Cirku udhëtues

Cirku udhëtues i politikës serbe definitivisht nuk po ndalet, veçse po përbën problem kur po i përfshin edhe njerëzit e rëndomtë. E në shumicën e rasteve, serbët e Kosovës, të cilët sipas shprehisë shërbejnë si marioneta për fitimin e poenave politik dhe objekt talljeje të opinionit publik.

0
163

Tashmë një periudhë kohore, si lajm kryesor në Serbi paraqiten protestat e qytetarëve nën titullin “1 nga 5 milion”. Në vazhdën e këtyre protestave, presidentit serb i erdhi një ide novatore për të shëtitur Serbinë, në kuadrin e, me sa duket, fushatës së tij personale “E ardhmja e Serbisë”. Në një kaos të përgjithshëm dhe duke u shtyer në mënyrë konstante se kush është në gjendje të tubojë më shumë qytetarë, opozita serbe paralajmëroi tubimin e saj më të madh për 13 prill. Sigurisht, tubimi më i madh i koalicionit qeverisës erdhi vetëm disa ditë më pas, më 19 prill.

Në tërë këtë, të gjithë do të shtrojmë pyetjen: në rregull, por çfarë lidhje ka e gjithë kjo me Kosovën. Përveç faktit që Kosova definitivisht do të përmendet në këto tubime, edhe kësaj here si shumëherë më parë, Kosova ekskluzivisht ka mbetur vendi i cili paraqet burimin e talljes dhe përqeshjes së përgjithshme. Tashmë jemi mësuar me ide të ndryshme, për të cilat thonë se vijnë nga vetë qytetarët, për të cilat ne të gjithë shtrojmë pyetje për çka shërbejnë dhe si vijnë njerëzit deri tek ato ide. Këtë herë, që cirku udhëtues i presidentit të shkëlqejë me shkëlqimin e tij të plotë, u përkujdes një grup i djelmoshave nga veriu i Kosovës, më saktësisht nga Leposaviqi. Në të vërtetë, pothuajse brenda natës, 27 djelmosha vendosën që në këmbë të nisen nga Leposaviqi për në Beograd, për të treguar respektin e tyre ndaj presidentit të Serbisë dhe për t’iu bashkangjitur në fund tubimit “E ardhmja e Serbisë” më 19 prill. Në çfarë mënyre dhe si u erdhi kjo ide këtyre djemve, ende mbetet mister.   

Ky udhëtim zgjati saktësisht shtatë ditë. Çdo ditë patëm rastin që të përcjellim lëvizjen e tyre në shërbimin publik të Serbisë, të dëgjojmë fjalimet si të politikanëve serbë nga Kosova ashtu edhe të drejtorit të zyrës për Kosovë, Marko Đurić. Të gjithë pa kushte e përcillnin dhe i jepnin mbështetje diçkafit që për asnjë prej nesh ende nuk është shumë e qartë. Pse dhe me çfarë qëllimi kishin ecur shtatë ditë, dhe cilat janë rezultatet e kësaj? 

Në fund, ky grup nga Leposaviqi arriti në Beograd, doli në binë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučić-in, dhe sipas të gjitha gjasave pas kësaj, së bashku me të tjerët që i mbushnin autobusët e shumtë sipas obligimit të punës, u kthyen në Kosovë.

Kanë kaluar tashmë disa ditë nga shfaqja e cirkut të presidentit në Beograd dhe qëkur serbët nga Leposaviqi e përfunduan udhëtimin e tyre, i cili nuk qe i qartë për asnjerin prej nesh.   

Në mënyrë të parezistueshme kjo i ngjante vizitës së Aleksandar Vučić-it në Kosovë, në shtator të vitit të kaluar. Një show me regji shumë të mirë, i përcjellur me kamera të shërbimit publik të Serbisë, me një miting të madh në të cilin njerëzit kishin ardhur që të mos i humbnin vendet e  tyre të punës dhe asnjë rezultat pas kësaj.   

Cirku udhëtues i politikës serbe definitivisht nuk po ndalet, veçse po përbën problem kur po i përfshin edhe njerëzit e rëndomtë. E në shumicën e rasteve, serbët e Kosovës, të cilët sipas shprehisë shërbejnë si marioneta për fitimin e poenave politik dhe objekt talljeje të opinionit publik. Presidenti i Serbisë me këtë veprim fitoi shumë vëmendje mediatike, e cila zgjati me ditë të tëra, e këta djelmoshat nga Leposaviqi, kam frikë se nuk fituan asgjë.

SHARE