Dashuria sipas ligjit 

Pa marrë parasysh nëse kanë humbur jetën një milion njerëz apo vetëm një njeri i vetëm, krimi është krim. E secili kriminel ka emër e mbiemër dhe duhet t’i bart pasojat. T’ia ndalosh viktimës që të flasë për krimin i cili është kryer ndaj tij/saj është kulmi i hipokrizisë dhe padrejtësisë.

0
265

Që kjo Qeveri e e ka futur tërë shoqërinë kosovare në një periudhë ku ajo që është jonormale është bërë normale dhe që shumica e vendimeve të saj nuk janë ne harmoni me normat e qytetërimit, me këtë tashmë jemi mësuar, por që me vendimet e saj të krijojë mendimin e dikujt, e kjo sipas meje e ka tejkaluar çdo masë. 

Projektligji për UÇK-në, më saktësisht ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, është, thënë më së thjeshti, paksa i krisur dhe qesharak. E pikërisht ky ligj, nëse do të miratohej, do të mund të krijonte mendimin e dikujt. Disa do të thonë se kjo edhe nuk është pikërisht kështu. Por dispozita e ligjit është e tillë që nëse dikush publikisht, pa marrë parasysh a është kjo në formë të shkruar apo verbale, thotë se UÇK është një organizatë terroriste dhe se ka kryer krime, do të mund të ballafaqohej me dënim me burg. Në këtë mënyrë, pushteti dëshiron të ndalojë që për këtë as të mos flitet publikisht, e për hetim bile as të mos flasim. Edhe pse të gjithë betohen zëshëm se qëllimi i tyre është pajtimi dhe normalizimi i marrëdhënieve midis dy popujve, ky ligj i vendos një pengesë të pakapërcyeshme këtij procesi.

A thua si do të ishte sikur dikush do të propozonte këtë ligj në Serbi, ashtu që me atë ligj të ndalohej dhe që të mos lejohej të flitej për krimet eventuale të Ushtrisë së Jugosllavisë, apo MPB-së gjatë luftës në Kosovë. Mendoj se të gjithë e kanë të qartë që një ligj i tillë kurrë nuk do të propozohej sepse, për dallim prej Prishtinës, Beogradi këtë proces e ka kryer kaherë. Por ai proces me vete ka bartur edhe kundërshtimin e popullit, dhe protesta. Qëllimi që Forcat e Sigurisë së Kosovës, ashtu siç janë tani, të transformohen në ushtri të Kosovës, e të gjitha këto në themelet e UÇK-së së mëparshme, ky është në fakt edhe shkasi për një ligj të tillë. Askujt që është normal nuk do t’i shkonte në mend që në themelet e një organizate terroriste (e kështu është e klasifikuar ajo nga ana e Serbisë) të formojë ushtri në të cilën nesër do të duhej të lajmëroheshin edhe serbët, pikërisht ata të cilët ajo organizatë i ka pastruar etnikisht nga më tepër se 80% e territorit të Kosovës. Po e njëjta organizatë dëboi nga Kosova mbi 240000 serbë, kurse ende po gjurmohet për 1500 tjerë. Dhe tani dikujt i ka rënë në mend që me ligj të ndalojë që të flitet për këtë.

Do të doja të dëgjoja se si dikush në gjykatë do të shpjegonte fajin e atyre të cilëve UÇK-ja ua ka vrarë më të dashurit, nëse dikush do t’i akuzonte dhe paraburgoste, nëse ata publikisht do të thoshin për UÇK-në se kanë kryer krime. Kush do t’i dënonte nënat, motrat, vëllezërit dhe baballarët e atyre që janë vrarë nga ana e UÇK-së, nëse ata do të thoshin se i kanë vrarë kriminelët e UÇK-së. Ose që është edhe më keq, do të doja të dëgjoja se si dikush do t’i bindte ato të njëjta viktima se i ka vrarë UÇK-ja heroike dhe çlirimtare.

Më e keqja nga të gjitha është se ky sektori famoz joqeveritar po hesht dhe pa fjalë po shikon atë që po i krijohet para syve. Ku janë ato fonde për të drejtën humanitare, ku janë ato organizata që janë formuar me qëllim të mbrojtjes së interesave të viktimave, ku janë tani përfaqësuesit e misioneve të jashtme. Në fund të fundit, ku është tani EULEX-i – a nuk është vallë detyra e tyre që të kujdesen për zbatimin e ligjit dhe krijimin e kushteve për krijimin e shoqërisë ligjore?

Pas Luftës së Dytë Botërore, askujt në Gjermani nuk i shkoi ndërmend që të ndalojë që të flitet publikisht për Vermahtin si për një krijesë kriminele e cila është fajtore për vdekjen e miliona njerëzve. Disa do të thoshin se ky është një krahasim tepër i rëndë, por unë mendoj se nuk është sepse nëse dikush përpiqet që të mbulojë krimin, pa marr parasysh numrin e viktimave, ai po në atë moment bëhet pjesëmarrës në krim. Pa marrë parasysh nëse kanë humbur jetën një milion njerëz apo vetëm një njeri i vetëm, krimi është krim. E secili kriminel ka emër e mbiemër dhe duhet t’i bart pasojat. T’ia ndalosh viktimës që të flasë për krimin i cili është kryer ndaj tij/saj është kulmi i hipokrizisë dhe padrejtësisë.

Ku është tani ajo rini e shkolluar, e cila do të duhej të ishte zëri i ndërgjegjes në këtë kohë që nuk ka kuptim? Përse tani nuk po e ngrisin zërin e tyre? A është kjo rini e përkushtuar për paqe dhe pajtim apo edhe ajo gjithë diturinë e saj e shfrytëzon për atë se si të planifikohen krime të reja?

Në fund të fundit, ka shumë pyetje në të cilat askush nuk ka dhënë përgjigje, kështu që as unë nuk pres që dikush të përgjigjet në këtë pyetje. Por, si dikush që mendon se vetëm paqja sjell mirëqenie, mendoj se e kam për detyrë që të shtroj këtë pyetje. Nxitova të shkruaj këtë para se të miratohet ligji sepse sipas ligjit të ri edhe ky shkrim do të ishte vepër penale.

SHARE