Dorëheqja e parevokueshme

Çfarë sjellë dorëheqja e kryeministrit Haradinaj? A nënkupton dorëheqja më pak tensione në terren? Heqjen e taksave? Zgjedhje të reja? A është ky një truk? A i sjellë kjo dorëheqje një të nesërme më të mirë popullit të Kosovës?

0
51

Ramush Haradinaj, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të premten ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit të Kosovës për shkak të ftesës që si i dyshuar të lajmërohet për bisedë tek Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë. Ai theksoi se këtë javë do të intervistohet nga ana e Gjykatës Speciale, më saktësisht nga Dhomat e specializuara të Kosovës në Hagë dhe që atje nuk dëshiron të paraqitet si kryeministër i vendit, por sikur një qytetar, Ramush Haradinaj. Ky qytetar tashmë dy herë është liruar me vendim të plotfuqishëm në Hagë për vepra të rënda penale të cilat i atribuohen atij. Përvoja na tregon që të mos besojmë se do të provohet diçka për të gjatë procedurës së tretë. Sidoqoftë, do të shohim se çka do të tregojë koha dhe gjykatësit. 

Çfarë sjellë dorëheqja e kryeministrit Haradinaj? A nënkupton dorëheqja më pak tensione në terren? Heqjen e taksave? Zgjedhje të reja? A është ky një truk? A i sjellë kjo dorëheqje një të nesërme më të mirë popullit të Kosovës?

Tensione në Kosovë gjithsesi do të ketë, qoftë Haradinaj kryeministër apo jo. Kjo këtu nuk do ndryshojë së shpejti, e që është kështu tregon edhe lajmi se dy serbë, pas dorëheqjes së lartpërmendur, janë arrestuar për shkak të dyshimeve se kanë kryer krim lufte. Përveç asaj se janë arrestuar ata edhe janë  rrahur. Kjo është revoltë e Policisë së Kosovë apo ndoshta koincidencë. Sido që të jetë, këta të dyshuar për krime lufte, për dallim nga Haradinaj, nuk do të kalojnë mirë derisa të mos e përfundojnë paraburgimin njëmujor. Lista Serbe e sheh këtë si një akt të neveritshëm dhe provokim. Provokim apo jo, rrahja e të arrestuarit është me të vërtetë gjë e mjerë. Çka do të thoshte Haradinaj nëse policët e Hagës do të silleshin ashtu ndaj të dyshuarve? 

Nëse e kemi parasysh se dialogu pothuajse as që ka ekzistuar qëkur Haradinaj e vendosi taksën mbi mallrat nga Serbia, lajmi për dorëheqje do të mund të interpretohej si i shkëlqyeshëm, si për popullatën serbe ashtu edhe për atë shqiptare në Kosovë. Edhe serbët edhe shqiptarët i përdorin po ato ato mallra të njëjta dhe momentalisht ndiejnë mungesën e disa prej këtyre prodhimeve. Mbase ndonjë kryeministër i ardhshëm do të bëhet i arsyeshëm dhe do t’i heqë taksat, e tërë kjo me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës në Kosovë.  Me vendosjen e taksës Haradinaj e kushtëzoi Serbinë që të njohë pavarësinë e Kosovës, gjë që është e paimagjinueshme për Beogradin zyrtar. Nuk di nëse kjo dorëheqje është ndikim i fuqive të jashtme tek tanimë ish-kryeministri që t’i bëj lëshime Serbisë. 

Partitë politike kosovare e pritën të gatshme dorëheqjen, sado që ajo qe e papritur. Menjëherë u shpall edhe data e zgjedhjeve, 8 shtatori. Konsideroj që deri atëherë ka mjaft kohë për taktika dhe kalkulime politike. Serbët në parlamentin e Kosovës që janë më të afërt me tani ish-kryeministrin sigurisht nuk janë të lumtur për shkak të këtyre ndodhive. Ndikimi i tyre (nëse kanë pasur fare) tani qëndron pezull në ajër. 

Dorëheqja e Ramush Haradinajt dhe paraqitja e tij para Gjykatës speciale për krime të luftës do ta vështirësojë edhe më shumë vazhdimin e bisedimeve të Beogradit dhe Prishtinës për statusin përfundimtar të Kosovës, konsideron kryetari i Serbisë, Aleksandar Vučić. Ai thotë se lëvizja e Haradinajt është një “truk politik”, përmes të cilit ai mund të fitojë popullaritet edhe më të madh dhe t’i   “shkelë kundërshtarët e tij politik dhe të bëhet hero që po lufton për një Kosovë unike e tërësore.” Ai duket se gjithsesi është hero për shqiptarët e Kosovës, kryesisht ka dalë si fitues. Sado që kjo të duket e krisur, Haradinaj është konsekuent në qëllimet e tij. Kjo është ajo që e ngritë moralin tek masa, kështu që poenat politikë i ka të garantuar. 

Vështirë që dikush tjetër përveç ish-pjesëtarëve të UÇK-së mund të marrë pushtetin në Kosovë në periudhën në vijim, e kjo nuk është mirë për të ardhmen e Kosovës. Njerëzit që janë rritur në luftë nuk janë të gatshëm për krijimin e një Kosove evropiane, ata thjesht janë mësuar që vetë t’i marrin vendimet, janë të gatshëm për kompromiset prej të cilave vetëm ata kanë dobi, e një politikë e tillë sot nuk i përgjigjet fuqive të mëdha. Derisa kjo të mos ndryshojë, përparimi i Kosovës do të jetë një pikëpyetje të madhe. Për këtë arsye është gjë e mirë që erdhi kjo dorëheqje dhe që fuqitë perëndimore po përpiqen të vendosin një lloj balance dhe sundim të ligjit. Që krimet të dënohen dhe që viktimat, nëse është ky ngushëllim, të marrin drejtësinë. Mirëpo, përkundër të gjithave, jam i sigurt që shumë krime do të kalojnë pa u dënuar, drejtësia nganjëherë di të dështojë. Se si do të shkojë rasti me ish-kryeministrin Haradinaj na mbetet të shohim në periudhën që do të pasojë. 

SHARE