A duhet Evropa të udhëzojë për ndryshimin e perspektivës për mësimdhënien e historisë?

Shtetet e Evropës Perëndimore filluan t’i kushtonin rëndësi mësimdhënies së historisë pas Luftës së Dytë Botërore, kur po fillohej ngadalë të kuptohej se mësimdhënia e papërshtatshme e historisë nuk do ta mbështeste paqen, stabilitetin dhe demokracinë. Gjermanët dhe francezët, polakët dhe gjermanët u bashkuan për t’i rishikuar tekstet e tyre shkollore të historisë dhe gjeografisë. Mësimdhënia e historisë sot është shndërruar më shumë në të mësuarit e së kaluarës për ta kuptuar të ardhmen, të mësuarit për sjelljen njerëzore, për universalitetin dhe jo nacionalitetin e historisë.

0
885

Në Kosovë, një numër i madh i teksteve dhe materialeve mësimore që përdoren edhe në sistemin arsimor kosovar edhe atë serb ende përmbajnë elemente të nacionalizmit dhe paragjykimeve. Duhet të intensifikohen përpjekjet për të futur në përdorim metoda të reja mësimore që nxisin mirëkuptimin ndërkulturor, përfshirë këtu edhe historinë. Këto janë fjalët e Komisionerit të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Nils Muižnieks, në raportin e tij për Kosovën pas vizitës së tij në vend në shkurt të këtij viti. Ai, për më shumë, i bëri thirrje autoriteteve kosovare t’i rishikojnë materialet mësimore dhe metodologjinë që të mund të jenë më të përshtatshme për një shoqëri multietnike.

Pikërisht me të njëjtën pikëpamje në mendje OJQ New Perspektiva vendosi ta organizojë debatin e saj në Sallonin e së Martes javën e kaluar. Debati u titullua: A na mbron nga konflikti të mësuarit e historisë prej shumë perspektivave? Formulimi i rezolutave të Këshillit të Evropës e ka influencuar këtë titull deri në një masë, por ai u influencua njëjtë edhe prej përvojës dhe logjikës së shëndoshë. New Perspektiva ka bërë përpjekje të posaçme për të biseduar me mësuesit për të qenë më të hapur ndaj qasjes shumë-perspektivëshe ndaj mesimdhënies së historisë

Këshilli i Evropës, shtëpia e të drejtave të njeriut, ku bën pjesë arsimi, ka miratuar rezoluta specifike mbi mësimdhënien e historisë. Në Rekomandimet e tij të vitit 1996 mbi Historinë dhe të Mësuarit e Historisë në Evropë përmendet specifikisht ky problem. Aty thuhet se historia ka një rol kyç në Evropë. Ajo mund t’i kontribuojë rritjes së mirëkuptimit, tolerancës dhe mirëbesimit mes individëve dhe mes popujve të Evropës, ose mund të bëhet forcë për ndarje, dhunë dhe mostolerancë. Në rekomandime thuhet se qasja shumë-perspektivëshe do t’i inkurajojë studentët ta respektojnë diversitetin dhe dallimet kulturore.

Një tjetër rezolutë, 14 vite më vonë, në 2010, nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbi Situatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Evropës, ngjashëm e kishte përmendur veçanërisht historinë dhe kishte thënë se autoritetet e Kosovës duhet të vendosin një sistem unik të balancuar, të paanshëm dhe pluralist në mësimdhënien e historisë. Edhe Bashkimi Evropian më herët e kishte marrë stafetën duke e kuptuar rëndësinë e kësaj çështjeje arsimore. Kuvendi i BE-së, Parlamenti Evropian, një vit më parë, në prill 2009, në një Rezolutë mbi konsolidimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, kishte vënë në pah se mësimdhënia e historisë në shkolla dhe universitete në Ballkanin Perëndimor duhej të bazohej në hulumtim të dokumentuar dhe duhej të reflektonte perspektivat e ndryshme të grupeve të ndryshme nacionale dhe etnike në regjion në mënyrë që të arrihen rezultate të qëndrueshme në nxitjen e pajtimit dhe përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike.

Një anëtar i Qeverisë së Kosovës më tha se Kosova duhet ta bëjë këtë nëse dëshironte t’i bashkohej Evropës. Kjo është absolutisht e vërtetë, por unë mendoj se Kosova duhet ta bëjë këtë sepse duhet t’i respektojë qytetarët e vet të rinj dhe t’ua mësojë atyre historinë në atë mënyrë që do t’i ndihmojë ata të jenë mendjehapur dhe të përgjegjshëm. Ne nuk duhet të presim që Evropa të na thotë ta bëjmë këtë.

