Dyer të hapura apo kalim i ngushtë

Përmendorja prej së largu duket e hapur dhe e gjerë, si një derë e vërtetë e hapur, ndërsa kur i afroheni është tjetër ndjenjë, një kalim i ngushtë dhe i vogël. Edhe një tjetër simbolikë.

0
79

Mbi Mitrovicë, në kodrën e Minatorëve, ngrihet monumenti i partizanëve serbë e shqiptarë, punë e arkitektit Bogdan Bogdanović. Me një lartësi prej 19 metrash, ai duket nga të gjitha pjesët e qytetit. U ndërtua në vitin 1973 në kujtim të partizanëve të rënë gjatë viteve 1941-1945. Monumenti paraqet një bllok të madh betoni në formë të karrocës, përplot me xehe, i mbështetur në dy shtylla të mëdha. Simbolika është më se e qartë. Dy shtylla betoni që e mbajnë karrocën me xehe, i përfaqësojnë serbët dhe shqiptarët. Bashkëjetesën e tyre në komunitet, punën e përbashkët në industrinë e xehetarisë, luftën e përbashkët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kështu na hapet edhe simboli i dyerve që i hapen si atyre nga jugu ashtu edhe atyre nga ana veriore.  

Siç vëren Donald Niebyl, shkrimtar, historian dhe udhëtar amerikan i dashuruar në trashëgiminë memoriale dhe monumentale të ish Jugosllavisë “ndoshta Bogdanović konsideronte se vetëm kur kalojnë së bashku nëpër atë derë, të dyja grupet mund t’i pajtojnë pakënaqësitë dhe mosmarrëveshjet e kaluara”.

Bogdan Bogdanović (1922-2010) është filozof dhe arkitekt i qytetit, shkrimtar, profesor, ish-kryetar i komunës së Beogradit, një nga emrat më të rëndësishëm në arkitekturën memoriale botërore. Punimet e tij mund të gjenden në pothuajse të gjitha republikat e ish-Jugosllavisë. Komplekset dhe monumentet më të famshme përkujtimore gjenden në Jasenovc, Mostar, Beograd, Leskovc… dhe një prej tyre ndodhet në Mitrovicë.

“Nuk di se si do të duken qytetet në të ardhmen, por në emër të bukurisë së tyre… me shekuj është jetuar dhe vdekur në mënyrë tragjike.”
B. Bogdanović

Puna e Bogdanović-it bazohet kryesisht në simbolikë. Për të ai vetë thotë se simbolet nuk dëshiron t’i kanonizojë dhe se të gjithë kanë të drejtë të nxjerrin prej asaj simbolike çfarëdo historie që dëshirojnë. Ish-studentët e tij, sot arkitektë të njohur, thonë se të jesh arkitekt do të thotë të jesh një qenie thellësisht shoqërore dhe kulturore, i cili, me ndjenjat e tij të thella, ndërton botën përreth tij. 

Monumenti prej së largu duket i hapur dhe i gjerë, si një derë e vërtetë e hapur, ndërsa kur i afroheni është tjetër ndjenjë, një kalim i ngushtë dhe i vogël. Edhe një tjetër simbolikë.  

“Dhe që të jem plotësisht i sinqertë, më duhet të them që monumentet e mia… nuk ishin monumente të vërteta. Të paktën, ato nuk kishin paraqitjen-veçorinë e monumenteve. Më parë ishin histori, objekte interesante, fantastike dhe shumë të vizituara, veçanërisht nga të rinjtë. Si ka qenë e mundur një gjë e tillë? E po, sepse monumentet e mia ishin shumë arkaike. Ato gjithashtu mund të jenë edhe mesopotamike. Për të shmangur finesat e nacionalizmit, i cili gjithmonë dëshiron të dijë nëse kjo apo ajo formë i përket atij apo jo, unë e projektova punën time në mënyrë të tillë që të mund të kenë qenë artefakte nga koha e fillimit të civilizimit. Unë mendoj se ky ishte një kombinim fitues për ato monumente: gjithnjë u kam ikur imperativave kombëtare.”
B. Bogdanović, 1987
 


Në rrëzë është miniera e Trepçës, që dikur kishte një nga depozitat më të mëdha të plumbit, zinkut dhe argjendit në Evropë, e nga ajo rrëzë ngritet njëri nga objektet më të lartë të ndërtuar nga dora e njeriut në Ballkan, tymtari i Trepçës, kështu që kur e shikoni Mitrovicën prej së largu e keni përshtypjen që lartësia e monumentit dhe lartësia e tymtarit janë në të njëjtin rrafsh.  

Midis banorëve më të moshuar që kaluan një pjesë të karrierës së tyre të punës në Trepçë, ka pasur edhe interpretime që në karrocën me xehe ata në të vërtetë kanë parë një djep. Sepse Trepça ishte një kompani e fuqishme, një industri e madhe, një burim force dhe ndërtimi i një vend atëherë të madh, dhe, si i tillë, djep i prodhimit dhe industrisë.

ligjëratën e fundit të cilën e ka mbajtur në fakultetin e arkitekturës në Beograd, në korrik të vitit 1987, Bogdanović i thotë edhe këto fjalë:

“Sot këto objekte duken sikur vende të shenjta arkaike, kuazi-brutaliste, pagane që kujtojnë një shoqëri planetare të një të ardhmeje të largët nga ndonjë film SF. Ose të video lojërave. Nuk kam aspak dyshim se ato janë akoma tërheqëse për të rinjtë, si një skenografi për skenar të konstruktuar në mënyrë arketipe të serialeve të fundme shkencoro-fantastike të shekullit 21 … As nuk është çudi duke pasur parasysh esencialitetin e tyre gjithnjerëzor.”

Tridhjetë e ca vite më vonë, shumë emra të njohur botëror në fushën e artit, kulturës pop dhe subkulturës, produksionit të filmit dhe videos, gjithnjë e më shumë interesohen për këto fusha. Kështu krijohen video muzikore, filma, seriale, dokumentarë, gara sportive, interesimi për turizmin monumental. Aventurierë, fotografë, youtuber-a, influencuesë të ndryshëm, çdo ditë nxjerrin përmbajtje nga kjo hapësirë e jona e Ballkanit.

“Sa herë i kam thënë vetes që një qytet është qytet i vërtetë vetëm nëse ka personalitetin e vet, profilin e vet psikologjik, karakterin e vet, dukjen e vet, mënyrën e vet të sjelljes me vetveten dhe botën e jashtme, me të huaj të qëllimshëm, me mjedisin, me natyrën, me qytetet e tjera. Qytetet do të duhej të jenë më të lexueshëm dhe të urtë sikur librat e urtë.”
B.Bogdanović, Mbi qytetet


A është krijimi i tij jashtëkohor, këtë do ta tregojë pikërisht kjo kohë. Kohë e matur me shumë dekada. Në një masë të madhe, ai vetë iu përgjigj kësaj pyetjeje të vështirë me një vështrim për të ardhmen, mbase përsëri në mënyrë profetike: 

 “E kam pak një parandjenjë, është e vështirë të shpjegohet kjo me fjalë,… ne jemi të pjekur për një lexim tjetër të botës. Botën duhet lexuar në një tjetër mënyrë. Nga historia e tij, pozita e njeriut, tek ato që janë ndërtesat e tij, qytetet, arkitektura, gjithçka … Duhet besuar në ndonjë botë tjetër paralele, apo madje edhe në ndonjë botë të tretë. Kjo botë, ashtu siç është, nuk është më e mira e botëve të mundshme”.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.

SHARE