ECMI: Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe – Kalimi i udhëkryqit

Ky dokument (Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe: Kalimi i udhëkryqit) ka për synim të kontribuojë në zhvillimin e një projekt-Statuti duke ofruar rekomandime konkrete. Dokumenti vlerëson, për aq sa është e mundur duke marrë parasysh të dhënat në dispozicion dhe ato që ndërlidhen me zhvillimet në Kosovë, vlerën e shtuar të një asociacioni të komunave me shumicë serbe, i bazuar në parimet e bashkëpunimit ndërkomunal: në mënyrë të veçantë, se çfarë mund të bëjë një asociacion i tillë për të adresuar nevojat dhe brengat e komunitetit serb në Kosovë. Duke u bazuar në këtë vlerësim, dokumenti ofron një sqarim realist të ndikimit të mundshëm që Asociacioni mund ta ketë në funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe ofron rekomandime se si të minimizohen pasojat negative.

0
588

Si një element i rëndësishëm i procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, proces i mbikëqyrur nga BE, të dy vendet u pajtuan që të themelohet Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe në Kosovë (në tekstin e mëtejmë, “Asociacioni”). Ky institucion i propozuar, siç përshkruhet në marrëveshjen e prillit të vitit 2013 Marrëveshja e Parë për Normalizim të Marrëdhënieve, dhe në marrëveshjen pasuese të gushtit të vitit 2015 për parimet e përgjithshme / elementet kryesore, ka implikime të mundshme transformuese për ardhmërinë e komuniteteve serbe në Kosovë, dhe për qeverisjen e Kosovë në përgjithësi. Siç parashikohet me marrëveshjet përkatëse, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave në Kosovë me shumicë të serbëve etnikë, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe ekonomisë.

Shumë serbë të Kosovë kanë pritje të mëdha për këtë entitet të ri, duke investuar në të shpresat e tyre për autonomi institucionale dhe lidhje të ngushta me Republikën e Kosovës si parakushte për një të ardhme të qëndrueshme në një Kosovë me shumicë shqiptare. Tek komuniteti shqiptar rezistenca është e theksuar, sidomos në mesin e partive opozitare të cilat e perceptojnë Asociacionin jo vetëm si një formë të autonomisë territoriale që përforcon kontrollin e Serbisë mbi komunitetin serb në Kosovë por edhe në kundërshtim me karakterin shumetnik të Kosovës. Shumë analistë kosovarë gjithashtu kanë ngritur pyetje për nevojën për këtë Asociacion duke argumentuar se ligjet e Kosovës tashmë i ofrojnë komunave me shumicë serbe kompetenca të veçanta dhe të zgjeruara të cilat iu mundësojnë atyre një vetëqeverisje substanciale.

Plani i zbatimit për marrëveshjen fillestare të prillit të vitit 2013 kishte paraparë që Ekipi i Menaxhimit i përbërë nga përfaqësues të katër komunave veriore me shumicë serbe do të hartonte një projekt-Statut në një afat kohor prej gjashtë muajsh nga nënshkrimi i marrëveshjes (dmth, tetor 2013) dhe se Asociacioni do të formohej menjëherë pas mbajtjes së zgjedhjeve lokale që u mbajtën në fund të vitit 2013. Marrëveshja e gushtit të vitit 2015 kishte përcaktuar se Ekipi i Menaxhimit do të hartonte projekt-Statutin brenda katër muajve nga data e nënshkrimit (dmth, deri në fund të dhjetorit të vitit 2015), dhe se Qeveria e Kosovës do ta miratonte Statutin me anë të një dekreti qeveritar pas arritjes së pajtimit në Dialogun e Nivelit të Lartë.

Deri më sot, megjithatë, nuk ka pasur pothuajse aspak përparim për hartimin dhe zhvillimin e një projekt-Statuti që është i pranueshëm për të gjitha palët si dhe shumë pak debate publike të mirë informuara për përmbajtjen e marrëveshjeve dhe implikimet praktike për komunitetin serb dhe për Kosovën në përgjithësi. Në vend të kësaj, diskutimi mbi Asociacionin ka qenë i nxehtë dhe i polarizuar, ku Serbia dhe udhëheqësit serb në Kosovë shfrytëzuan gjuhën e paqartë në marrëveshjet përkatëse për ta deklaruar Asociacionin si mjet për të arritur autonomi, dhe udhëheqësit e Kosovës duke shfrytëzuar të njejtat paqartësi për të insistuar se Asociacionin do të modelohet sipas Asociacionit ekzistues të Komunave në Kosovë, Asociacion ky që përmendet në mënyrë eksplicite në marrëveshjet dhe i cili operon si një organizatë joqeveritare (OJQ).

