Deputeti suedez nominoi qeverinë e Kosovës, atë të SHBA-së dhe Serbisë për Çmimin Nobel për Paqe

0
28

Qeveria e Kosovës, Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe.

Nominimi është bërë nga ana e deputetit të Parlamentit të Suedisë, nga radhët e Partisë Demokristiane, Magnus Jakobson.

“Unë kam nominuar qeverinë e SHBA-së dhe qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për Çmimin Nobel për Paqen, për punën e tyre të përbashkët për paqen dhe zhvillimin ekonomik, përmes marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Tregtia dhe komunikimet janë aspekte të rëndësishme në ndërtimin e paqes”, ka thënë Jakobson përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Këtij postimi i ka bërë jehonë, i dërguari i posaçëm i presidentit të SHBA-së për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell.

Ndërsa kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e falënderoi deputetin suedez për nominimin.

“Jashtëzakonisht falenderues ndaj deputetit të Parlamentit të Suedisë, nga radhët e Partisë Demokristiane, Magnus Jakobson”, ka shkruar Hoti në Twitter.

Më 4 shtator, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.

Presidenti Trump e ka cilësuar si historike këtë marrëveshje.

Me këtë marreveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Marrëveshja parasheh realizimin e një sërë projektesh infrastrukturore dhe ekonomike mes dy vendeve.

(evropaelire.org, 11/09/2020)

SHARE