Dikush po e do dialogun, por jo Kosova e Serbia

Kandidatët për kryeministër në këto zgjedhje, Ramush Haradinaj, Vjosa Osmani, Kadri Veseli, Albin Kurti dhe Fatmir Limaj, po i shprehin qëndrimet e tyre dhe po japin ide, siç edhe kërkoi ambasadori Kosnett, mirëpo askush nuk po flet se kur dhe si do të rinisë dialogu. Dhe, duke qenë se zgjedhjet mbahen pas pak ditësh por krijimi i Qeverisë historikisht merr kohë, i bie që dialogu nuk mund të nisë para dhjetorit, në rastin më të mirë.

0
592

Ka gati një vit që kur Kosova e Serbia janë ngritur “vrullshëm” nga tavolina e dialogut dhe nuk kanë provuar më as të afrohen, pa çka se si njëra edhe tjetra shprehnin një gjoja gatishmëri për t’u ulur sërish.

Në njërën anë Serbia, që çdoherë nuk heziton të thotë se si “Kosova ka bllokuar dialogun përmes taksës”, ndërkohë në anën tjetër Kosova, duke akuzuar palën tjetër për “minim të dialogut përmes fushatave kundër shtetësisë”. Mirëpo, pas këtyre fjalëve,  të dy palët nuk hezitojnë të thonë se “janë të gatshëm të rikthehen në dialog”.

Por duket se asgjë nuk është e sinqertë këtu. Palës kosovare nuk i konvenonte muajt e fundit të rifillonte dialogu për shkak se ndihej aroma e zgjedhjeve, ndërkohë që palës serbe as që i bëhet vonë – ata e kanë thënë se çështja e Kosovës është agjendë në të cilën Serbia po është nën presion.

E në këtë mes, ani pse direkt preket tjetër kush, për dialog po shqetësohen vetëm ndërkombëtarët, e në veçanti SHBA. Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, shumë shpesh e përmend nevojën e përqëndrimit në dialog, të cilën çështje e konsideron si më të rëndësishme aktualisht. Bile, këtë gjë e bëri edhe në ditën kur u shpërnda Kuvendi i Kosovës, duke u sugjeruar kandidatëve që të ofrojnë ide të reja mbi bisedimet me Serbinë.

“Kuvendi ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një qeverie të re. Një fushatë në të cilën kandidatët ofrojnë ide të reja mbi bisedimet me Serbinë, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik do të siguronin që Kosova të mos humbasë edhe më shumë kohë në ndërtimin e një themeli për të ardhmen”, tha ambasadori amerikan Kosnett.

Kandidatët për kryeministër në këto zgjedhje, Ramush Haradinaj, Vjosa Osmani, Kadri Veseli, Albin Kurti dhe Fatmir Limaj, po i shprehin qëndrimet e tyre dhe po japin ide, siç edhe kërkoi ambasadori Kosnett, mirëpo askush nuk po flet se kur dhe si do të rinisë dialogu.

Dhe, duke qenë se zgjedhjet mbahen pas pak ditësh por krijimi i Qeverisë historikisht merr kohë, i bie që dialogu nuk mund të nisë para dhjetorit, në rastin më të mirë.

E kjo gjë, duhet thënë se bie sërish mbi kurrizin e kosovarëve, të cilët duket se nuk do të përfitojnë liberalizimin e vizave pa u mbyllur edhe kapitulli me Serbinë.