Djegia “misterioze” e veturave të zyrtarëve të Graçanicës

Djegia e veturave të zyrtarëve të komunës së Graçanicës si dhe mesazhet kërcënuese ndaj zyrtarëve komunalë kanë mbetur ende të pazbardhura nga Policia e Kosovës, e cila megjithatë ka thënë se i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për t’i sjellë fajtorët para drejtësisë. Por zyrtarë komunalë janë ankuar se Policia e Kosovës është treguar e ngathët në zbardhjen e këtyre incidenteve.

0
516

Veturat e zyrtarëve të Komunës së Graçanicës disa herë kanë qenë cak i zjarrvënieve, të cilat deri më tani kanë mbetur të pazbardhura nga Policia e Kosovës. Megjithëse nuk janë gjetur ende autorët e djegies së veturave të zyrtarëve të kësaj komune dhe policia është në vazhdim të hetimeve, zyrtarë të komunës së Graçanicës, që udhëhiqet nga Lista Serbe, ngrenë dyshime se kjo po bëhet me qëllim të frikësimit të punonjësve për shkak të punës së tyre.

Në shkurt të vitit 2016 ishte raportuar djegia e veturës së përfaqësuesit ligjor të komunës së Graçanicës, Negovan Šaranović, në parkingun e qytetit. Ndërhyrja e shpejtë e rojës së sigurisë kishte bërë që zjarri të shuhet duke parandaluar shkaktimin e dëmeve më të mëdha. Për shkak të largësisë, roja nuk kishte arritur të identifikojë personat dhe as targat e automjetit, që dyshohet se kanë qenë afër kur ka ndodhur zjarri. Me ndihmën e tri pajisjeve të zjarrit, roja ia kishte dalë të shuajë zjarrin para se në vendin e ngjarjes të vijnë ekipet e zjarrfikësve dhe policia. Përveç tyre, tek parkingu kishin dalë edhe kryetari i komunës së Graçanicës, Vladeta Kostić,si dhe zëvendëskryeministri, Branimir Stojanović.

Kjo ka qenë hera e tretë që u janë djegur veturat zyrtarëve komunalë dhe ka pasur ankesa drejtuar Policisë së Kosovës për mosveprim në zbulimin e zjarrvënësve.

Sekulić: Përgjigje e Policisë gjithmonë e njëjtë- hetimet vazhdojnë

Zyrtar të komunës së Graçanicës kanë thënë se që nga shkurti i vitit 2016 nuk kanë marrë ndonjë lajm nga policia për rastin. Drejtori i Administratës së Komunës, Saša Sekulić ka thënë për “New Perspektiva” se nuk posedojnë informata përkitazi me hetimet e mëtejme. Ai ka dhënë arsyet e tij se pse vlerësojnë që Policia e Kosovës nuk po arrin t’i zbulojë autorët e këtyre sulmeve.

“Në lidhje me ankesat në Policinë e Kosovës për shkak të veprimeve të tyre të ngadalshme pas djegies së pronës së luajtshme të zyrtarëve komunalë, si dhe veprave tjera penale në territorin e komunës sonë, më lejoni t’ju njoftoj se ata mbajtën një debat publik në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë me përfaqësuesë të policisë së Kosovës dhe banorët lokalë. Prej aty u kërkua publikisht që të gjitha rastet të zgjidhen sa më shpejt që të jetë e mundur, autorët e veprave penale të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë”, thotë Sekulić. ”Megjithatë, si shumë herë më parë, përgjigja nga Policia e Kosovës ka qenë gjithmonë identike, në kuptimin se hetimet janë duke vazhduar”, ka shtuar ai.

Zyrtari nga Graçanica thotë se nuk mund ta drejtojnë gishtin tek ndonjë i dyshuar ose t’i dinë arsyet e vërteta. “Sa i përket qëllimit të hetimit dhe inicimit të rasteve, ne nuk mund të zbulojmë fakte të tilla, kështu që për këtë duhet t’i drejtoheni policisë së Kosovës, të cilët duhet të kenë më shumë informata mbi këtë çështje”, ka theksuar Sekulić.

Policia thotë se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Prishtinë ka thënë se konform autorizimeve të saja, në koordinim të plotë me Prokurorin e shtetit, kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe ato operative në funksion të zbulimit dhe ndriçimit të rastit. Sa u përket kritikave të zyrtarëve të Graçanicës për mungesë veprimesh në zbulimin e zjarrvënësve, policia ka insistuar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet që i përkasin punës policore.

“Në këtë kontekst  të gjitha palët e përfshira në rast, viktimat, dëshmitarët, të dyshuarit e supozuar qoftë nga të dëmtuarit apo si rezultat i rrethanave preliminare të hetimit janë intervistuar nga ana e policisë. Për më shumë një varg veprimesh operative, taktiko-teknike, ekzaminime specifike forenzike të vendit të ngjarjes si dhe veprime të tjera duke përfshirë edhe marrjen e  të gjitha pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë përreth vendngjarjes, janë kryer nga ana e policisë”, thuhet në përgjigjen e Policisë dërguar për “New Perspektiva” përmes postës elektronike.

“Prandaj perceptimi i dikujt nga jashtë harkut hetimor mund të jetë i ndryshëm nga veprimet që realisht i ka ndërmarrë policia”, shkruan më tej aty.  Përkundër këtyre veprimeve, sipas policisë, deri më tani nuk ka ndonjë të arrestuar.

Mesazhe kërcënuese për zyrtarët e Graçanicës

Para këtij rasti, më herët ishte djegur makina e drejtorit të Spitalit Rajonal të komunës së Graçanicës, Nebojša Milovanović. Zyrtarët e komunës së Graçanicës, thonë se janë përballë edhe me kërcënime tjera gjatë punë së tyre, veçmas pasi kjo komunë ka nisur së trajtuari problemin e uzurpimeve.

“Kërcënime në formën e mesazheve-SMS u janë drejtuar Zyrtarëve të Graçanicës me anë të telefonit celular. Por nuk janë identifikuar ende autorët, ose, të paktën, nuk e kanë informuar udhëheqjen e Graçanicës”, ka thënë drejtori i Administratës së Komunës, Sekulić.

Sipas tij, çdo gjë ka ndodhur në kohën kur ka nisur procedura kundër disa personave në lidhje me banesat në Badovcin e Ri dhe në Padalishtë. “Disa herë Policia e Kosovës është informuar në lidhje me këto raste, megjithatë, deri më tani nuk kemi asnjë informacion në lidhje me fillimin e mundshëm të procedurave dhe sqarimeve të përmendura për krimet e lartpërmendura”, ka shtuar Sekulić.

Në lidhje me mesazhet kërcënuese, Policia e Kosovës thotë se nuk i ka neglizhuar asnjëherë.

“Në të gjitha rastet që paraqiten në polici si edhe për rastet konkrete për të cilat pretendoni policia asnjëherë nuk neglizhon asnjë nga elementet që do t’i kontribuonin identifikimit të të dyshuarve dhe ndriçimit të rastit. Kjo mbase është e ndërlidhur ngushtësisht me rrethanat në të cilat është kryer vepra. Në disa raste identifikimi është më i shpejtë e në disa kërkon kohë më shumë”, thuhet në përgjigjen e policisë së Kosovës.

comments

SHARE