përballohet Kosova me pandeminë e virusit të ri. 

Që nga fillimi është shtruar pyetja e funksionimit të popullatës serbe në Kosovë, në veçanti në katër komunat veriore. Duke pasur parasysh masat e ndalimit të lëvizjes të vendosura si nga Serbia ashtu edhe nga Kosova, nuk dihej saktësisht se cilat masa do të respektohen nga ana e serbëve. Duke filluar nga kjo, e deri te pyetjet se cili sistem do të numërojë serbët e sëmurë e cili sistem në fund do t’i shërojë të sëmurët, nyja e pazgjidhur politike në Kosovë u shfaq në dritën e saj “më të mirë”. 

Në këtë kaos të përgjithshëm në të cilin po jetojmë dhe po mbijetojmë së bashku, duhet të shtrojmë pyetjen a solli koronavirusi me vete diçka të mirë? Kjo është ajo që të gjithë po përpiqemi ta shohim këto ditë – anën e mirë të një situate absolutisht të re dhe abnormale. Derisa po e kërkojmë nëpër jetët private, nuk është keq ta kërkojmë edhe në nivelin politik. Bile në relacionin Kosovë-Serbi.

Gjëja e parë e cila ishte vështirë të imagjinohej ishin dy kryetarët e Mitrovicës veriore dhe jugore të jenë së bashku. Mirëpo, korona na solli edhe deri tek kjo. U mbajt mbledhja e parë, simbolikisht, në urën kryesore të Mitrovicës, ku dy kryetarët biseduan për masat e mëtutjeshme kundër koronavirusit. Diçka që ishte pothuajse e paimagjinueshme, ndodhi dhe kaloi qetë. Në fakt, me praninë e KFOR-it, por prapëseprapë ndodhi dhe nuk mbaroi aty. Dy kryetarët vazhduan komunikimin edhe përmes telefonit në mënyrë që situata në Mitrovicë të mbahet nën kontrollë. Nuk u bë Mitrovica përnjëherë, përsëri një qytet, por nëse asgjë tjetër, kjo situatë tregoi se mundemi dhe duhet së bashku sepse asgjë tjetër nuk funksionon.   

Kjo situatë e paimagjinueshme e bashkëpunimit u bart edhe në nivel tjetër. Vetëm para disa ditëve Serbia paralajmëroi dërgimin e një mijë testeve për koronavirus Institutit kosovar për shëndetësi publike. Ky veprim u shpjegua si pjesë e bashkëpunimit regjional dhe për të njëjtën arsye Kosova po u lejon mjekëve nga Serbia qendrore hyrjen në Kosovë dhe ndihmën në mjediset ku jetojnë serbët. Një situatë tjetër kjo që nuk kemi mundur as ta marrim me mend e as ta prognozojmë: Serbia i dërgon ndihmë Kosovës. Pyetja nëse në dërgesën e testeve shkruante Republika e Kosovës apo Kosovë e Metohi mbeti pa përgjigjje por edhe disi në hije të këtij bashkëpunimi.

Ajo që mbeti si përshtypja kryesore këtyre ditëve është që bashkëpunimi midis Serbisë dhe Kosovës është gjithsesi i mundur. Për fat të keq, na u desh pandemia dhe koronavirusi që të ndodhte diçka e tillë. Për fat të keq, na u desh një situatë pa rrugëdalje që të kuptojmë se shumë gjëra duhet t’i zgjidhim së bashku dhe se varemi nga njëri-tjetri. Na u desh korona që të kuptojmë se pa solidaritet dhe empati vështirë funksionon kjo botë. Për fat të keq, na u desh korona që të kuptojmë se në fund të fundit të gjithë ne jemi njerëz dhe nuk ka hapësirë për dallime. 

Në fund, derisa shpresojmë që pandemia do të përfundojë së shpejti, le të shpresojmë që të gjithë ne së bashku, edhe serbët edhe shqiptarët, edhe Serbia edhe Kosova, kemi nxjerrë mësime. Se duhet së bashku, sepse çdo gjë tjetër nga kjo nuk funksionon dhe mund të jetë e kobshme. 

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE