Dhuna nuk është rrugë drejt paqes

Çdo lloj dhune duhet të gjykohet dhe të dënohet pa marrë parasysh se prej kujt vjen dhe ndaj kujt është e drejtuar. Nëse e marrim gjendjen e shoqërisë dhe jetën pas konfliktit siç është në Kosovë, secili incident mund të sjellë deri te ngjarje katastrofike të cilat nuk i dëshiron asnjë prej nesh. Përveç kësaj, lehtë mund të prishet e tërë ajo që është bërë për një jetë të qetë dhe të përbashkët.

0
648

Gjatë disa javëve të fundit në Kosovë janë shënuar incidente të ndryshme dhe akte dhune të drejtuara ndaj komunitetit serb. Pa shpjegime se si, pse dhe kush po i shkakton këto incidente, lirisht mund të themi se qe një kohë të gjatë nuk e mbajmë në mend të ketë pasur një numër kaq të shpeshtë të incidenteve.

Duke filluar nga qershori i këtij viti, për herë të parë që nga viti 1998 është mbajtur liturgjia në tempullin e Krishtit Shpëtimtar në Prishtinë. Kjo kishë ka kohë që është objekt kontesti midis serbëve dhe shqiptarëve, kurse liturgjia e qershorit nuk shkaktoi asgjë tjetër pos edhe një kontest. Derisa Kisha Ortodokse Serbe me krenari bëri publik këtë lajm, kundërshtimi erdhi nga studentët e Universitetit të Prishtinës, e pasuan mandej edhe protesta. Vetëm një ditë pas liturgjisë, në hyrjen e kishës u shfaq mbishkrimi “Jezusi i urren serbët”. 

Me kalimin e ditëve, ndodhën edhe incidentet tjera të ndryshme të drejtuara kundër serbëve në Kosovë. Të përmendim vetëm rrahjen e djaloshit Nikola Perić, në fshatin Gojbulë, pranë Vushtrrisë, për të clin rast ende nuk dihet se kush është përgjegjës.  

Përveç të gjitha këtyre, edhe një rast shkaktoi stuhi si në opinionin publik serb ashtu edhe në atë kosovar. Bëhet fjalë për peticionin kundër Dragica Gašić-it, e cila është e kthyera e parë serbe në Gjakovë. Në fakt, pasi Dragica u kthye të jetojë në Gjakovë dhe vendosi të ndërmarrë një hap të madh dhe të jetë gruaja e parë serbe që do të kthehet në këtë vend, njëmbëdhjetë organizata joqeveritare nga Gjakova planifikojnë të dorëzojnë një peticion me të cilin kërkohet që ajo të shpërngulet nga Gjakova. Siç thuhet nga ana e këtyre organizatave joqeveritare, Gjakova nuk është e gatshme për të kthyerë serbë derisa të mos gjenden mbetjet mortore të atyre që janë vrarë në luftë. E tërë situata është përcjellur me vëmendje të madhe mediatike që e ka bërë situatën e Dragicës edhe më të rëndë.   

Në fund, ky dhe incidentet tjera që po ndodhin në Kosovë kanë shkaktuar edhe protesta të serbëve në Graçanicë dhe Mitrovicë. 

Kur i kthehemi të gjitha këtyre incidenteve që po ndodhin gjatë disa javëve të fundit, është vështirë të mos kthehesh në të kaluarën dhe të shtrojmë pyetje se çka na kanë sjellur më parë grupe të tilla të incidenteve. Nuk është aspak e këndshme të mendohet për to, por, për fat të keq, duhet ta bëjmë këtë që të mos i përsërisim të gjitha ato që na kanë ndodhur. Sa herë që ndonjë lloj dhune kundër cilitdo komunitet në Kosovë është përsëritur pandërprerë, na prisnin përshkallëzime edhe më të mëdha. Prandaj është me rëndësi që së bashku të rikujtojmë se çfarëdo lloj dhune nuk sjell asgjë të mirë, vetëm sa përshkallëzon edhe më tej në dhunë të re. Në lidhjet qëmoti të ndërprera midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, incidente të reja të dhunshme vetëm sa përkeqësojnë gjendjen aktuale edhe ashtu të vështirë dhe këto marrëdhënie jo të mira vetëm sa i thellojnë edhe më tepër.  

Në fund të ditës, çdo lloj dhune duhet të gjykohet dhe të dënohet pa marrë parasysh se prej kujt vjen dhe ndaj kujt është e drejtuar. Nëse e marrim gjendjen e shoqërisë dhe jetën pas konfliktit siç është në Kosovë, secili incident mund të sjellë deri te ngjarje katastrofike të cilat nuk i dëshiron asnjë prej nesh. Përveç kësaj, lehtë mund të prishet e tërë ajo që është bërë për një jetë të qetë dhe të përbashkët Për këtë arsye duhet të jemi të kujdesshëm para se të tregojmë me gisht kah dikush, para se të gjykojmë dikë kolektivisht, para se të fajësojmë dikë për të cilin nuk e dimë se është fajtor, para se, për shembull, të nënshkruajmë peticion për shpërnguljen e një personi e cila është vënë në shënjestër sepse është kthyer në qytetin e saj të lindjes. Duhet pak më shumë të brengosemi për njëri-tjetrin para se të na përçajnë dallimet dhe e kaluara. Duhet më shumë përpjekje që të mos na përsëritet e kaluara, edhe më shumë që të ndërtojmë jetën e përbashkët kurse dhuna sigurisht që nuk do të na sjellë asnjërën nga këto. Përkundrazi, vetëm mund të na kthejë prapa dhe të krijojë edhe një herë viktima të cilat, në fund të fundit, nuk janë fajtore për asgjë.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.  

SHARE