Diskutimi për kufijtë zbeh cilësinë e normalizimit të marrëdhënieve në të ardhmen

Epilogu i bisedimeve rreth një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë i paqartë, duke bërë që të zbehet besimi se mund të arrihet deri tek normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes dy vendeve. Kjo u konfirmua edhe në konferencën më të madhe rajonale, Forumi i Sigurisë në Beograd (Belgrade Security Forum), të mbajtur javën e kaluar, ku ndër temat qendrore ka qenë e ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi.

0
79

Shtatë vitet e dialogut, që nisi si teknik e më vonë u shndërrua në politik, nuk kanë përmbushur pritjet. Kjo është pranuar edhe nga zyrtarët e lartë të Serbisë, të cilët tani nuk e përjashtojnë asnjë opsion që do t’i jepte fund “status quos”, përfshirë atë për shkëmbim të territoreve. Por kjo ide është kundërshtuar nga diplomatë ndërkombëtarë për shkak të frikës se ndryshimi i kufijve mund ta cenojë situatën e sigurisë në rajon.

Presidenti serb, Aleksandar Vučić, foli për kompromiset e dhimbshme që kërkohen në këtë proces, megjithëse nuk tregoi se cilat do të jenë ato.

“Nuk pranoj asgjë përderisa nuk pranojmë gjithçka në bisedim. Ka shumë kompromise të dhimbshme, por nuk do t’i përmendi. Do të flasim për të gjitha temat që mund të na dërgojnë deri te zgjidhja përfundimtare”, tha Vučić, i cili pranoi se kanë dallime të mëdha me politikanët nga Prishtina. Sipas Vučić-it, mosthemelimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, i ka hapur rrugë opsioneve tjera.

“Kjo është arsyeja pse një ‘kompromis i dhimbshëm’ për serbët dhe shqiptarët duhet të negociohet tani”, shtoi Vučić, duke mos dashur të tregojë se çfarë nënkupton kjo zgjidhje kompromisi.

Për ndryshim kufijsh avokuan edhe politikanët tjerë nga Beogradi. Drejtori i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Đurić është kthyer në vitin 2008, për të argumentuar zgjidhjet që mund të diskutohen. Duke iu referuar shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Đurić tha se tani askush nuk duhet të ankohet për hapjen e “Kutisë së Pandorës”.

“Nëse territori dhe statusi i Kosovës nuk janë thelbësore për çështjet e pazgjidhura, pse atëherë në vitin 2008, një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare qëndroi pikërisht pas idesë për ndryshimin e kufijve dhe marrjen e një pjese të caktuar të territorit nga Serbia”, u shpreh Đurić gjatë një diskutimi të përbashkët, ku panelistë ishin edhe politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova.

Por deputeti i Parlamentit të Kosovës, Ilir Deda, i quajti të rrezikshme idetë të cilat në të kaluarën kanë shkaktuar tragjedi e luftëra në Ballkan.

“Kam besim se Kosova dhe Serbia mund të arrijnë marrëveshje e cila nuk bazohet në ndryshim të kufijve sipas kriterit etnik dhe kjo mund të bëhet nëse ka lidership të zgjuar që flet me popullin brenda”, tha Deda, i cili kritikoi mënyrën si është dialoguar deri më tani, duke mos i kontribuar pajtimit dhe normalizimit të marrëdhënieve.

Deda është deputet i Alternativës, që vepron si grup i pavarur në Kuvendin e Kosovës. Ideja e shkëmbimit të territoreve është kundërshtuar edhe nga pjesa tjetër e opozitës, si dhe partitë në pushtet. Megjithatë institucioni ligjvënës deri më tani ka dështuar të miratojë një Platformë të përbashkët për dialogun, pasi presidenti Thaçi institucionalizoi kërkesën e përfaqësueseve të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit për bashkëngjitje me Kosovën. Thaçi ka shpeshtuar edhe paraqitjet publike duke promovuar idenë e tij për korrigjim të kufijve me Serbinë, por refuzon të tregojë se cili është kufiri i kompromisit që mund ta bëjë Kosova, në këmbim të njohjes nga Serbia.

Qëndrimi neutral amerikan dhe kundërshtimi gjerman

Qëndrimi kundërshtues i shteteve të Bashkimit Evropian, që nuk e përkrahin prekjen e kufijve, u përsërit edhe në Beograd. Një rezultat të preferuar në fazën finale nuk e kanë as Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Matthew Palmer, zëvendës ndihmës sekretari i departament amerikan, nga Beogradi tha se ata nuk avokojnë për ndonjë opsion, në dialogun Kosovë-Serbi, por vetëm inkurajojnë palët që të arrijnë deri tek kompromisi.   

“Ne nuk ofrojmë asnjë formulë dhe nuk jemi duke shtyrë ndonjë ide apo zgjidhje të veçantë. Ne po përpiqemi t’i inkurajojmë palët që të marrin në pronësi procesin dhe të gjejnë rrugën e përbashkët e cila mund të përqafohet nga qytetarët e të dyja vendeve”, tha Palmer.

Kur është pyetur për idenë e shkëmbimit të mundshëm të territoreve, Palmer ka shtuar se është e vështirë të flitet për një plan që nuk ekziston. Por, ka paralajmëruar se nuk do të jenë mospërfillës karshi shqetësimeve se ndryshimi i kufijve do të mund të shkaktonte pasoja diku tjetër.

