Disfata e politikës së panjohur 

Kur u nënshkrua marrëveshja për Bashkësinë e komunave serbe, kryeministri i atëhershëm, presidenti i sotëm, deklaroi që më në fund erdhi koha që populli serb të festojë sepse kjo marrëveshje do t’i sjellë vetëm të mira popullit serb që jeton në Kosovë. Tri vite më pas, presidenti Vučić deklaron se që nga fillimi e ka ditur se shqiptarët nuk do ta respektojnë marrëveshjen për Bashkësinë dhe kjo është në fakt arsyeja përse po negociohet një zgjidhje e re, sipas të gjitha gjasave duke aluduar në shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.


0
114

Në fund të shtatorit të këtij viti, gjatë seancës së Këshillit Drejtues të Partisë Përparimtare  Serbe (SNS), presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, deklaroi se politika e tij në Kosovë ka pësuar disfatë. Po ta mendojmë pak më mirë, ky ishte një moment logjik që të shtrojmë pyetjen se për çfarë politike bëhet fjalë, sepse nuk është bërë aspak e qartë se cili është qëndrimi i presidentit serb sa i përket Kosovës.

Por, ndoshta nuk do të ishte keq që të fillojmë me rend me një përmbledhje të politikës së presidentit ndaj Kosovës në mënyrë që, eventualisht, të marrim përgjigje në pyetjen se cila është ajo politikë që pësoi disfatë. Kur u nënshkrua marrëveshja për Bashkësinë e komunave serbe, kryeministri i atëhershëm, presidenti i sotëm, deklaroi që më në fund erdhi koha që populli serb të festojë sepse kjo marrëveshje do t’i sjellë vetëm të mira popullit serb që jeton në Kosovë. Tri vite më pas, presidenti Vučić deklaron se që nga fillimi e ka ditur se shqiptarët nuk do ta respektojnë marrëveshjen për Bashkësinë dhe kjo është në fakt arsyeja përse po negociohet një zgjidhje e re, sipas të gjitha gjasave duke aluduar në shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë. Pra, nëse bëhet fjalë për politikën e cila çoi deri tek krijimi i Bashkësisë së komunave serbe, atëherë ajo nuk ka pësuar disfatë, sepse ashtu siç e theksoi edhe vetë presidenti, që nga fillimi e ka ditur që ajo do të jetë e pasuksesshme. 

Një gjë tjetër të cilën presidenti Vučić me këmbëngulje e plason është paqja midis serbëve dhe shqiptarëve. Edhepse në mënyrë konstante e imponon temën e pajtimit, fitohet përshtypja se as ajo politikë nuk është e mposhtur. Jo se serbët dhe shqiptarët janë në rrugë të mirë drejt pajtimit, por për shkak se vetë presidenti, si dhe përfaqësuesit e tjerë të Qeverisë së Serbisë në mënyrë konstante bëjnë gjëra që shpiejnë ngado vetëm jo kah pajtimi. Le të rikujtojmë vetëm trenin me freska, ndërtimin e murit në Mitrovicë, hyrjet e paligjshme në Kosovë, madhërimin e Milošević-it dhe gjëra të ngjashme që çojnë gjithkah vetëm jo kah pajtimi. Pra, as kjo politikë nuk ështe mposhtur, sepse kurrë as që ishte krijuar. 

Kur e mendojmë më mirë këtë, ndoshta prapëseprapë është ajo politika e një jete më të mirë për serbët në Kosovë. Për gjithë këtë kohë, serbët u integruan gjithnjë e më shumë në institucionet e Kosovës pa vullnetin e tyre vetjak, por sipas udhëzimeve të politikanëve serbë. Megjithëse përkufizimi i një jete më të mirë për serbët e Kosovës nuk është i njëjtë për presidentin dhe serbët që jetojnë në Kosovë, është e qartë se as kjo politikë nuk është e cenuar.

Atëherë mbetet pyetja, cila është ajo politikë që pësoi disfatë? Kjo mbeti pa u shpjeguar, sepse ose të gjitha janë mposhtur, nëse i pyetni serbët që jetojnë në Kosovë, ose asnjë e vetme prej tyre, nëse këtë e shikojmë nga këndvështrimi i presidentit të Serbisë. Se cila ishte ajo që synonte ai, kjo është ende e paqartë. E vetmja gjë që më vjen në mend është situata politike e cila pasoi disa ditë pas kësaj deklarate të Vučić-it, e kjo është gjithsesi demonstrimi i forcës në veri nga ana e Presidentit të Kosovës, Thaçit. Është e mundur që kjo është disfata të cilën e paralajmëroi presidenti serb, për herë të parë dikush po bën një shou në veri të Kosovës e që nuk është ai apo dikush nga partia e tij. A është ky vetëm një spekulim, përshtypja ime apo diçka tjetër mbetet për t’u parë kur presidenti ndoshta edhe të na e zbulojë njëherë se cila është ajo politikë ndaj Kosovës që ka pësuar disfatë.

comments

SHARE