Dekada

Derisa në Prishtinë festohej, në po të njëjtin shtet, në veri, kjo festë as që shënohet, porse konsiderohet si një ditë e dhimbjes dhe pikëllimit, edhe pse kjo ndoshta tingëllon tepër e fuqishme, por, për fat të keq, kështu është. Mirëpo, do të ishim hipokritë nëse do të thoshim që veriu nuk e pranon këtë shtet; natyrisht që është i pranuar, në këtë apo në atë mënyrë, me fuqinë e ligjit dhe të negociatave janë vënë ca nënshkrime të cilat veriun në mënyrë të qetë e kanë integruar në sistemin e Kosovës, apo, siç thuhet në Beograd, në institucionet krahinore. Sido që të jetë, integrimi është aty, pas një kohe mjaft të gjatë.

0
198

Kanë kaluar 10 vite që nga koha kur u shpall pavarësia e Kosovës, dhe kjo, nëse do ta shikonim në mënyrë të paanshme, nuk do të paraqiste kurrfarë problemi. Mirëpo, gjatë këtyre 10 viteve jemi bindur shumë herë, madje edhe tepër shumë, që në terren gjërat nuk shkojnë mu ashtu siç dëshirojnë disa individë ta paraqesin. Përsëri, disa do të thoshin që nuk ka shtet në botë që nuk e ka bile ndonjë problem, por problemi ynë qëndron aty që Kosova si shtet i pavarur në terren nuk i ka zgjidhur problemet kyçe nga të cilat varet ardhmëria dhe prosperiteti i popullit, e me këtë edhe e shtetit. Në Kushtetutën e Kosovës, në preambulën e saj thuhet se Kosova është e përkushtuar për prosperitetin, përparimin dhe mirëqenien e përgjithshme të të gjithë banorëve të saj, apo thënë më mirë shtetasve të saj, por që kjo nuk është kështu në terren, këtë të gjithë e kanë kaherë të qartë. Fundja, nuk duhet të jesh veçanërisht inteligjent për të kuptuar që Kosova është ende në procesin e integrimeve e për neve serbët një gjë e tillë është shumë mirë e njohur sepse Serbia plot 18 vite është në po këtë proces dhe nuk dihet edhe sa do të zgjasë një proces i tillë. Kështu që arrijmë deri tek konkluzioni se Kosova mund të mësojë shumëçka nga Serbia, sado që kjo të tingëllojë iluzore në këtë moment, kur këto dy shtete nuk pranohen nga njëri-tjetri. Gjatë këtyre 10 viteve që i lamë pas kemi parë që nuk janë shëruar të gjitha plagët e viteve nëntëdhjetë, po ashtu kemi parë që janë hapur edhe disa plagë të reja të cilat assesi të shërohen. Politika është ajo që duhet t’i shërojë e, për fat të keq, jemi të vetëdijshëm se po kjo politikë e njëjtë aktuale po i mban ato në gjendje që nuk mund të shërohen.

Derisa në Prishtinë festohej, në po të njëjtin shtet, në veri, kjo festë as që shënohet, porse konsiderohet si një ditë e dhimbjes dhe pikëllimit, edhe pse kjo ndoshta tingëllon tepër e fuqishme, por, për fat të keq, kështu është. Mirëpo, do të ishim hipokritë nëse do të thoshim që veriu nuk e pranon këtë shtet; natyrisht që është i pranuar, në këtë apo në atë mënyrë, me fuqinë e ligjit dhe të negociatave janë vënë ca nënshkrime të cilat veriun në mënyrë të qetë e kanë integruar në sistemin e Kosovës, apo, siç thuhet në Beograd, në institucionet krahinore. Sido që të jetë, integrimi është aty, pas një kohe mjaft të gjatë.

Për këto 10 vitet e përmendura u rrit një gjeneratë e cila tashmë shkon në shkollë, e cila dalëngadalë po mëson për gjithçka që e rrethon, e cila me kohë do të duhet të kuptojë se ku është dhe në çfarë kushte gjendet. Dhe derisa ata fëmijë në jug e dinë ku janë, këta në veri ende po hamenden. Derisa në jug fëmijët më 17 shkurt nuk shkojnë në shkollë, në veri mësimi zhvillohet normalisht. Dhe gjithnjë kështu në qark, çdo vit, gjatë tërë këtyre 10 viteve e kushedi edhe sa vite të tjera në të ardhmen, dhe po, derisa në jug shpresojnë që kjo do të zgjasë përgjithmonë, në veri shpresojnë që pikërisht ky vit është i fundit. Tingëllon pak e ashpër, por kështu është.