Marrëveshjet e sipërpërmendura nuk e përshkruajnë në mënyrë të qartë se si do të operojë Asociacioni. Kjo komplikohet edhe më tepër nga vendimi i dhjetorit të vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila gjeti se shumë elemente të marrëveshjes së gushtit të vitit 2015 nuk ishin në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, shumë shpejt deklaroi se qeveria e tij do ta dekretojë vetëm një Status që është në pajtim me vendimin e Gjykatës.

Ky dokument ka për synim të kontribuojë në zhvillimin e një projekt-Statuti duke ofruar rekomandime konkrete. Dokumenti vlerëson, për aq sa është e mundur duke marrë parasysh të dhënat në dispozicion dhe ato që ndërlidhen me zhvillimet në Kosovë, vlerën e shtuar të një asociacioni të komunave me shumicë serbe, i bazuar në parimet e bashkëpunimit ndërkomunal: në mënyrë të veçantë, se çfarë mund të bëjë një asociacion i tillë për të adresuar nevojat dhe brengat e komunitetit serb në Kosovë. Duke u bazuar në këtë vlerësim, dokumenti ofron një sqarim realist të ndikimit të mundshëm që Asociacioni mund ta ketë në funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe ofron rekomandime se si të minimizohen pasojat negative.

Pika fillestare e këtij dokumenti është se Asociacioni është një ushtrim i bashkëpunimit ndërkomunal, në vend të autonomisë institucionale, territoriale, apo kulturore. Kjo qasje i bindet frymës dhe konstruktit të qeverisjes në Kosovë, qeverisje e cila ka vendosur në mënyrë të fuqishme parime të vetëqeverisjes lokale dhe mundësi për bashkëpunim ndërkomunal si një nga shtyllat për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve në Kosovë. Procesi i decentralizimit, një element tejet i rëndësishëm i Planit të Ahtisaarit i cili më vonë u mishërua në kornizë ligjore të Kosovës, krijoi apo zgjeroi gjashtë komuna të reja me shumicë serbe respektivisht komunat: Novobërdë, Mitrovicë e Veriut, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Kllokot. Përveç katër komunave ekzistuese me shumicë serbe (Leposaviq, Shtërpcë, Zubin Potoku, Zveçan), këto komuna gjithashtu do të jenë anëtarë të Asociacionit.

Krjimi i komunave me popullatë me shumicë serbe, përveç autonomisë së gjerë që komunat në Kosovë gëzojnë si dhe mundësia e marrjes së ndihmës nga Republika e Serbisë, ka për qëllim pikërisht që t’i ofrojë komunitetit serb në Kosovë vetëqeverisje të konsiderueshme në nivel lokal, por njëkohësisht duke mos e rrezikuar integritetin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Ky dokument zhvillon një model të bashkëpunimit ndërkomunal në mes të komunave me shumicë serbe që mbështet këto parime themelore të shtetit të Kosovës.

Argumenti kryesor është se bashkëpunimi ndërkomunal në mes të komunave me shumicë serbe mund të risjellë një shkallë të rendit institucional dhe koordinimit dhe në këtë mënyrë të përmirësojë ofrimin e shërbimeve në nivel lokal, duke mbajtur lidhjet financiare, teknike dhe simbolike me Republikën e Serbisë. Kështu, Asociacioni potencialisht mund të plotësojë kërkesat dhe adresojë brengat e komunitetit serb në Kosovë.

Modeli për Asociacionin i prezantuar këtu është i drejtuar poshtë, në drejtim të nivelit lokal të vetëqeverisjes si një masë konkrete për të koordinuar, racionalizuar, dhe institucionalizuar ofrimin e shërbimeve publike. Ndikimi i këtij modeli në institucionet e nivelit qendror do të jetë i kufizuar dhe i integruar në mekanizmat ekzistues për përfaqësim të komuniteteve në nivel qendror. Në këtë mënyrë, brengat dhe frika e shumicës shqiptare se Asociacioni do ta bëjë shtetin e Kosovës jofunksional adresohen në masë të madhe.

Shqetësimet në lidhje me funksionalitetin e shtetit të Kosovës nuk duhet të anashkalohen lehtë. Derisa çdo marrëveshje e re mes Prishtinës dhe Beogradit e zvogëlon prezencën e institucioneve shtetërore serbe në Kosovë, Asociacioni mundëson vazhdimin e prezencës dhe rolit të Serbisë në çështjet e komunitetit serb në Kosovë. Nëse nuk konceptohet qartë si ushtrim i bashkëpunimit ndërkomunal, qasja proaktive e Beogradit për çështjet e serbëve të Kosovës, duke përdorur influencë politike dhe financiare për të siguruar dëgjueshmërinë e serbëve, mund ta shndërrojë Asociacionin në një pengesë serioze për zhvillimin e mëtejmë institucional të Kosovës. Në këtë kontekst, ky model për Asociacionin përqëndrohet në vetëqeverisjen lokale, ku mbështetja nga Republika e Serbisë mund ta bëjë një ndryshim të madh në jetën e përditshme të komunitetit serb të Kosovës. Roli përfaqësues i Asociacionit për përfaqësimin e serbëve të Kosovës në nivelin qendror, megjithatë, reduktohet në një shkallë minimale dhe përfshihet në mekanizmat ekzistues. Në këtë mënyrë, ky model zbut rreziqet që mund t’i kanosen funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Sidoqoftë, duhet të jetë e qartë për të gjithë se për të qenë Asociacioni efektiv, nevojitet një qasje proaktive dhe konstruktive nga të gjitha palët e përfshira në proces.

