Disfatë e të gjithëve

Përshtypja ime është se në këtë proces po humbet shans pas shansi, e pyetja është se sa do të paraqiten ato sërish. Historia na mëson që çdo shtyrje e zgjidhjes i sjellë pjesëmarrësit në proces në një situatë edhe më të vështirë, e kështu vetë procesi mund të vijë deri tek pika prej së cilës nuk ka kthim. Çka do të thoshte kjo për njerëzit në këtë hapësirë, është e tepërt edhe të flitet për këtë.

0
69

Negociatat midis Serbisë dhe Kosovës për marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve janë ndërprerë tashmë tetë muaj. Serbia insiston se nuk do t’i vazhdojë negociatat derisa Kosova të mos i heq “taksat” prej 100% mbi importin e mallrave nga Serbia, derisa Kosova insiston që taksat të mbeten në fuqi derisa Serbia të mos e pranojë pavarësinë e Kosovës. Të dyja palët kanë marrë pozicione maksimaliste dhe për momentin nuk zmbrapsen   prej tyre. 

Në mënyrë që gjërat të lëvizin nga pika e vdekur, Angela Merkel dhe Emanuel Macron thirrën një mbledhje në Berlin e cila pati si qëllim që gjërat të nisen në një drejtim pozitiv dhe që në një mënyrë të mirret iniciativa në ndërmjetësimin midis Serbisë dhe Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, i cili për momentin  nuk ka kapacitete që procesin ta kthejë në rrugën e duhur. Problemi i Bashkimit Evropian momentalisht, përveç humbjes së caktuar të  kredibilitetit të Federica Mogherinit, është edhe fakti që janë mbajtur zgjedhjet evropiane dhe në zhvillim e sipër është procesi i formimit të përbërjeve të reja të institucioneve evropiane. Në këtë kuptim, nisma e kancelares gjermane dhe presidentit francez mund të konsiderohet e arsyeshme dhe pozitive. Gjithashtu, gjë e rëndësishme lidhur me këtë është edhe ajo që dy liderët e shteteve më të fuqishme evropiane po e investojnë autoritetin e vet për arritjen e kësaj marrëveshjeje. 

Mirëpo, mbledhja në Berlin u mbajt, e rezultatet konkrete munguan. Autoriteti i dy liderëve nuk qe i mjaftueshëm që gjërat të ndryshojnë, kështu që Serbia edhe më tutje nuk dëshiron të vazhdojë dialogun para heqjes së taksës, derisa Kosova përsëriti edhe një herë se këtë nuk do ta bëjë derisa nuk do ta marrë njohjen nga Serbia. Thirrjet e hapura të zyrtarëve perëndimor drejtuar Kosovës që ta bëjë këtë nuk dhanë rezultate, por as sjellja e Kosovës në këtë rast nuk solli kurrfarë sanksionesh. I vetmi rezultat i mbledhjes së Berlinit ishte dakordimi për mbledhjen e re në Paris për 1 korrik 2019, deri kur do të duhej të kryheshin përgatitjet dhe prej të cilit në fakt është pritur ndonjë rezultat konkret e i prekshëm.  

Pritjet nga mbledhja e Parisit kanë qenë të mëdha, por mbetën të paplotësuara edhe kësaj here. Mbledhja u anulua. Është e qartë se nuk është në interes të dikujt që gjërat në këtë moment të lëvizin në një kah pozitiv. Arsyet e mundshme janë ato se nuk është në interes të Serbisë që të shkohet tutje me procesin sepse tani për tani ajo nuk di çka mund të presë pas planit qartazi të shpartalluar për caktimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve. Pushteti në atë rast nuk do të kishte çka të paraqiste si fitore dhe si diçka që i garanton mbetjen në pushtet edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes eventuale me Kosovën, e ky është në të vërtetë qëllim mbi të gjitha qëllimet, le të mos e gënjejmë njëri-tjetrin.  Sa i përket Kosovës, situata është edhe për një nuancë më e komplikuar duke pasur parasysh mosmarrëveshjen brenda vetë pushtetit kosovar për metodat, por edhe për drejtimin e negociatave. E vetmja gjë që është e padyshimtë është se dëshirohet njohje e plotë e pavarësisë së Kosovës. Për Ramush Haradinajn sigurisht nuk është në interes që çdo gjë të lëviz në drejtim pozitiv për dialog, sepse ky do të ishte një drejtim negativ për rejtingun e tij personal, i cili është përmirësuar mjaft falë qëndrimit të fortë ndaj Serbisë dhe refuzimit të heqjes së taksës përkundër të gjitha thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo i sjell atij një pozitë shumë të mirë në zgjedhje të ardhshme, e ky është, edhe një herë, qëllim mbi të gjitha qëllimet.

Sido që të jetë, përshtypja ime është se në këtë proces po humbet shans pas shansi, e pyetja është se sa do të paraqiten ato sërish. Historia na mëson që çdo shtyrje e zgjidhjes i sjellë pjesëmarrësit në proces në një situatë edhe më të vështirë, e kështu vetë procesi mund të vijë deri tek pika prej së cilës nuk ka kthim. Çka do të thoshte kjo për njerëzit në këtë hapësirë, është e tepërt edhe të flitet për këtë.

E sa i përket iniciatorëve të këtyre mbledhjeve, Merkelës dhe Makronit… besoj që egoja e tyre është goditur mjaft me një zhvillim të tillë të situatës dhe besoj që nuk u ka ardhur aspak mirë për këtë. E kjo gjithmonë ka ndonjë pasojë. 

SHARE