Ka shumë shembuj të këtillë, por kush është fajtor për këtë? Populli, shteti, pushteti, bashkësia ndërkombëtare, apo siç i quajmë ne këtu me një emër, TË HUAJT? Fajtori gjendet midis këtyre që u përmendën, të gjithë janë fajtor ngapak, secili në mënyrën e vet. Populli i zgjedh përfaqësuesit e vet, e gjatë këtyre 10 viteve kemi parë që kjo zgjedhje nganjëherë edhe nuk ka qenë gjithaq e mirë dhe progresive. A ishte kjo për shkak të barrës së të kaluarës apo ishte çështje e mashtrimit të mirë nga ana e politikanëve, tani  është   njëlloj, por problem shumë më i madh është se kjo gjatë tërë këtyre viteve po përbirohet si një mallkim i llojit të vet. Kështu që për shkak të kësaj, disa qytetarë nganjëherë sinqerisht fillojnë të ndjejnë mall për disa kohëra më të hershme kur askush nuk i ka pyetur për asgjë, sepse e shohin se si është kur populli pyetet e kështu që pasojat i zhgënjejnë. Në të gjitha këto që u përmendën më lart fshihet faji i popullit dhe si pasojë e kësaj faji i pushtetit. Shteti si shtet, pyetet atëherë kur është më së vështiri e edhe atëherë ai vendim vjen nga anash kurse prezantohet si rezultat i kërkimit të mundimshëm të grupeve të ekspertëve në bashkëpunim me sektorin joqeveritar, e të gjithë e kanë të qartë se kjo nuk është e saktë. Por populli e di këtë dhe është mësuar me këtë, nuk jemi ne shteti i vetëm ku populli dhe po ai shtet nuk pyeten asgjë. Edhe kjo ju duket pak e ashpër, paj, ballafaqohuni me këtë, ky është ai realiteti në të cilin po na shtyejnë të besojmë. Nuk është i bukur, por është i yni, e kjo mbase quhet patriotizëm.  

Shteti gjatë këtyre 10 viteve ka arritur shumë; e para, është i pavarur, pak a shumë, kjo tani nuk është shumë e rëndësishme, apo jo? Në fund të fundit, cili është ai shtet në Ballkan që është plotësisht i pavarur! E dyta, me mijëra e mijëra të rinj janë larguar, apo të themi kanë ikur, kështu që as atë problem nuk e kemi. Ata që kanë mbetur, e kanë bërë këtë në përgjegjësinë e vet. Shkalla e papunësisë prej më tepër se 60% zyrtarisht, e jozyrtarisht më e ulët sepse po lulëzon ekonomia joformale, me mijëra punëtorë që nuk janë të lajmëruar. Krimet dhe veprat penale etnikisht të motivuara janë pjesë përbërëse e përditshmërisë. Por për këtë duhet të përkujdesen institucionet ligjore që po ashtu ekzistojnë, ndonëse nuk punojnë siç është më së miri por fjala magjike integrim i arsyeton të gjitha.

E gjithë kjo tingëllon shumë ashpër, por për fat të keq, kështu është; askush nuk është i lumtur që të gjitha këto janë kështu si janë, e populli më së paku, ai e ka brengën se si të mbijetojë, sepse kjo është nevoja dhe instinkti themelor njerëzor. Të gjithë ne brengosemi, secili e ka brengën e vet, vetëm se nganjëherë zgjidhja e të gjitha brengave dhe problemeve tona fshihet në ndonjë vend ku nuk kemi qasje, e kështu përsëri mbesim të privuar nga ajo zgjidhje. Kosova festoi dhe do të festojë, dhe duhet të festojë, secili shtet i pavarur duhet të festojë ditën e themelimit të tij, por para kësaj feste, po ai shtet duhet së pari të bëhet shtet në plot kuptimin e asaj fjale. E duke qenë e tërë kjo pjesë e një procesi integrues, të veriut në jug, të jugut në veri, të Kosovës në Evropë, e gjithnjë kështu në rreth, unë megjithkëtë do t’i uroja të gjithë qytetarëve të Kosovës 10 vite integrim, sepse vetëm ai është i sigurt, kurse pavarësia disi është anash.

comments

SHARE