Ky nuk është problem i ri. Shtetet e Evropës Perëndimore filluan t’i kushtonin rëndësi mësimdhënies së historisë pas Luftës së Dytë Botërore, kur po fillohej ngadalë të kuptohej se mësimdhënia e papërshtatshme e historisë nuk do ta mbështeste paqen, stabilitetin dhe demokracinë. Gjermanët dhe francezët, polakët dhe gjermanët u bashkuan për t’i rishikuar tekstet e tyre shkollore të historisë dhe gjeografisë. Mësimdhënia e historisë sot është shndërruar më shumë në të mësuarit e së kaluarës për ta kuptuar të ardhmen, të mësuarit për sjelljen njerëzore, për universalitetin dhe jo nacionalitetin e historisë. Ky problem po pranohej gjithnjë e më shume nga profesorët dhe akademikët aty diku nga vitet “70. Tekstet shkollore filluan të paraqisnin më shumë burime dhe më pak narrativa.

Në vitet “80, koncepti i historisë së re filloi të zhvillohej në Evropën Perëndimore në një kohë kur pjesë të mëdha të Evropës, që ende po e mësonin historinë ashtu që të përshtatej me parimet Marksiste-Leniniste, ishin në prag të përmbysjes së atyre sistemeve. Nuk ishte e lehtë. Historia ishte politizuar nga ato regjime autokratike, por politizimi i historisë mbeti problem në disa prej këtyre demokracive të reja.

Gjatë rreth 20 viteve që kam vëzhguar dhe punuar në Kosovë, dy çështje kanë qenë gjithnjë në mendjen time. E para është problemi i fëmijëve dhe të rinjve të komuniteteve të ndryshme që po rriten bashkë në shtetin e njëjtë, por në shkolla të ndryshme, duke ndjekur planprograme të ndryshme. E dyta është sa shumë herë më kanë thënë të rinjtë se sa keq u mësohet historia dhe se si kjo ua komplikonte të kuptuarit e njëri-tjetrit. Këta zëra shpesh dëgjohen në uebsajtin e New Perspektiva-s. Kjo është një nga arsyet pse ne i kushtojmë kohë dhe resurse kësaj çështjeje.

Si prind dhe historiane, gjithnjë kam qenë e preokupuar me cilësinë e mësimdhënies që  u ofrohej fëmijëve të mi. Mësimdhënia e historisë duhet t’ua mundësojë fëmijëve ta kuptojnë sjelljen njerëzore dhe të kaluarën, t’ua hapin mendjen, t’ua zhvillojnë shkathtësitë e analizës kritike e të mos i ushqejnë me informacione të gatshme për t’i mësuar përmendësh dhe për t’i përsëritur. Kjo padyshim që i paaftëson. Mendoj po ashtu se kjo përbën fyerje ndaj nxënësve dhe studentëve sepse ekzistojnë shumë burime të tjera të informacionit që mund t’i gjejnë, për shembull rrjetet sociale, ku ata do të gjejnë perspektiva dhe të vërteta të tjera (të cilat nuk do të kenë aftësi për t’i vënë në pyetje). Mësimdhënia e vetëm një perspektive i paaftëson fëmijët tanë. Kjo është ajo që unë e quaj histori karroce (wheelchair history).

Po aq e rëndësishme në paaftësimin e fëmijëve duke ua mësuar historinë nga një perspektivë e vetme është se kjo metodologji nuk është e favorshme për zhvillimin e shkathtësive të analizës kritike. Siç u tha gjatë debatit të martën, studentët nuk po mësohen të jenë reflektivë, nuk po mësohen t’i vënë në dyshim ato gjëra që ua mësojnë. Pjesëmarrësit përmendën se mënyra se si mësohet historia në Kosovë, nuk i inkurajon nxënësit ta shijojnë atë, mësimet janë të mërzitshme. Këto ndryshime në mësimdhënien e historisë, metodologjia shumë-perspektivëshe, synojnë ta zhvillojnë edhe të menduarit kritik, kështu që nxënësit dhe studentët të mësohen t’i përpunojnë informatat, t’i vënë në dyshim ato në mënyrë që të gjykojnë arsyeshëm. Po ashtu, e dimë që mësuesëve që e përdorin këtë qasje shumë-perspektivëshe, ose qasje kontraverse siç quhet ndonjëherë, u duket puna e tyre shumë më interesante, konstruktive dhe e dobishme.

Autoritetet e arsimit në Kosovë duhet t’i respektojnë dhe t’i aftësojnë të rinjtë që po rriten në Kosovë, t’u ofrojnë një sistem të mësimdhënies së historisë i cili i zhvillon ata si individë të informuar dhe kritikë, që i kuptojnë njerëzit dhe komunitetet e tjera. Kam biseduar dhe debatuar me mësuesë të historisë këtu. Ata kanë pikëpamje interesante dhe të vlefshme dhe janë persona të cilëve u është besuar kjo detyrë jo e lehtë. Kjo nuk është çështje vetëm për stabilitetin dhe mirëkuptimin, por për respektin për njëri-tjetrin. Fjalët e Evropës janë të urta, por kjo urtësi është logjike për të gjithë.

SHARE