E vërteta e trishtueshme, e dhimbshme

Kush do të thoshte që një njeri do të shkaktonte një ndjenjë të tillë tek aq shumë njerëz, tek njerëzit që kanë përjetuar gjithçka gjatë 20 viteve të kaluara! Gjithçka, në kuptimin e plotë të fjalës, por asgjë të mirë. Mirëpo, ai moment kur morën vesh për vdekjen e Oliver Ivanović-it disi i la pa fjalë më shumë se asnjëherë deri atëherë. 

0
277

Kaluan edhe një palë zgjedhje në Kosovë, po formohen koalicione të reja, Qeveri të reja, flitet (si zakonisht tek ne) për problemet e vjetra, për dialogun, për Asociacionin e Komunave Serbe, për normalizimin, për luftën (e kriminelëve) kundër krimit… Po flitet për gjithçka, por vetëm një temë tashmë gati 2 vite vazhdon të nxisë heshtje tek të gjithë. Ose thënë më mirë, tek të gjithë ata që nuk janë të përfshirë. Vrasja e Oliver Ivanović-it.

Një ngjarje që tronditi thellësisht tërë popullatën e Kosovës, do të thosha jo vetëm popullatën serbe. Kush do të thoshte që një njeri do të shkaktonte një ndjenjë të tillë tek aq shumë njerëz, tek njerëzit që kanë përjetuar gjithçka gjatë 20 viteve të kaluara! Gjithçka, në kuptimin e plotë të fjalës, por asgjë të mirë. Mirëpo, ai moment kur morën vesh për vdekjen e Oliver Ivanović-it disi i la pa fjalë më shumë se asnjëherë deri atëherë. Përshtypje e përgjithshme e njerëzve në Kosovë është se disi me ikjen e Oliver-it iku edhe shpresa e fundit e atyre njerëzve për një jetë normale, bashkëjetesë, paqe! Bile për një paqe të brendshme.

Ajo që më shtyu që edhe një herë t’i kthehem kësaj teme, përveç presionit gjithnjë e më të madh (gati të padurueshëm) të cilin njerëzit e ndiejnë në veçanti nga momenti i vrasjes së Oliverit, është edhe pjesëmarrja e peshkopit Grigorije në emisionin “Utisak nedelje” (Përshtypja e javës), ku ai iu kthye kësaj teme me fjalë të cilat më shtyen që edhe një herë të mendohem thellë për fatin e të gjithë neve nga Kosova, që kemi pasur një shpresë deri diku se këtu do të jetohet normalisht. 

„U vra një njeri i cili e kishte rolin e luanit për atë popull, i cili e udhëheq dhe e mbron, pa marrë parasysh a është në pushtet apo nuk është pushtet. Pse është vrarë ai? Ashtu që hienat të mund të sundojnë dhe të hanë gjithçka që mund të hahet,“ tha peshkopi Grigorije.

„Unë gjithmonë e kam pasur atë përjetim… se është një njeri atje. Dhe mandej ai njeri u vra“.

Nënvizoi se vrasjen e tij e ka përballuar vështirë, duke thënë se “atë që shërbimet sekrete e shpallin tradhtar, ai sigurisht nuk është i tillë”.

Për arsye se ai ka dashur të jetojë me shqiptarët, për arsye se ka ditur të flasë shqip. Për arsye se nuk ka pasur frikë nga shqiptarët, por u thoshte shqiptarëve se nuk duhet të frikohen prej tij. Dhe një njeri i tillë u vra pas shpine,“ tha peshkopi Grigorije.

Unë personalisht nuk jam besimtar dhe gjithsesi jo njeri i cili i pranon pa asnjë dyshim fjalët e priftërinjve e që nuk i rishqyrton ato. Prandaj më preku edhe më shumë ajo që edhe vetë po ndihem pikërisht ashtu siç e tha peshkopi Grigorije në atë emision televiziv. Unë nuk e kam njohur Oliver Ivanović-in, vetëm në një rast kemi qenë në të njëjtin vend në të njëjtën kohë, por ajo ndjenja se pikërisht ai ka qenë për popullin serb në Kosovë mu ashtu siç e tha peshkopi, ajo ndjenjë vërtetë ekziston tek unë. Dhe jam i sigurt që jo vetëm tek unë por edhe tek shumë shumë njerëz të cilët nuk do ta thonë këtë publikisht. 

Për fund, një rikujtim i vogël për të gjithë ata që janë kompetent: kanë kaluar pothuajse dy vite nga vrasja e Oliver Ivanović-it, e vrasësit nuk janë gjetur dhe dënuar!

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.