Donacioni famoz

Është e qartë që Beogradi nuk i beson Prishtinës e as Prishtina Beogradit, por tani është koha për vepra të mira, koha që të bëhet gjithçka që të mposhtet „armiku i padukshëm“. Ky rrezik mund të na bashkojë bile për një moment, që të funksionojmë sikur e tërë bota normale. Nëse kemi dhënë jetë në luftë, nuk kemi  nevojë ta bëjmë këtë në paqe. 

0
99

Në këto kohë të vështira kur bota po përpiqet që të përballet me pandeminë  (COVID-19), e cila po merr me mijëra jetë në ditë, popujt e vegjël nuk po munden pa politikë. Në të vërtetë, Serbia i dhuroi Kosovës 1000 teste për detektimin e infektimit me korona virus. Ky ishte senzacion i vërtetë, askush nuk e priste këtë; i befasoi qytetarët e Serbisë, botën, e në veçanti kombin shqiptar në Kosovë. Për rëndësinë e këtij akti flet edhe fakti se lajmi u publikua në shumë media vendore e të huaja, midis të cilave ishin edhe The New York Times dhe Reuters i Londrës.

Donacioni në Prishtinë u prit me thikë nga ana e opozitës. Pasuan kritika, madje edhe peticion që të refuzohet kjo ndihmë. Duket se kjo ndihmë nuk është edhe gjithaq e mirëseardhur për një pjesë të popullatës së Kosovës.  Me qejf do ta kishin refuzuar, duke mos u brengosur për njerëzit që varen nga ajo ndihmë. Vepra humanitare nga ana e Serbisë e cila tregon solidaritetin në momente të vështira mund të interpretohet në shumë mënyra. Mund të kuptohet si 1) diçka që t’i tregohet botës se Serbia është e gatshme t’i ndihmojë madje edhe një populli me të cilin ka bërë luftë, 2) futje e gishtit në sy të opozitës kosovare ashtu që të krijohet një përçarje midis politikanëve të Prishtinës, 3) mbledhje e poenave politikë tek SHBA dhe BE-ja, për ndonjë shërbim gjatë negociatave të mëtutjeshme me Prishtinën, 4) paravan për veprime politike të cilat do të ndodhin në të ardhmen. Ekzistojnë shumë teori të cilat janë të ndërlidhura me këtë donacion. Nëse nuk i marrim parasysh këto teori, ky akt do të sjellë vetëm dobi, që është më e rëndësishmja. 

Është e qartë që Beogradi nuk i beson Prishtinës e as Prishtina Beogradit, por tani është koha për vepra të mira, koha që të bëhet gjithçka që të mposhtet „armiku i padukshëm“. Ky rrezik mund të na bashkojë bile për një moment, që të funksionojmë sikur e tërë bota normale. Nëse kemi dhënë jetë në luftë, nuk kemi  nevojë ta bëjmë këtë në paqe. Nuk do të doja ta shoh në Kosovë apo në Serbi një situatë sikur në Itali, Spanjë apo SHBA. Që kjo të mos ndodhë, kemi nevojë vetëm për mendje të shëndoshë, solidaritet. Është gjë e mirë që mendje të shëndoshë ka tek ata të cilët janë të gatshëm t’i shkelin edhe parimet e tyre politike për një të mirë të përgjithshme. 

Në Kosovë ka plot njerëz të arsyeshëm sikur analisti nga Prishtina, Ramush Tahiri, i cili tha: “Është gjë e mirë që Kosova ka pranuar 1,000 teste, por edhe 100 punëtorë shëndetësorë nga Serbia. Ndoshta kjo është një ndihmë simbolike, por është tejet e rëndësishme, sepse ka ardhur menjëherë dhe ka dhënë rezultate në luftë kundër pandemisë.” Përndryshe punonjësit shëndetësorë janë dërguar në mjediset ku popullata shumicë është serbe. Shëndeti dhe jeta e njerëzve do të duhej të ishin mbi të gjitha mosmarrëveshjet, thjesht ky do të duhej të ishte prioritet për të gjithë. Mirëpo, kështu nuk mendojnë aktivistë politik nga Prishtina, Granit Geci, Driton Bardheci dhe Endrit Zabërgja. Ata inicuan një peticion të pakuptimtë ku thanë se me pranimin e kësaj ndihme “me humanizëm po maskohet fytyra kriminale e Vučić-it dhe e ish-vartësve të tjerë të Miloshević-it”. Nuk po resht histeria e një pjese të opinionit publik kosovar, e disa partive politike dhe disa mediave të caktuara. Ndihma që ka ardhur nga Serbia, për të cilën Ministria e Shëndetësisë e Kosovës theksoi që është tejet e rëndësishme dhe për të cilën nga Ministria është kërkuar që në vendkalimin kufitar në Jarinje të kalojë pa vonesa të panevojshme. Doli që Policia e Kosovës me zyrtarin serb për ndërlidhje në Prishtinë, Dejan Pavićević, i kanë kontrabanduar testet, pa kurrfarë kontrolli doganor. Në disa komente të caktuara shkohet aq larg sa që bile po fajësohet Serbia që i ka dërguar 1,000 teste në Prishtinë.

Mendoj që është krijuar një tension i madh në Prishtinë për shkak të këtij donacioni, për shkak të heqjes së taksave ndaj mallrave serbe, për shkak të presionit të Grenellit ndaj kryeministrit Kurti, për shkak të rrëzimit të qeverisë. Shumë faktorë që krijojnë jotolerancë midis opozitës dhe Vetëvendosjes së Kurtit. Në këtë mënyrë krijohet pakënaqësi edhe tek qytetarët.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.