Fakte edhe për veriun

Ejani së bashku të merremi me fakte dhe përkundër vrapit pas tirazhit të përpiqemi ta paraqesim situatën ashtu siç është. Le të provojmë të shkojmë përpara dhe të synojmë një lloj zgjidhje dhe pajtimi. Me fakte të paverifikuara dhe tekste nxitëse nuk arrijmë asgjë, vetëm i hedhim vaj trazirave më të mëdha dhe mosbesimit në të dyja anët.

0
1104

Ejani së bashku të merremi me fakte dhe përkundër vrapit pas tirazhit të përpiqemi ta paraqesim situatën ashtu siç është. Le të provojmë të shkojmë përpara dhe të synojmë një lloj zgjidhje dhe pajtimi. Me fakte të paverifikuara dhe tekste nxitëse nuk arrijmë asgjë, vetëm i hedhim vaj trazirave më të mëdha dhe mosbesimit në të dyja anët.

Stabilizimi i marrëdhënieve midis popullit serb dhe shqiptar në Kosovë është një nga çështjet që ka qenë dhe do të jetë me vite numër një në listë për zgjidhjen e konfliktit. Jemi të vetëdijshëm për faktin që mediat si të tilla luajnë një nga rolet kyçe në këto situata. Në atë moment kur mediat pushojnë të merren me fakte dhe paraqesin të dhëna të pavërteta, ekziston një mundësi e madhe se do të zhduket çdo shans për pajtim.

Nga fundi i muajit qershor 2016, gazeta “Zëri” nga Prishtina e përshkruante veriun e Kosovës si zonë e cila është nën udhëheqjen e grupeve kriminale dhe që mes tjerash, në periudhën e 3-4 viteve të fundit në këtë hapësirë janë raportuar dhunime, plaçkitje të studentëve dhe të dyqaneve të stolive të arit. Njoftimet për vjedhjet e imëta si diçka që është përditshmëri në veri nuk janë të sakta, por edhe nuk janë krime të rënda. Mirëpo, kur flasim për dhunimet e përmendura, këtu veçse lind problemi. Këtu bëhet fjalë për një vepër të rëndë penale. Në fakt, gazeta “Zëri” e Prishtinës në tekstin e saj thotë që në periudhën prej 3-4 viteve të fundit shërbimi policor nuk po ia dalë të merret me strukturat paralele që janë vendosur nga ana e Serbisë. Të rikujtojmë që shërbimi regjional policor në Mitrovicën e veriut është themeluar para më shumë se tre vitesh dhe sipas pohimeve nga kjo zyrë, deri tani ata kanë pasur më tepër se 80% të rasteve të zgjidhura kur ka qenë në pyetje autori i panjohur.

Kur bëhet fjalë për përdhunimet dhe tentimet për përdhunim, stacioni policor i ngarkuar për veriun e Kosovës në periudhën prej 2013 deri 2016 ka pranuar vetëm disa paraqitje të rrejshme të tentimeve për përdhunim dhe një paraqitje për përdhunim. Duke theksuar që pohimet për përdhunime në veri janë të pasakta, zëvendëskomandanti i policisë rajonale të veriut, Besim Hoti, thotë se ka pasur shumë pak raste klasike të përdhunimit. “Mund të themi që në këtë hapësirë kemi numër më të madh të paraqitjeve të dhunës në familje, por të cilat nuk mund fare të ndërlidhen me dhunën seksuale. Raste klasike të përdhunimit në tri vitet e fundit pothuajse nuk janë regjistruar, përveç rasteve individuale të ngacmimit seksual dhe me këto raste janë marrë hetuesit policor në nivel të regjionit dhe atë në bashkëpunim me prokurorin e shtetit. Ato raste i janë dorëzuar gjykatës,” thekson Hoti. Duke u përgjigjur në pyetjen për sigurinë në periudhën prej formimit të shërbimit policor Mitrovicë e veriut, Besim Hoti po ashtu thekson se situata është plotësisht e ndryshme në krahasim me atë që ka qenë më parë. “Mund të themi lirisht se situata aktuale e sigurisë në veri të Kosovës është stabile. Nuk ka raste që do të cenonin në mënyrë serioze sigurinë e qytetarëve në zonën e katër komunave në veri të Kosovës,” thotë Hoti.

Duke pasur parasysh raportet e shërbimit policor dhe deklaratat e përfaqësuesve të tij, mund të konkludojmë që pohimet për përdhunime në hapësirën e veriut të Kosovës nuk janë fare të sakta. Nëse marrim parasysh faktin se për tri vite në këtë zonë është raportuar një përdhunim, sigurisht që kjo nuk mund të jetë pikë referuese për botimin e tekstit në të cilin mes tjerash thuhet se në veri të Kosovës ka përdhunime të grave. Baza e çdo gazetarie është e vërteta dhe janë faktet. Prandaj kolegë gazetarë, le të merremi pra me to. Për çka shërbejnë tekstet, për këdo qofshin ato, nëse nuk janë të verifikuara? Përse pohime për diçka që nuk ekziston? Çka do të arrijmë me këtë? Në këtë rast më duket sikur dikush po përpiqet t’i paraqesë katër komunat në veri të Kosovës si çerdhe të krimit dhe kaosit. Nuk them se situata është e shkëlqyeshme, jo. Mirëpo nuk është edhe aq e tmerrshme siç po e paraqitni. Ejani së bashku të merremi me fakte dhe përkundër vrapit pas tirazhit të përpiqemi ta paraqesim situatën ashtu siç është. Le të provojmë të shkojmë përpara dhe të synojmë një lloj zgjidhje dhe pajtimi. Me fakte të paverifikuara dhe tekste nxitëse nuk arrijmë asgjë, vetëm i hedhim vaj trazirave më të mëdha dhe mosbesimit në të dyja anët.