E premte historike

Është e pabesueshme sesi nxënësit po rriten në të njëjtin shtet, shtet i cili synon të jetë multietnik, dhe po mësojnë jo vetëm histori jo të mirë, por histori krejt të ndryshme për ngjarje të njëjta.

0
571

“Po i rrisë fëmijët e mi që ta kuptojnë se të gjithë njerëzit janë të njëjtë dhe ta kuptojnë se nuk duhet t’i fajësojnë të gjithë serbët për luftën. Por, ata kthehen prej shkollës duke folur me urrejtje për serbët dhe rusët…” Kështu më thanë të premten e kaluar mbrëma kur po pija një kafe me miq në Prishtinë.

Në mëngjes, në një punëtori (workshop) me të rinj të komunitetit serb në Kosovë, njëri prej tyre më tha se nuk e kuptonte pse shqiptarët ishin aq armiqësor me serbët, “Dihet që asnjë shqiptar s’është vrarë nga serbët në 100 vitet e fundit”.

Në mes këtyre dy bisedave atë të premte, profesori Aleksandar Pavlović nga Universiteti i Beogradit tha diçka tjetër që veçanërisht më la përshtypje. Ai tha se shqiptarët e Kosovës në të vërtetë kurrë nuk kishin qenë në fokusin e historianëve serbë dhe se armiqësitë nuk ishin aq të thella.

Pavlović e tha këtë në një panel të FORUM Future (Forumi Ardhmëria) të organizuar nga OJQ Aktiv në Mitrovicën Veriore. Qëllimi i kësaj serie të debateve është ta krijojë një kornizë që do ta formojë bazën për një dialog mbi marrëdhëniet e ardhshme mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë,  i cili si rezultat do të ofrojë hapësirë për zgjerimin e procesit të dialogut me përfshirjen e formësuesve kryesorë të opinionit nga fusha të ndryshme. Paneli, në të cilin morën pjesë katër historianë, u mor me bashkëjetesën historike të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë në shekullin XX.

Krejt këto ishin gjëra goxha të rënda për një të premte, ditë kur duhet të relaksohemi. U ndjeva disi e dëshpëruar pasi të gjitha këto komente vetëm sa tregonin se sa e dëmshme është mësimdhënia e keqe e historisë dhe çfarë tronditje mund të pësojnë qytetarët e rinj të Kosovës kur të fillojnë të mësojnë se historia e cila u mësohet në shkolla jo vetëm që nuk është krejt e saktë, por se po mësohet dhe shkruhet nga një perspektivë e vetme nacionale (nacionaliste?). Kjo më bën të pyes nëse fëmijët në shkolla e kuptojnë se gjithnjë ekzistojnë së paku dy palë në një konflikt dhe se ka vrasje dhe viktima në të dyja anët.

Është e pabesueshme sesi nxënësit po rriten në të njëjtin shtet, shtet i cili synon të jetë multietnik, dhe po mësojnë jo vetëm histori jo të mirë, por histori krejt të ndryshme për ngjarje të njëjta. Diku mbi të gjitha këto duket se janë do historianë, që i tundin krahët e tyre si engjuj, duke shkruar dhe hulumtuar këtë histori të përbashkët, dhe jetojnë në një botë tjetër nga ku njohuritë e tyre nuk arrijnë të filtrohen më poshtë ndërsa shkollat nuk mund t’i bartin më tej.

Kjo nuk është hera e parë që e kemi ngritur këtë çështje në uebfaqen e New Perspektivës. Uebfaqja ka një portal për historinë shumë-perspektivëshe të Kosovës. Secili mund të hyjë në të dhe të shohë një qasje më të hapur ndaj të mësuarit të historisë dhe narrativës, si dhe të shohë se si pala tjetër dhe të tjerët e shohin historinë e përbashkët të Kosovës dhe Serbisë. Ju lus ta shihni, lexoni dhe t’ua tregoni mësuesve dhe nxënësve të tyre. Le të mos kemi më të premte historike.

SHARE