Dokumenti fillon me një hulumtim dhe studim të literaturës për bashkëpunimin ndërkomunal në praktikën ndërkombëtare. Dokumenti sqaron se cila është arsyeja dhe shkaku prapa bashkëpunimit ndërkomunal, prezanton një tipologji, dhe vlerëson se si ky bashkëpunim ndërlidhet me mbrojtjen dhe promovimin e interesave të komuniteteve pakicë. Kapitulli i dytë shqyrton në detaje kornizën ligjore të Kosovës për vetëqeverisje dhe bashkëpunim ndërkomunal. Ky kuptim më i gjerë i bashkëpunimit ndërkomunal është aplikuar në kapitullin tre për të hedhur dritë mbi marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin dhe mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kapitulli katër pastaj vazhdon me përkthimin e kompetencave të propozuara të Asociacionit në propozime të politikave konkrete se si mund të organizohet bashkëpunimi ndërkomunal në mes të komunave me shumicë serbe në pajtim me legjislacionin për kompetencat komunale dhe bashkëpunimin ndërkomunal, dhe kundrejt gjetjeve të hulumtimit të gjerë për nevojat dhe pritjet e komunitetit serb të Kosovës. Në kapitullin pesë, dokumenti merr parasysh pozicionin e komuniteteve jo-serbe që jetojnë në komunat që do të përfshihen në Asociacionin, dhe masat për të mbrojtur dhe promovuar intereset e të gjitha komuniteteve në kuadër të Asociacionin dhe në pajtim me frymën shumetnike të Kosovës. Kapitulli i gjashtë definon marrëdhëniet mes Asociacionit dhe nivelit qendror të qeverisjes dhe prezanton një model për harmonizimin e Asociacionit me mekanizmat ekzistues për përfaqësim dhe mbrojtje të komuniteteve në nivel qendror. Kapitulli shtatë, në fund, shqyrton rolin e Republikës së Serbisë në ofrimin e mbështetjes teknike dhe financiare.

Dokumenti përfundon me rekomandime praktike për vendimmarrësit në Kosovë që mund të shërbejnë si kornizë për një projekt-Statut për Asociacionin, projekt-Statut i cili synon të arrijë një kompromis mes nevojave dhe pritjeve të komunitetit serb të Kosovës (dhe zotimeve të palëve me marrëveshjenpër normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë) dhe ruajtjes së funksionalitetit qeverisës të Kosovës brenda kornizave ligjore dhe kushtetuese.

Për sa i përket metodologjisë, ky studim bazohet në një lexim të thukët të marrëveshjeve të viteve 2013 dhe 2015 në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe vendimit të vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Dokumenti e vendos Asociacionin brenda sistemit ligjor të Kosovës, dhe në veçanti ligjeve për kompetencat komunale dhe bashkëpunimin ndërkomunal, si dhe në literaturën për bashkëpunimin ndërkomunal në praktikat ndërkombëtare. Përveç kornizës ligjore, ky dokument merr parasysh edhe pritjet dhe shqetësimet e serbëve të Kosovës si dhe shqiptarëve të Kosovës. Dokumenti mbështetet në ndjekjen nga afër të debateve brenda dhe në mes të komuniteteve në media, politikë dhe sektorin e shoqërisë civile përgjatë tri viteve, si dhe studimeve të shumta që janë bërë për temën nga ana e organizatave të shoqërisë civile. Për më tepër dhe për qëllime të këtij dokumenti, intervista të gjata dhe gjysëm të strukturuara janë kryer me përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë nga sektorë të ndryshëm (politik, zhvillim ekonomik, arsim, shëndetësi) dhe me përfaqësues të institucioneve relevante në Kosovë (Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Asociacioni i Komunave të Kosovës). Këto intervista janë bërë përgjatë muajve mars-prill 2016. Bashkëbiseduesit janë përzgjedhur në bazë të ekspertizës së tyre në çështje të ndërlidhura me bashkëpunimin ndërkomunal dhe fusha të caktuara ku Asociacioni pritet të ketë kompetenca. Qëndrimet e politizuara për këto tema janë evituar.

Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe: Kalimi i udhëkryqit

(ECMI ecmikosovo.org, 03/06/2016)

SHARE