Dhimbja e shtypur që mund të bëhet shtypëse

Para disa ditësh u sulmuan disa pelegrinë serbë në një fshat të Istogut nga disa shqiptarë. Sulme të tilla kanë ndodhur edhe më parë, kryesisht në Gjakovë. Këto sulme janë të nxitura nga narrativat e çala të dijeve të shtypura të shqiptarëve të këtushëm. Janë përbrenda ligjërimeve të dhimbjes. Duke qenë se në mënyrë mizore dhimbjet e këtyre njerëzve u shpërfillën, madje edhe institucionalisht, ato u margjinalizuan dhe u shtypën.

0
160

Shqiptarët e Kosovës njihen për tolerancën ndërfetare. Një rod i njohur për shtypjen që përjetoi, pastaj për fukarallëkun, analfabetizmin dhe kryengritjet e shumta – ka qenë përgjithësisht mungues në luftërat me karakter fetar. Pse? Është evidente se nuk është puna te një shpirt i përkorë fetar, te një praktikim autonom e paqedashës i myslimanizmit a krishterizmit. Jo! Vlerat e fesë kanë depërtuar vetëm sipërfaqshëm në shpirtin e këtij mileti – duke qenë kryesisht të nevojshme për të bërë pazar, për të paguar më pak taksa apo për çështje tjera ekonomike.

Por, edhe nëse feja i ka njëmijë e një të këqija, kundërshtimi i saj prodhoi vlerat liberale. Mungesa e një përplasjeje me fenë krijoi vakuum në të kuptuarit e këtushëm të modernitetit. U bëmë në dukje liberalë me tolerancën ndërfetare, meqë në praktikë nuk ishim aspak fetarë, por vlerat që u kultivuan ishin trishtuese, fallse.

Feja i përgatit njerëzit për jetë komunitare. Për të përbashktën. Për një farë diskutimi e komunikimi. Shqiptarët e Kosovës duke qenë se ishin të shtypur, madje edhe gjuhësisht, mbetën nën vargojtë e dijeve të tyre të shtypura madje edhe në relacion me fenë. Nëse bëjmë një arkeologji të besimeve që kanë, do të gjejmë çdokund themele të kulturës kanunore, e cila ishte familjocentriste por antikomunitare. Kanuni gati e shenjtëron ‘mikun’ e shtëpisë – por një trajtim i tillë është sendëzues, apo edhe më keq, pronësues. “Miku” është i tillë vetëm në përjetimin e pronës shtëpiake e familjare, derisa vihet nën mbrojtje duke qenë në krye të vendit në odë, apo në sokaqet dhe arat e saj [nëse miku vritet brenda këtyre territoreve, gjaku duhej të merrej nga shtëpia mikpritëse].

Para disa ditësh u sulmuan disa pelegrinë serbë në një fshat të Istogut nga disa shqiptarë. Sulme të tilla kanë ndodhur edhe më parë, kryesisht në Gjakovë. Këto sulme janë të nxitura nga narrativat e çala të dijeve të shtypura të shqiptarëve të këtushëm. Janë përbrenda ligjërimeve të dhimbjes. Duke qenë se në mënyrë mizore dhimbjet e këtyre njerëzve u shpërfillën, madje edhe institucionalisht, ato u margjinalizuan dhe u shtypën.

As shteti serb e as klerikët fetarë nuk kanë kërkuar falje për dhimbjet që iu shkaktuan shqiptarëve gjatë dhe para luftës. Kjo është një pikë domethënëse që e bën krejt fallse dhe të panatyrshme atë farë ‘harmonie’ mes etnive që ekziston aktualisht. Për më tepër, edhe komuniteti ndërkombëtar ka fajësi të konsiderueshme që nuk ka besuar dhe nuk është përpjekur seriozisht në arritjen e një harmonie të tillë. Që nuk ka rrëmuar në veçoritë kulturore të të dyja komuniteteve, por e ka reduktuar problemin thjesht në paragjykimin banal: “Ky është Ballkan”.

Presidenti serb para një muaji erdhi në Kosovë dhe hapur e quajti Millosheviqin “lider të madh me qëllime të mira”. Të dyja komunitetet përballen me varfërinë e papunësinë, me tragjeditë e përditshme të vogla që shkakton ndryshimi i vlerave dhe nga një skemë e korruptuar prodhimi. Mirëpo, ndërsa dhimbja është shtypur duke kaluar në frustrim, karakteri kolektiv i shqiptarëve ka mbetur antikomunitar. Kësisoji, sulmet e shqiptarëve (përjashtim përbëjnë vetëm dy-tri vitet e para të pas-luftës) aktualisht janë sporadike dhe jodomethënëse. Por, kjo mund të ndërrojë – si shkak i shpërthimit të këtyre frustrimeve të përmbajtura.

T’i kthehemi ‘mikut’ të kanunit. Serbia madje as nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe integritetin territorial të vendit. “Miku’ i kanunit, nëse konceptohet ndryshe si ‘tjetri’, është i tillë duke u vënë nën mbrojtje brenda hapësirave ku ushtrohet pushteti i një familjeje të caktuar. Kosovës nuk i njihet territori dhe pavarësia, gjë që e pamundëson edhe trajtimin prej miku për serbin. Natyrisht, kjo pikëpamje ka problemet e veta sepse ‘miku’ nuk do të duhej të asocionte me serbët e Kosovës aq sa me Serbinë si shtet fqinj. Serbia mund të jetë mik, serbët e Kosovës do të duhej të shiheshin si pjesë përbërëse e shtëpisë. Por, kështu nuk ndodh. Shqiptarët e Kosovës nuk mbrojnë serbët. Ata mbrohen ende nga prania ndërkombëtare.

Përnjëmend, serbët janë vendosur në krye të vendit brenda jetës intitucionale në Kosovë. Ka vende të rezervuara – hap të cilin do ta mbështesja, po të mos ishte i imponuar – dhe Lista Serbe ka fituar rol vendimtar në krijimin e qeverive dhe në vendimet më të mëdha. Por, kjo imponueshmëri nuk shihet me sy të mirë dhe prandaj, nëse një ditë shqiptarëve njëmend iu lihet të vetëvendosin, gjërat mund të kthehen përmbys.

Nëse këto dhimbje të shtypura lihen kështu siç janë, një ditë mund të bëhen dhimbje shtypëse!

comments

SHARE