Dorëheqje plot ndjenja 

Meqenëse zgjedhjet ende nuk janë shpallur, por edhe nëse shpallen nuk do të mbahen para shtatorit, pas të cilave pason formimi i Qeverisë, gjë e cila po ashtu mund të zgjasë disa muaj, është e qartë se sa i përket negociatave nuk ka asgjë të paktën deri në fund të vitit. E me këtë ndërlidhen zgjedhjet në Serbi, koha e rregullt e mbajtjes së të cilave është pranvera e vitit 2020, gjë që tërë procesin mund ta shtyjë madje deri në fund të vitit 2020.

0
56

Më nëntëmbëdhjetë korrik 2019, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të Qeverisë së Kosovës. Këtë e bëri, siç thotë, për të mbrojtur shtetin, sepse është ftuar që, në cilësinë e të dyshuarit, të japë deklaratë në Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë. Me vetë aktin e e dorëheqjes së kryetarit të Qeverisë, ka rënë edhe Qeveria e Kosovës. Ajo që pason, edhe pse kjo ende nuk është e sigurt, është që ose shumica në përbërjen ekzistuese të Kuvendit të zgjedhë Qeverinë e re ose shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. 

Është interesante të analizosh këtë lëvizje nga këndi i vetë Ramush Haradinajt. Për të pasur një pasqyrë sa më të plotë, duhet të rikujtojmë se Haradinaj gjatë mandatit të tij e vendosi taksën prej 100% mbi importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, gjë e cila i solli popullaritet të menjëhershëm midis zgjedhësve në Kosovë. Më vonë, kur të gjithë ata që kanë ndikim në situatën në Kosovë i bënë thirrje Kosovës që të heqë apo pezullojë taksat në mënyrë që dialogu me Serbinë të mund të vazhdohej, Haradinaj është i vetmi që kategorikisht e refuzoi këtë, gjë që i solli edhe më shumë popullaritet, dhe statusin e “mbrojtësit të madh të interesave të vendit dhe luftëtarit kundër Serbisë” që qartazi konsiderohet si cilësi sipërore  për ushtrimin e funksioneve udhëheqëse në Kosovë. Po ashtu, duhet të rikujtojmë edhe se si është pritur Haradinaj kur u kthye për të dytën herë nga Haga në Prishtinë, kur u lirua nga akuzat për krimet më të tmerrshme të luftës në mungesë të provave (e mund të thuhet edhe në mungesë të dëshmitarëve, edhe pse kishte pasur). U prit me nderimet më të larta “shtetërore” dhe si hero, natyrisht. 

Marrë parasysh të gjitha që u thanë, si dhe situatën e përgjithshme në të cilën bëhet presion nga të gjitha anët që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshme, si edhe faktin se një nga idetë kryesore sa i përket kësaj çështjeje është një shkëmbim territoresh i llojit të vet të cilën Haradinaj e kundërshton, mund të thuhet se kjo situatë është trefish e mirë për të. Në të vërtetë, në qoftë se shpallen zgjedhjet, edhe nëse nuk fiton, ai me siguri do ta përmirësojë dukshëm pozitën e tij në marrëveshje të ardhshme rreth Qeverisë së re, në krah të popullaritetit të cilin e fitoi falë tërë asaj që u përmendë më lart. Në qoftë se Thaçi nuk i shpall zgjedhjet e reja tani, porse me negociata prapa skene megjithatë e siguron formimin e Qeverisë së re pa zgjedhje të reja, kjo me siguri nuk do të pranohet me aprovim nga trupi zgjedhor, që sigurisht do të reflektohet në rezultatin e zgjedhjeve kur ato të mbahen. Pra, prapëseprapë Haradinaj ka një pozitë shumë të mirë. Në veçanti nëse ajo Qeveri dhe e formuar në atë mënyrë do të arrinte një marrëveshje me Serbinë, gjë që nuk është e pamundur të ndodhë për shkak të tërë atyre presioneve që kjo çështje të mbyllet sa më parë. Gjëja e tretë, ndoshta në këtë moment edhe ideja themelore e kryeministrit në dorëheqje, është se pa Qeverinë nuk ka as negociata. Kompetencat kushtetuese janë qartë të ndara dhe është e qartë që Qeveria është e ngarkuar për vendime lidhur me marrëveshjen eventuale. Ndonëse, kur bëhet fjalë për Kosovën, institucionet kanë pak rëndësi nëse përfaqësitë diplomatike marrin çfarëdo vendimi. Meqenëse zgjedhjet ende nuk janë shpallur, por edhe nëse shpallen, nuk do të mbahen para shtatorit, pas të cilave pason formimi i Qeverisë, gjë e cila po ashtu mund të zgjasë disa muaj, është e qartë se sa i përket negociatave nuk ka asgjë të paktën deri në fund të vitit. E me këtë ndërlidhen zgjedhjet në Serbi, koha e rregullt e mbajtjes së të cilave është pranvera e vitit 2020, gjë që tërë procesin mund ta shtyjë madje deri në fund të vitit 2020.

Pra, çkado që të ndodhë prej tërë kësaj që u tha, Haradinaj nuk humb asgjë. Mund vetëm të fitojë. Nga ana e tij, më duhet të pranoj, çuditërisht, me mend. 

SHARE