Dialogu, e vërteta e pajtimi nuk bëhen përngutshëm

Kuvendi i Kosovës së fundi e votoi një tjetër ekip negociator. Në krye janë dy njerëz që e konkurojnë seriozisht Thaçin për nga jopopullariteti: Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti. Me njē fjalë: negociatorët e Kosovës që do të shkojnë në Bruksel janë aq jopopullor e të pabesueshëm sa çfarëdo marrëveshje të arrijnë ajo nuk do të përkrahet.

0
168

Kosova e shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 bazuar në një set kompromisesh të dhimbshme të njohur si Paketa e Ahtisaarit. Serbia i kishte refuzuar edhe pse kishte qenë pjesë e negociatave për disa vite. Para se të shpallej pavarësia, dy shqiptarë të Kosovës u vranë për shkak të protestës që bënin kundër atyre kompromiseve. Pra, Kosova kishte pranuar e Serbia kishte refuzuar! Dhe e kaloi refuzimin pa therrë në këmbë.

Në vitin 2011 Kosova filloi sërish të negocionte me Serbinë. Shpallësi i pavarësisë dhe kryeministri i asaj kohe me emrin Hashim Thaçi e përsëriste pareshtur se ato do të ishin negociata “teknike”. Doli se po e rinegocionim Pavarësinë. Se duheshin kompromise tjera.

Në katër vitet e fundit, skena politike në Kosovë ka qenë mosvet e polarizuar! Nga e gjithë kjo e ka pësuar Hashim Thaçi vetë, duke e humbur thuajse krejtësisht popullaritetin e tij. Por ai vazhdonte të negocionte e të negocionte pa u lodhur. Duke thënë në mënyrë mekanike fjalë që s’thoshin asgjë.

Kuvendi i Kosovës së fundi e votoi një tjetër ekip negociator. Në krye janë dy njerëz që e konkurojnë seriozisht Thaçin për nga jopopullariteti: Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

Me njē fjalë: negociatorët e Kosovës që do të shkojnë në Bruksel janë aq jopopullor e të pabesueshëm sa çfarëdo marrëveshje të arrijnë ajo nuk do të përkrahet.

Nē anën tjetër, shumë procese po zhvillohen paralelisht për marrëveshjen finale me Serbinë. Një ndër to është ideja e shkëmbimit të territoreve. Ajo veç sa i jep të drejtë Serbisë që s’ishte lodhur duke thënë që Kosova e destabilizonte rajonin. Dhe po, korrigjimi i kufijve si pjesë e pavarësimit të Kosovës nga Serbia do ta destabilizonte e madje do të rrezikonte edhe nisjen e luftës në Bosnjë.

Një tjetër proces është edhe ai i Të Vërtetës dhe Pajtimit. Pas një takimi me një të përfshirë në këtë çështje mora vesh se edhe E Vërteta e Pajtimi mes komunitetit serb dhe atij shqiptar mbi krimet e luftës është pjesë e marrëveshjes finale. Me fjalë tjera, duke qenë se afati për marrëveshje është deri në maj, atëherë njerëzit me dhimbje do të duhet të pajtohen përngutshëm. E cekët. Farsë. Asgjë më shumë.

Kemi jetuar gjatë me idenë se gjërat janë në vijë. Se Brukseli apo Uashingtoni e kanë ndonjë plan. Ne e dinim se Thaçi s’ishte më shumë se një pazarxhi ordiner e analfabet funksional. Por tash e morëm vesh që gjërat janë po aq kaotike sa edhe dukeshin. 

S’do të ketë marrëveshje me Serbinë. Përfaqësuesit e kësaj të fundit ishin më të butë e të moderuar para një viti se sot. E tregojnë hapur se nuk janë të gatshëm për kompromise. Nuk janë të gatshëm të njohin Republikën e Kosovës.

Në anën tjetër, negociatorët jopopullorë të vendit, të përcjellur edhe nga njerëz jokompetentë përreth, janë në një qorrsokak. Në rast të një marrëveshjeje të mundshme e mosvet të dhimbshme, përplasjet qytetare do të ishin krejt të paevitueshme.

Prandaj, Kosovës i vyen legjitimitet qytetar. Kosovës i vyen përkrahje përmbajtësore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e fuqishme të Bashkimit Evropian. Më shumë se njohje nga Serbia, vendi ynë ka nevojë për një njohje të vërtetë nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë perëndimorë.

Sidoqoftë, nëse pa Serbinë nuk bën kurrqysh, atëherë vendit i vyen më shumë kohë. Dhjetë vitet e fundit prodhuan realitete fiksionale, dhe të gjitha proceset shtetndërtuese u prishën.

comments

SHARE