Çift artistësh në Mitrovicë synon të bashkojë shoqërinë e ndarë

“Të krijosh një qendër kulturore private është çmenduri e pastër kudo në botë, por doli se pikërisht këtu në Kosovë, kjo çmenduri mund të kalojë në diçka të madhe nëse ekziston guximi i vazhdueshëm dhe dashuria për artin,” thotë Miljana Bulatović-Dunđerin, e cila bashkë me bashkëshortin e saj, Aleksandar Dunđerin, drejton galerinë “Akuarius” në Mitrovicë të Veriut.

1
152

Miljana Bulatović-Dunđerin dhe bashkëshorti i saj, Aleksandar Dunđerin, jetojnë në Mitrovicë të Veriut, ndonëse asnjëri nga ta nuk janë lindur në këtë qytet. Ishte Miljana e cila pas luftës u zhvendos nga Lipjani në Mitrovicë dhe më pas u njoh me Aleksandrin, i cili zgjodhi të vinte nga Novi Sadi për të jetuar në një qytet të ndarë, me qëllim për të krijuar një qendër që u shndërrua më pas në pikëtakimin e shumë artistëve.

Meqë të dy janë artistë, thotë Miljana, vendosën të hapin një qendër kulturore – sipërmarrje të cilën e konsideron çmenduri – dhe thekson se për këso idesh, përveç dashurisë dhe entuziazmit, duhet edhe besim i fortë në mundësinë e ndryshimit të botës dhe njerëzve duke sakrifikuar veten.

“Pasi që të dy jemi artistë, vendosëm që të krijojmë një qendër kulturore, dhe që më të mos merremi me vetveten, por me rrethin dhe ata që na rrethojnë. Të krijosh një qendër kulturore private është çmenduri e pastër kudo në botë, por doli se pikërisht këtu në Kosovë, kjo çmenduri mund të kalojë në diçka të madhe nëse ekziston guximi i vazhdueshëm dhe dashuria për artin. Qendrat kulturore në kryeqytetet, qytetet e mëdha në Evropë dhe në botë nuk janë një sfidë, pasi këto qytete kanë infrastrukturën dhe një numër të madh të publikut potencial urban, njerëzve të rinj, turistëve. Sidoqoftë, të krijosh një qendër kulturore në zonën ku lufta ende ndihet, në një qytet të ndarë, pa mbështetjen e ndonjë institucioni ose organizate vendase ose të huaj, duhet të përfshijë, përveç dashurisë dhe entuziazmit, një besim të fortë në mundësinë e ndryshimit të botës dhe njerëzve duke sakrifikuar vetveten për hir të vizionit që një botë më e mirë është e mundur. Me art, natyrisht”, thotë Miljana.

“Çmenduria”, siç e quan ajo idenë për galeri, sjell një vështirësi e cila është konceptuale dhe një luftë që atyre iu sjell kënaqësi, pasi thotë se “të luftosh për lirinë është gjëja më e vështirë kudo në botë”.

Për Miljanen dhe Aleksandrin, të cilët merren çdo ditë me art, ekziston një moto që është kthyer në shtyllë të idesë për të punuar me vullnet në arritjen e synimeve.

“Para së gjithash, ne dëshmojmë se kudo në botë, është e mundur të jetosh dhe të mbijetosh duke u marrë me artin. Nga ana tjetër, motoja jonë është se ‘nuk ka art pa liri, rebelim dhe dashuri’. Prandaj, edhe sezonet tona kishin emra simbolikë – e para quhej ‘Liria’, tjetra ‘Arti’, e treta ‘Dashuria’ dhe e tanishmja quhet ‘Vizioni’. Prandaj, ‘Akuarius’ nuk është vetëm një vend i takimit krijues (afirmimit, rishqyrtimit dhe polemikave), por edhe një vend ku, në kohë të pasigurive, krijon, ushqen dhe mirëmban të menduarit kritik. Pavarësisht nga dhuna politike dhe ekonomike ndaj së cilës jemi të ekspozuar çdo ditë, të gjithë ne që jetojmë në këtë zone”,  thotë Miljana.

E, synimi për të dëshmuar se arti e bën të mundur një jetë më të mirë, për Miljanën është arritur. Ajo thekson se qendra e tyre është e hapur për artistë që kanë personalitet origjinal artistik dhe që pranojnë parimet e programit të tyre, duke vënë në radhë të fundit etninë apo fenë. Miljana tregon se në qendrën “Akuarius” kanë marrë pjesë serbë, shqiptarë, boshnjakë por edhe gjermanë, francezë, britanikë, amerikanë, italianë dhe rumunë, mirëpo të parët janë më të shumtë në numër.

“Është e natyrshme të dominojë numri i artistëve serbë, aty ku programi realizohet kryesisht në gjuhën serbe. Pra, janë të pranishëm kryesisht artistët serbë dhe theksi vihet mbi kulturën serbe. Megjithatë, ne po përpiqemi të paraqesim edhe kultura, nacionalitete dhe arte të tjera”, thotë artisja që jeton në Mitrovicën e përtej Ibrit.

Por, çifti beson se galeria e tyre ka diçka të veçantë. Konceptin me të cilin funksionojnë – ata e quajnë të tillë pasi konsiderojnë se vizioni është shumë specifik – duke dhënë disa ide për të cilat thonë se të gjithë banorët e planetit duhet të mendojnë.

“I veçantë është koncepti ynë, i cili, në njëfarë mënyre, është një përpjekje për të ndërthurur idetë humaniste dhe të hershme të krishtera. Mesazhi ynë, i cili ndjek moton e këtij viti, ‘Vizioni’, është shumë specifik. Dashuria në vend të ligjit. Falja në vend të hakmarrjes. Liria në vend të skllavërisë. Dhënia në vend të marrjes. Ideja e humanizmit në vend të ideologjisë së parasë. E vërteta në vend të informacionit. Krijimi në vend të prodhimit. Një personalitet i ndërgjegjshëm në vend të një skllavi të depolitizuar. Arti në vend të sensacionit. Ne konsiderojmë se të gjithë banorët e planetit duhet të mendojnë për këtë”, thotë Miljana.

Galeria “Akuarius” ka jetë të gjatë – daton që prej para 23 vitesh. Nga viti 1996 e deri në vitin 2015, kjo galeri i takonte familjes Vukomanović. Para katër vitesh, çifti Dunđerin e shndërroi atë në Qendër Private Kulturore e cila funksionon si ndërmarrje e pavarur ekonomike, dhe në të kryejnë aktivitete qindra artistë e studentë.

SHARE