Cilin model duhet të ndjekin serbët e Kosovës?

Në Kosovë janë disa serbë që po paraqiten si një model që për bashkëkomunitarët duhet të jenë zëra të shpresës. Flasin butë, kanë ide racionale dhe, mbi të gjitha, duan të bashkëjetojnë mirë me shqipëtarët. I tillë është shembulli i Slobodan Petrović-it, i cili është deputet në Kuvendin e Kosovës, dhe në këtë cilësi ai u sulmua ditë më parë në Prishtinë nga disa serbë.

0
250

Serbët e Kosovës kanë qenë në hall gjatë gjithë viteve të pasluftës, pasi nga Beogradi u ofroheshin lloj-lloj modele politikanësh të cilët ata shtyheshin t’i përkrahnin.

Madje, serbëve u janë ofruar edhe modele të tjera që lidhen pak me politikbërjen, por të angazhuar për të bërë politikë të porositur.

Si i tillë është shembulli i Milan Radoičić-it, i cili tani është edhe i dyshuar si i përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanović-it. Shteti kosovar ka lëshuar urdhërarrest për të, mirëpo ai tani jeton herë në Beograd e herë endet rrugëve malore të veriut. Ka një konsensus se ai është mjaft kontravers, por shumë serbë e kanë model dhe si të tillë i shkojnë pas.

Por, në anën tjetër, në Kosovë janë disa serbë që po paraqiten si një model që për bashkëkomunitarët duhet të jenë zëra të shpresës. Flasin butë, kanë ide racionale dhe, mbi të gjitha, duan të bashkëjetojnë mirë me shqipëtarët.

I tillë është shembulli i Slobodan Petrović-it, i cili është deputet në Kuvendin e Kosovës, dhe në këtë cilësi ai u sulmua ditë më parë në Prishtinë nga disa serbë. Se mban qëndrim lojal ndaj shtetit të Kosovës dhe ka ide të ndryshme për komunitetin serb, Petrović u sulmua duke pirë kafe në një restorant të Prishtinës, që shënoi cënimin e radhës duke bartur mesazhin e frikës për të gjithë ata që guxojnë të jenë racionalë.

Ky sulm ndaj tij, ndonëse i dhimbshëm dhe i papranueshëm për shoqërinë kosovare, solli në pah një model që duhet të vlerësohet. Të paktën, serbët mund të zgjedhin një model tjetër nga ata që u janë servuar.

Një pjesë e fjalimit të tij para mediave, në ditën kur u sulmua, tregon për qasjen krejtësisht të ndryshme të Petrović-it krahasuar me bashkëkomunitarë të tij. Ai me fanatizëm vendos të mbrojë marrëdhëniet me fqinjët shqiptarë, duke thënë se nuk mund ta detyrojë askush të hyjë në konflikt me ta.

“Nuk ka parti, as politikë, që mund të më detyrojë mua të hyjë në konflikt me fqinjët tanë. Pikërisht kjo lloj politike ka bërë që qindra mijëra njerëz të mbesin pa kulm mbi kokë në luftën e fundit”, janë fjalët që Petrović-in e bëjnë model tjetër.

Në fund të fundit, ndonëse mund të mos përkrahet nga shumica e serbëve, Petrović ia vlen që të dëgjohet për qasjen e tij racionale ndaj shqiptarëve. Të tillë janë shumica e banorëve serbë të Kosovës, por që ishin të ndikuar nga modelet e vjetëruara që servoheshin nga Beogradi.

A duhet të ketë dyshim se cilin model duhet ta marrin serbët e Kosovës? Unë mendoj që jo.

SHARE