Dhe çka tash?

Edhe pse në një botë demokratike kjo është e paimagjinueshme, tek ne është ende me rëndësi kush është kush, domethënë kush është serb e kush është shqiptar, dhe duke pasur parasysh që fletëvotimi ashtu edhe dukej, është e qartë se për kë do të votojë popullata shumicë në veri të Kosovës.

0
120

Kaluan zgjedhjet, siç thotë populli ynë ‘u mbars mali e polli një mi’. Pa pasur qëllim që këtu të analizojmë se kush ka ndikuar mbi kë, e qysh, në mënyrë që të arrihet deri tek ky rezultat, por rezultatet ishin të pritura dhe të vetmet që kanë mbetur pas të gjithave si fakt me të cilin duhet të ballafaqohemi. Veriu dhe komunat që e përbëjnë atë nuk kanë nevojë t’i kushtojnë vëmendje të posaçme rezultateve sepse, siç e thamë, ato ishin të pritura dhe nuk dihej vetëm përqindja, të gjitha të tjerat diheshin që më parë. Për atë se zgjedhjet patën vetëm një karakter referendumi duhet të pajtohemi sepse edhe zgjedhja para qytetarëve ka qenë e thjeshtë. 

Edhe pse në një botë demokratike kjo është e paimagjinueshme, tek ne është ende me rëndësi kush është kush, domethënë kush është serb e kush është shqiptar, dhe duke pasur parasysh që fletëvotimi ashtu edhe dukej, është e qartë se për kë do të votojë popullata shumicë në veri të Kosovës.

Mirëpo, tani kur ndoshta pothuajse çdo gjë është kryer, ndoshta autoriteteve qendrore në Prishtinë duhet t’u bëhet një pyetje krejtësisht logjike: dhe çka tash? Nëse kemi parasysh retorikën që mbizotëronte që nga dorëheqjet e kryetarëve të komunave në veri dhe deri në zgjedhje, do të krijohej përshtypja se autoritetet qendrore prisnin një rezultat tjetër të zgjedhjeve. Do të pajtoheshit se gjithsesi kjo është paksa qesharake. Përpjekja për të nxjerrë drejtësinë në pah në këtë mënyrë është paksa e çuditshme. Por gjithsesi nuk guxojmë të harrojmë se kjo është megjithatë një procedurë që është dashur të respektohej sepse as që ka pasur ndonjë rrugë tjetër.

Në njërin nga blogjet e mëhershme e kam theksuar se është paksa e çuditshme se si dorëheqjet që janë refuzuar për shkak të fjalës Metohi, papritmas, brenda natës janë bërë të pranueshme dhe të vlefshme. E është edhe më qesharake ajo që pothuajse të gjithë brenda natës kanë harruar që dikush me vendosmëri refuzoi t’i pranojë ato dorëheqje. Me vetë refuzimin e dorëheqjeve konsiderohej se kryetarët e komunave janë ende në funksion, por përnjëherë dorëheqjet u pranuan dhe u shpallën zgjedhjet. A mos ndoshta dikush bënte kalkulime se përmes zgjedhjeve do të ndryshonin strukturën udhëheqëse në veri? Po a nuk është bërë e pamundur kjo disa vitet e fundit sepse është vendosur dominimi i Listës Serbe në të gjitha nivelet. Nuk dua të hyj në atë se si erdhi deri tek kjo sepse ka shumë spekulime e prova ka shumë pak, kështu që pa nevojë vetëm do t’u hynim thashethemeve dhe tregimeve të kuloareve sipas parimit unë thashë – ti the.

A do të thotë fitorja e Listës Serbe në këto zgjedhje izolim të veriut të Kosovës sepse në të e kanë pushtetin ata që nuk janë të preferuarit e Prishtinës apo do të thotë diçka krejtësisht tjetër? T’ia lëmë kohës që ta tregojë këtë, e siç kemi filluar, nuk do të presim gjatë reagimin e atyre prej të cilëve pritet reagimi. 

SHARE