Dita nis me marrëveshje

Në orët e para të ditës së sotme në Bruksel, Prishtina dhe Beogradi nënshkruan një marrëveshje mbi drejtësinë dhe gjyqësinë në Kosovë. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Serbisë Aleksandar Vučić “finalizuan” këtë marrëveshje në takimin e ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini që shënoi edhe rifillimin e dialogut të nivelit të lartë mbi normalizimin e marrëdhënieve.

0
479

Në orët e para të ditës së sotme në Bruksel, Prishtina dhe Beogradi nënshkruan një marrëveshje mbi drejtësinë dhe gjyqësinë në Kosovë. Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Serbisë Aleksandar Vučić “finalizuan” këtë marrëveshje në takimin e ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini që shënoi edhe rifillimin e dialogut të nivelit të lartë mbi normalizimin e marrëdhënieve.

Në një deklaratë pas takimit, Përfaqësuesja e BE-së Mogherini tha se me nënshkrimin e saj, të dy kryeministrat “mbyllën kështu një kapitull kritik të implementimit të Marrëveshjes së Brukselit që do të përmirësojë në mënyrë të konsiderueshme jetën e njerëzve në terren.”

Rreth përmbajtjes së marrëveshjes nuk u dhanë fare hollësi, por kryeministri Vučić citohet të ketë thënë për media pas takimit se “kjo marrëveshje siguron pjesëmarrjen e gjykatësve serb në veri të Kosovës.” Sipas tij, “raporti i gjykatësve serb dhe shqiptarë në Mitrovicën jugore do të jetë 14 me 11 në favor të shqiptarëve, derisa kryetari i Gjykatës në Mitrovicën veriore do të jetë serb.” Ai shtoi se në gjykatë do të punojnë numër i barabartë i prokurorëve serb dhe shqiptarë, 9 me 9, dhe se Gjykata e Mitrovicës do të ketë degë edhe në Zubin Potok dhe Leposaviq.

Mogherini shtoi se Mustafa dhe Vučić kishin diskutuar edhe “për spektrin e plotë të çështjeve në këtë dialog dhe kishin bërë vlerësimin e punës së mbetur.

“Dy kryeministrat këmbyen pikëpamjet për rrugën përpara dhe konfirmuan përkushtimin e tyre për të vazhduar progresin në normalizimin e marrëdhënieve.”

“Kryeministri Mustafa and Kryeministri Vučić ranë dakord që të bashkëpunojnë për të zgjidhur shqetësimet aktuale në rajon, mes të cilave edhe problemin akut të migrimit të jashtëligjshëm nga Kosova.”

Mogherini tha se i kishte “shprehur mbështetjen dy kryeministrave për progres të mëtejshëm në rruget e tyre respektive drejt BE-së.”

Në njoftimet në media pas takimit, z. Mustafa citohet të ketë thënë se marrëveshja për gjyqësinë është me rëndësi për Kosovën sepse “siguron sistem unik të gjyqësisë në tërë Kosovën”. Ndërsa z. Vučić citohet të ketë thënë se “bisedimet kanë qenë të vështira, por mendoj se kemi nxjerrë maksimumin në rrethanat e caktuara”.

Nuk është caktuar ndonjë datë për takimin e radhës por në deklaratën e Përfaqësueses së Lartë, Mogherini, thuhet se grupet e punës do të rifillojnë angazhimin e tyre për të çuar përpara punën rreth implementimit.

SHARE