Debate në Serbi dhe Kosovë për “kufijtë”

0
12

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të martën se serbëve dhe shqiptarëve u duhet një paqe afatgjatë dhe se ai do bëjë gjithë çfarë është e mundur të ruajë paqen dhe sigurinë për serbët e Kosovës. Në një takim me gazetarë në Beograd ai akuzoi Bashkimin Evropian për heshtje kundruall qasjes së Prishtinës ndaj marrëveshjes për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, që parasheh një shkallë të lartë autonomie për serbët në veriun e Kosovës. Themelimi i tij është pjesë e marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

“Për fat të keq, shqiptarët, me miratimin e heshtur – ose, për të qenë edhe më të saktë, pa një mospajtim të qartë nga Bashkimi Evropian, nuk e kanë përmbushur detyrimin e tyre të vetëm, formimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, tha ai.

Kosova kaloi një fundjavë të qetë pas tensioneve që u ngritën rreth 4 gushtit, afatit për hartimin e projekt statutit të këtij asociacioni. Afati për statutin, që tashmë është hartuar dhe do t’u dorëzohet palëve në Bruksel, ndërsa është i panjohur për opinionin publik, u përcoll edhe me pohimet se serbët e veriut të Kosovës mund të ndërmarrin veprime për shpalljen e njëanshme të autonomisë së tyre. Madje përfaqësues të kishës ortodokse serbe në Kosovë thanë se mund të ketë një marrëveshje të fshehtë për të nxitur trazira të dhunshme në veriun e Kosovës dhe kjo të shfrytëzohej pastaj, për siç thuhet, krijimin e vijave ndarëse në baza etnike si një akt i kryer.

Presidenti i Serbisë tha se serbëve u mbeten dy rrugë para vetes:

“Njëra rrugë është që, pas më shumë se 1930 ditësh që kur pushteti në Prishtinë nuk e ka përmbushur detyrimin për themelimin e asociacionit, serbët ta bëjnë atë vetë dhe pak kush në botë do të mund t’i kundërvihej kësaj me argumente racionale e serioze. Nga ana tjetër, nëse do ta bënin serbët këtë, ekziston rreziku i veprimeve të njëanshme të Prishtinës dhe shumëkush në perëndim mesi do të priste të mbështeste një veprim të tillë të njëanshëm, që do t’i shërbente larjes përfundimtare të llogarive të Prishtinës me veriun e Kosovës”.

“Pikërisht për këtë politika e Serbisë dhe këshilla jonë për serbët në Kosovë është që të veprojmë me kujdes, të ndjekim me kujdes zhvillimet në bashkësinë ndërkombëtare dhe të ngulim këmbë çdo ditë në të drejtat tona dhe të zgjedhim kohën e veprimet që do të jenë në vijë me interesat tona, por që do të nënkuptojnë edhe garancitë se mund të ruajmë paqen e qëndrueshmërinë dhe në asnjë mënyrë të mos rrezikohet siguria e qytetarëve tanë”, tha presidenti serb.

Sipas tij, ka pak gjasa për një marrëveshje të shpejtë të cilën, nëse arrihet, tha ai, as serbët e as shqiptarët nuk do të kenë arsye që ta kremtojnë.

 

Luftë idesh për marrëveshjen përfundimtare

 

Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008 më mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. Por, të dyja palët janë përfshirë në një proces të normalizimit të marrëdhënieve, që është kusht për integrimet evropiane.

Bisedimet do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për normalizimin e marrëdhënieve. Por, është e paqartë se si do të duket ajo marrëveshje dhe palët kanë hedhur idetë për ndarjen tokësore të Kosovës apo shkëmbimin e territoreve, veriun e Kosovës – Serbisë në shkëmbim për luginën e Preshevës.

Gjatë javës që lamë pas presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nxiti shumë reagime me idenë e tij për korrigjimin e kufirit, që nënkupton bashkimin e luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë më Kosovën.