Edhe ambasadori SHBA-së në Beograd, Kyle Scott, ka mohuar se shteti që përfaqëson është në favor të rregullimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, SHBA nuk janë domosdoshmërisht në favor, “por përkundrazi janë në mbështetje të ofrimit të hapësirës ku udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës mund të arrijnë një marrëveshje”. Ai ka shtuar se janë të vetëdijshëm për rreziqet potenciale që bart shkëmbimi, por gjithashtu ka theksuar se as “status quo” nuk është e qëndrueshme. 

Kategorike kundër shkëmbimit të territoreve është Gjermania, qëndrim të cilin e ka përsëritur në Beograd ambasadori Thomas  Schieb si dhe Shefja e Divizionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme, Sabine Stöhr.

“Gjermania nuk mendon se është e mirë ideja e shtruar nga elitat politike në Prishtinë dhe Beograd, që flasin për ‘shkëmbim të territoreve’, dhe rivizatim të kufijve përgjatë vijave etnike”, thotë Schieb.

Derisa i është përgjigjur ankesave të Marko Đurić-it se pala kosovare nuk po e përmbush obligimin për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, diplomatja gjermane Schieb ka thënë se për këtë nuk është i interesuar as Beogradi.

“Nuk kemi diskutuar për Asociacionin/Bashkësinë, sepse na është thënë se tani territori dhe statusi janë zgjidhja”, ka deklaruar Stöhr.

Një rol më aktiv në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kërkuar edhe nga Shoqëria Civile.

Agon Maliqi është politolog dhe themelues i Platformës Sbunker. Mbylljen e hesapeve me Serbinë, ai e konsideron të rëndësishme megjithëse është skeptik se kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt.

“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme por se rreziku për sigurinë dhe demokracinë rajonale është shumë i lartë nëse shtyhet zhbllokimi i rrugës sonë për në Bashkim Evropian dhe OKB. Korrigjimi i kufijve nuk është opsion i preferuar i Kosovës dhe kufiri i kompromiseve tashmë është arritur me Pakon e Ahtisaarit”, thotë ai.

E vërteta për luftën dhe pajtimi

Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi dhe pavarësisht iniciativave të ndryshme, pajtimi brenda shoqërive dhe komuniteteve mbetet një  sfidë.

Denisa Kostovicova, profesoreshë e Shkencave Politike në Departamentin e Qeverisjes në Fakultetin e Ekonomisë (LSE), Londër, foli për rezultatet e një ankete sipas të cilës në shumë raste të rinjtë janë shfaqur më nacionalistë sesa prindërit e tyre. Sipas saj, kur të rinjtë bashkohen në iniciativa të ndryshme, përfundojnë duke bërë diçka që mund të konsiderohet si “pajtim i fshehtë”.

“Hulumtimet tregojnë se kur njerëzit takohen në nivel rajonal, ata priren të përqendrohen më shumë në dialogun për paqen, drejtësinë dhe pajtimin sesa kur ata takohen në nivel lokal ose global”, thotë Kostovicova. Ajo po ashtu ka folur për domosdoshmërinë që të kërkohet mbështetje institucionale për të arritur tek e vërteta dhe pajtimi.

“Duhet të rishqyrtojmë një lloj mbështetjeje më të qartë nga ana e BE-së për procesin e KOMRA-së, sepse është e qartë se kur diçka arrihet në nivelin e shoqërisë civile, lypset mbështetje edhe në nivelet tjera”, shton ajo.

Por a ekziston një mënyrë alternative për rajonin që të arrijë përparim substancial në çështjen e pajtimit, nëse procesi i KOMRA-s dështon? Sipas Kostovicovas, nismat e drejtësisë tranzicionale kurrë nuk mund të reduktohen në një lloj dhe gjithmonë duhet të ndodhin në disa fronte.

“Është shumë e rëndësishme të theksohet se ka organizata të shoqërisë civile që kanë regjistruar faktet e krimeve të luftës. Megjithatë, kjo është arsyeja përse KOMRA insiston që ky të jetë një proces ndërshtetëror. Vetëm involvimi i shtetit mund t’u japë legjitimitet këtyre fakteve”, kujton ajo.

Procesi i KOMRA-s  ka nisur si debat  mbi instrumentet për zbulimin dhe gjetjen e të vërtetës për të kaluarën, në maj të vitit 2006, në Forumin e Parë Rajonal për drejtësi tranzicionale, organizuar nga Fondi  për të Drejtën Humanitare (Serbi), Qendra për Hulumtim dhe Dokumentim (BeH) dhe Documenta (Kroaci). Pjesëmarrësit, përfaqësuesë të OJQ-ve dhe shoqatave të familjeve të personave të zhdukur dhe viktimave nga vendet post-jugosllave i dhanë përparësi qasjes rajonale për ballafaqimin me të kaluarën.

Pas procesit konsultativ filloi faza e dytë e procesit – institucionalizimi i Nismës për KOMRA. Kjo fazë është transferimi i Nismës për KOMRA nga niveli i  shoqërisë civile në nivel politik –  në domen institucional.

Mbështetja u konfirmua nga presidentët e Serbisë, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë dhe anëtari boshnjak i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës. Ata gjithashtu mbështetën strategjinë e Koalicionit për KOMRA që çështja e themelimit të KOMRA-s të konsiderohet në kuadër të Procesit të Berlinit. Për vetëm disa ditë në maj të vitit 2017, 50.000 qytetarë të Sarajevës, Banja Llukës, Prishtinës, Zagrebit dhe Beogradit nënshkruan një peticion për marrëveshjen e liderëve të vendeve post-jugosllave për themelimin e KOMRA-s, në kuadër të procesit të Berlinit.

comments

SHARE