Edukimi medial – element kyç i edukimit funksional në shoqërinë demokratike

OSBE, në bashkëpunim me disa shkolla fillore e të mesme në Serbi, organizoi trajnim për edukimin medial dedikuar nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve të tyre. Në një intervistën për New Perspektiva, Giacomo Bosisio, koordinator i Misionit të OSBE-së për Serbinë Jugore, thotë se “verifikimi i fakteve është ndoshta edhe shkathtësia më e rëndësishme për lexuesit dhe shikuesit e medias bashkëkohore digjitale.”

0
76

Sot, një numër i madh i popullatës ka qasje në internet. Më të përfaqësuarit janë të rinjtë, por kohët e fundit, në veçanti me zhvillimin e aplikacioneve mobile dhe rrjeteve sociale, një numër gjithnjë e më i madh i banorëve më të rritur çdo ditë hyn në internet për të lexuar lajmet e fundit, artikuj interesant, apo për të kërkuar ndonjë term që u intereson apo kanë nevojë për të. Problemi lind kur lexuesit “hasin” në ndonjë “lajm” dhe nuk mund të dinë besueshmërinë dhe saktësinë e të dhënave të paraqitura dhe kështu u besojnë “verbërisht”. Ky problem është i pranishëm në të gjitha mediat, por kontrolli relativisht i dobët i internetit dhe rrjeteve sociale ka krijuar një hapësirë të përshtatshme për prodhimin e “lajmeve” sensacionaliste, të rreme, shpesh edhe qëllimkëqija e politike, fetare dhe nacionaliste. Një rrezik i madh vjen nga artikujt që mund të ndikojnë në shëndetin dhe jetën e popullatës, me të cilat kohët e fundit interneti dhe rrjetet sociale kanë qenë të mbushura përplot. Për të tërhequr sa më shumë vizitorë që të jetë e mundur në faqet, portalet dhe grupet e tyre, botuesit e këtyre lajmeve nuk ngurrojnë (ose nuk mendojnë!) që të rrezikojnë shëndetin – si fizik ashtu edhe psikik, lirinë, statusin shoqëror e në rastet më të këqija, edhe jetën e lexuesve të tyre.

OSBE, në bashkëpunim me disa shkolla fillore e të mesme në Serbi, organizoi trajnim për edukimin medial dedikuar nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve të tyre. Në një intervistë për New Perspektivën, Giacomo Bosisio, koordinatori i Misionit të OSBE-së për Serbinë Jugore, midis tjerash, thotë që “verifikimi i fakteve është ndoshta edhe shkathtësia më e rëndësishme për lexuesit dhe shikuesit e medias bashkëkohore digjitale.” Vladislav Stojičić bisedoi me z. Bosisio për edukimin medial dhe digjital, e bisedën e filloi me pyetjen: çka është për të edukimi medial dhe sa është ai i rëndësishëm sot?

GB: Edukimi medial është aftësia e individit që të ketë qasje, të analizojë, të vlerësojë dhe të krijojë përmbajtje mediale. Si i tillë, ai është element kyç i edukimit funksional në një shoqëri demokratike. Edukimi medial dhe digjital janë mjete të fuqishme të cilat u mundësojnë njerëzve që të shikojnë më shumë anë të një rrëfimi (që qytetarët ta shohin një histori nga më shumë kënde), me shkathtësi me ndihmën e të cilave mund të kuptojnë në mënyrë kritike, të analizojnë dhe të interpretojnë përmbajtje, të krijuara nga mediat dhe u ofron mundësinë të arrijnë vetë në përfundime gjatë formimit të mendimit të tyre. Me fjalë të sotme, kur burime të ndryshme prodhojnë dhe shpërndajnë pamëshirshëm informata, edukimi medial i ndihmon lexuesit t’i ikin rrezikut të vërshimit nga përmbajtje të shumëllojshme dhe i pajis ata me mjete intelektuale të dobishme për zbulimin e raporteve të gabuara, interpretimeve të njëanshme dhe lajmeve të rreme. 

– Në botën bashkëkohore digjitale, si e dalloni të vërtetën nga gënjeshtra?

GB: Në një epokë të manipulimit me lajme dhe përmbajtje të rreme, kontrollimi i fakteve është ndoshta aftësia më e rëndësishme për lexuesit dhe shikuesit e medias moderne. Kjo thekson një nevojë të fuqishme për të mbrojtur gazetarinë profesionale si një komponent thelbësor të një shoqërie demokratike. Personalisht bëj përpjekje, sa më shumë që të jetë e mundur, të mbështetem në media serioze, profesionale dhe të besueshme dhe të verifikoj raportet e tyre.

– Sa janë lajmet e rrejshme problem serioz për të rinjtë?

GB: Të rinjtë, që janë autoktonë digjital, janë veçanërisht të ekspozuar ndaj këtij rreziku, sepse janë më pak të njohur për dallim nga gjeneratat më në moshë, të cilat janë të formuara me gazetarinë profesionale që e ofrojnë shtypi tradicional dhe TV. Ata ballafaqohen me rrezikun që në mënyrë jokritike t’i besojnë asaj që e gjejnë në internet. Ata mund të mendojnë se fakti i thjeshtë që gjejnë diçka të paraqitur si lajm diku në internet do të thotë automatikisht se është i saktë dhe i verifikuar.

– Si duhet t’i qasemi arsimimit medial të fëmijëve? Si përballeni me këtë sfidë në një shembull personal? 

GB: Shkollat do të duhej të fusnin aktivitete jashtëmësimore në mënyrë që nxënësit të njoftohen me këto probleme. Formimi i kujdesshëm i mendimit kritik publik po ashtu varet nga porositë dhe nxitjet të cilave u ekspozohen fëmijët gjatë rritjes dhe pjekjes së tyre. OSBE-ja, në bashkëpunim me disa shkolla fillore e të mesme serbe, organizoi trajnim të edukimit medial dedikuar si studentëve ashtu edhe mësimdhënësve të tyre. 

– A duhet të përfshihet edukimi medial si lëndë mësimore në shkolla?

GB: Shkolla është një vend ku ne bëhemi qytetarë, ku na mësojnë se si ta shohim botën përreth nesh në mënyrë kritike dhe të pavarur. Personalisht unë do të angazhohesha për çfarëdo aktiviteti që i ndihmon nxënësit të zhvillojnë të menduarit kritik.

SHARE