Drafti për Asociacionin – ‘politikisht jokorrekt’

0
244

Ekipi menaxhues ia ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës draftstatutin për Asociacionin, i cili bie ndesh me ligjet e Kosovës dhe me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese. Zyrtarë të Qeverisë kanë konfirmuar për “Zërin” hartimin e një drafti të tillë, të cilin thonë se nuk e pranojnë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Ekipi menaxhues për hartimin e draftstatutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ia ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës një propozim-dokument, që bie në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Për këtë shkak ekzekutivi i vendit nuk po e pranon draftin e Asociacionit, që i është dorëzuar së fundi nga ekipi menaxhues.

Zyrtarë të Qeverisë i kanë konfirmuar gazetës “Zëri” se ekipi menaxhues ka hartuar një draft antiligjor dhe antikushtetues për Asociacionin, me ç’rast kanë bërë të ditur se nuk do ta pranojnë të njëjtin.

Ekipi menaxhues për hartimin e Asociacionit ka qenë i përbërë vetëm nga pjesëtarë të komunitetit serb në vend, të cilët draftin e Asociacionit e kanë hartuar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit e jo sipas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Ata kanë hartuar një draft politikisht jokorrekt, i cili nuk mund të implementohet kurrë në Kosovë kur dihet se edhe statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë. Ekipi menaxhues ka shtruar kërkesa politike, që dalin jashtë mandatit të tij ligjor dhe kushtetues”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit Ramush Haradinaj për “Zërin”.

Institucionet e Kosovës në prill të këtij viti kishin marrë rekomandim nga Bashkimi Evropian që deri në fillim të muajit të ardhshëm (gusht) ta përgatisin dokumentin për Asociacionin, megjithatë për shkak të shkeljeve ligjore nga ana e ekipit menaxhues një gjë e tillë nuk do të ndodhë…

(zeri.info, 11/07/2018)

comments

SHARE