Të hënën ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, tha se tash është rasti më i mirë që çështja e Kosovës të zgjidhet me kompromis.

“Në këtë fazë kemi situatën kur Bashkimi Evropian po vëren se problemi kryesor për arritjen e kompromisit janë shqiptarët. Shqiptarët po duan që ne ta njohim Kosovën, plus nëse munden, ta marrin edhe Medvegjën, Preshevën… kjo do të ishte ideale për ta. Në këtë situatë, hapet mundësia që të arrihet zgjidhja e kompromisit. Nëse tashmë ka dialog, në dialog duhet të ketë një propozim” i tha ai televizionit serb Pink, duke theksuar se ndarja e Kosovës ne vija etnike është zgjidhja më e mirë.

 

Haradinaj: Kufijtë janë vendosur me luftë.

 

Të martën, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha pas një mbledhjeje të qeverisë së tij se kufijtë janë vendosur me luftë dhe vetëm lufta mund t’i luajë.

“Krejt kah janë shqiptarë me qejf e kishim marrë Preshevën, atë s’ka dilemë kurrkush, besoj, por e thashë që këta kufij janë vendosë nga lufta e fundit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s. Këta janë kufij lufte. Janë dhjetëra mijëra njerëz në tokë për këta kufij, jo vetëm të brezit të mbramë por edhe të mëhershëm. Është bukur imagjinate e lehtë me mendue se dikush luan me kufij. S’luhet me këta kufij”, tha kryeministri Haradinaj.

 

Thaçi: Korrigjim paqësor të kufirit në favor të Kosovës

 

Pas kësaj deklarate, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkroi në facebook një mesazh “për ata që mendojnë se korrigjimi i kufijve në mënyrë paqësore është ide e keqe, përkundër faktit se e dinë që është mundësia e vetme që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës. Që të jem i qartë: Unë e kam hedhur poshtë me kohë opsionin e ndarjes dhe të shkëmbimit të territoreve. Unë jam duke folur vetëm për korrigjim të kufirit në mënyrë paqësore, dhe atë, në favor të Kosovës. Ndërsa, kundërshtuesit e këtij propozimi, propagandojnë për ndarje dhe shkëmbim të territoreve. Në një situatë të tillë, vërtet që nuk mbetet rrugë tjetër përveç fuqizimit të vendimmarrjës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke iu mundësuar atyre për të vendosur vetë se kush ka të drejtë dhe se cili opsion është në interes të Kosovës. Prandaj, është e domosdoshme që t’iu mundësojmë qytetarëve tanë të drejtën e referendumit, gjë që për të cilën jam duke punuar që të bëhet realitet”, shkroi presidenti Thaçi.

 

​OJQ-të shqiptare e serbe – kërkojnë reagim të BE-së

 

Mbi 30 organizatat e shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia, i janë drejtuar me një letër të hapur shefes për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ku janë shprehur kundër, siç kanë thënë, ndarjes së Kosovës.

Në letër kërkohet që zonja Mogherini, të dalë me një deklaratë të qartë “kundër ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, mbi baza etnike”. Aty thuhet mes tjerash se “përmendja e shpeshtë e mundësisë së korrigjimit të kufijve, dërgon një mesazh të rrezikshëm për qytetarët në Serbi dhe Kosovë, por edhe për gjithë rajonin”, thuhet në letër në të cilën u bëhet thirrje të gjitha palëve përfshirë edhe faktorin ndërkombëtarë që “të kundërshtojnë në mënyrë aktive përpjekjet për të futur parimin etnik në ndërtimin e shteteve të Ballkanit”.

Asnjëherë deri tash këto çështje nuk janë shtruar zyrtarisht në tryezën e bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtarë deri vonë ishte i prerë në qëndrimet se nuk mund të ketë ndryshim kufijsh për shkak të ndikimit në pjesët tjera të rajonit të Evropës juglindore, që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundshekullit të kaluar.

(zeriamerikes.com, 08/08/2018)

comments

SHARE