COVID-19 ofron rast për t’i shtrirë dorën shkollave serbe në Kosovë

Ministria e Arsimit ka përsëritur për New Perspektivën gadishmërinë e plotë për t’i vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saja institucionale për implementimin e projektit të mësimit në distancë në gjuhën serbe.

0
94

“I kemi kontaktuar disa herë komunat me shumicë serbe, u kemi treguar se çfarë jemi duke bërë në këtë kohë, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga kjo. Por, deri më tani s’ka ndonjë reagim konkret nga ta.” Kështu tha zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, në lidhje me programin e mësimit online për shkollat në Kosovë të cilin po e implementon Ministria e Arsimit, MASHT, gjatë periudhës së mbylljes për shkak të COVID-19.

Ky është lajm i mirë sepse tregon se Ministria, si pjesë e qeverisë së re, ndonëse tani në detyrë, po i shtrin dorën shkollave serbe që punojnë sipas sistemit arsimor të Beogradit. Mund të mos ketë patur një përgjigje pozitive por mbase do të kishte qenë jorealiste sikur të ishte pritur ndonjë rezultat tjetër. Sidoqoftë, komunat serbe janë kontaktuar si pjesë e sistemit shkollor të Kosovës. Kjo në vetvete ishte një hap inkurajues.

Ministria i tha New Perspektivës se ajo menjëherë kishte filluar implementimin e programit të mësimit në distancë për nxënësit e shkollave në Kosovë sapo u mbyllën shkollat. Programi përfshinë një platformë elektronike ku janë publikuar ligjërata të mësimeve në video për edukim në shtëpi gjatë pandemisë. Pas 6 prillit, numri i lëndëve të mësimit online u shtua për të përfshirë shkencat shoqërore dhe natyrore. Këto materiale janë në gjuhën shqipe, turke dhe boshnjake.

Ministria po ashtu ka përsëritur për New Perspektivën gadishmërinë e plotë për t’i vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saja institucionale për implementimin e projektit të mësimit në distancë në gjuhën serbe. Ashtu si edhe me komunitetet tjera jo-shqiptare, MASHT-i i dërgoi letër drejtorive komunale të arsimit në të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë duke i ftuar ata që të jenë pjesë e këtij projekti. MASHT-i tha se thirrja nuk ishte pranuar “me entuziazëm” nga ato komuna.

Shkollat serbe në Kosovë ndjekin programet e e-mësimit të krijuara nga Ministria e Arsimit e Serbisë. Shkollat serbe në Kosovë punojnë në tërësi sipas planprogrameve serbe dhe janë nën kontroll të Ministrisë serbe të Arsimit. Këto shkolla në përgjithësi funksionojnë plotësisht ndaras nga shkollat shqipe të Kosovës. Kjo është e drejtë ligjore dhe kushtetuese e komunitetit serb por kjo pengon dhe dëmton mirëkuptimin dhe raportet e qytetarëve të rinj të Kosovës të komuniteteve të ndryshme pakicë. Gjendjen nuk po e ndihmon edhe stagnimi i Dialogut dhe procesit të normalizimit.

New Perspektiva i ka kushtuar resurse specifike hapjes së të menduarit për qasjen shumë-perspektivëshe ndaj të mësuarit të historisë me shkollat e Kosovës si dhe me ato të komunitetit serb. Ne kemi punuar me mësuesë, nxënës dhe drejtorë komunal të arsimit. E dimë se në mesin e tyre ekziston një dëshirë për të ndryshuar tërësinë e kësaj ndarjeje dhe për të punuar drejt përmirësimit të ndërveprimit. Nga të gjitha bisedat që i kemi zhvilluar me ta kemi fare pak dyshim se politika dhe politikanët janë ata që po e pengojnë këtë.

Prandaj ky hap i MASHT-it është inkurajues edhe pse mungoi rezultati. Ne duam të inkurajojmë që kjo përpjekje të përsëritet, që të shihet si hap i parë dhe do të sugjeronim që të punohet mbi këtë, ndoshta për të parë për ndonjë projekt pilot, të punohet me shkolla individuale.