Ëndrrat e “djallit” po dalin sheshazi

Përderisa haptazi do të kundërshtohet shteti të cilin e kanë pranuar edhe serbë të Kosovës dhe Serbia do të quhet “Serbia qendrore”, duke lënë të nënkuptohet se Kosova është pjesë e saj, unë mendoj se do të harxhojmë shkronja kot rreth qëllimit tonë të fundit, që është krijimi i një shoqërie ku shqiptarët dhe serbët do të mund të debatonin mbi problemet e përbashkëta dhe jo duke u munduar ta luftojnë njëri-tjetrin.

0
302

Përgjigjja e kolegut, Milenko Todorović, i cili duke u munduar të më kundërshtonte rreth taksës dhe arsyes së vërtetë të vënies së saj, në një tekst të titulluar “Iluzionet e shpartalluara”, shfaq disa ëndrra që në Kosovë me unanimitet konsiderohen si të djallit. 

Përmendja e emërimeve si “Serbia qendrore”, kundërshtimi i emrit zyrtar “Republika e Kosovës” si dhe argumentimi që shfaq negativisht gjithë arritjen e Bashkësisë Ndërkombëtare në raportet shqiptaro-serbe më bëri të dyshoj nëse ai tekst e ka vendin në New-Perspektiva, duke ditur qëllimin e këtij projekti.

Sidoqoftë, unë dua t’ia japë disa përgjigje që më shumë bëhen për hatër të lexuesve sesa të Milenkos që më lexon për të më kundërshtuar e jo për të më kuptuar, pasi argumentet e mia bien në kundërshtim me ëndrrat e tij.

Së pari, po ndalem tek treni i famshëm që nuk u lejua të hynte në Kosovë. Milenkos i vjen keq me gjasë ta pranojë se treni nga Serbia për në Kosovë nuk kishte aspak karakter civil, që ai zgjedh ta quajë “tren udhëtarësh”. Në të kishte mbishkrime politike që cenonin Republikën e Kosovës, e madje me vizatime që cenonin edhe historinë e këtij shteti, madje edhe historinë e serbëve të këtij vendi; gjë që e bëjnë trenin të duket jonormal. Por, edhe po të lejohej ai tren, nuk do të zgjidhej çështja e transportit hekurudhor të Kosovës, pasi Serbia vazhdon ta bëjë të pamundur funksionimin e këtij lloj transporti. Apo ndoshta as për Milenkon, njëlloj si për politikanët serbë, nuk ka rëndësi funksionimi për Kosovën?

Së dyti, Milenkos dua t’ia bëjë me dije se ka një shkarje në mendimin që ka karshi qëndrimit të SHBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore rreth vendimit për taksën. Ai po e paraqet si fakt detyrues qëndrimin e SHBA dhe shteteve të tjera rreth taksës, mirëpo nuk po e kupton se nëse qëndrimet e këtyre vendeve mbakan vulë vërtetësie, atëherë i bie që të pranohen kërkesat e tyre të kahmotshme ndaj Serbisë për njohje të shtetit të Kosovës. Me këtë del se Milenko citon shtetet perëndimore kur i konvenon, mirëpo jo kur i shkon në kundërshtim me ëndrrat e tij. Më vjen keq ta them, por falë zotit është thënë më herët se “edhe djalli citon Biblën për interesa të veta”.

Së treti, më duhet ta them se fjalia e Milenkos, “Jam i sigurt që Kosova do të mund të eksportonte mall në Serbinë qendrore, vetëm pa shenja të cilat Serbia nuk i pranon, shenjat ‘Republika e Kosovës’”, tingëllon më shumë sikur të kishte dalë nga goja e Ivica Dačić-it, e jo nga një i ri që synim do të duhej të kishte ndikimin në integrimin e serbëve në shtetin kosovar. Të thuash se raporti mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë kaq i pabarabartë, është mungesë dije ose teprim tendencash.

E pikërisht refuzimi i pranimit të shtetit të Kosovës dëri në këtë masë, më lejon që si pikë të katërt dhe të fundit të kësaj polemike, ta vendos pakënaqësinë time ndaj Milenkos por edhe vetë New Perspektivës që po lejon qëndrime që minojnë gjithë punën e bërë për krijimin e një atmosfere më të mirë të debatit, që do të ndikonte në integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare.

Përderisa haptazi do të kundërshtohet shteti të cilin e kanë pranuar edhe serbë të Kosovës dhe Serbia do të quhet “Serbia qendrore”, duke lënë të nënkuptohet se Kosova është pjesë e saj, unë mendoj se do të harxhojmë shkronja kot rreth qëllimit tonë të fundit, që është krijimi i një shoqërie ku shqiptarët dhe serbët do të mund të debatonin mbi problemet e përbashkëta dhe jo duke u munduar ta luftojnë njëri-tjetrin.

Ëndrra jonë e vetme duhet të jetë bashkëjetesa, ndërkohë Milenko del ta ketë “Serbinë e Madhe”.

Shënim: New Perspektiva është platformë për pikëpamje dhe zëra të ndryshëm
sepse besojmë se ky është një kontribut i rëndësishëm për mirëkuptim dhe debat mes komuniteteve në Kosovë. Ne ndërhyjmë vetëm nëse kontributorët shkelin kodin e sjelljes.

SHARE