Faktori ndërkombëtar dhe zhbllokimi i dialogut

Ndërhyrja e faktorëve ndërkombëtarë është diçka e pashmangshme në marrëdhënie ndërkombëtare dhe vështirë që ndonjë marrëveshje mund të rregullohet bazuar në raporte të pastra bilaterale, pa ndërhyrjen e shteteve tjera. Në fakt kjo në shumë raste është dëshmuar si diçka shumë e mirëseardhur.

0
104

Procesi i dialogut në këtë pikë mund të konsiderohet i bllokuar. Kjo në masë të madhe për shkak të mungesës së kompromisit të dy shteteve në këtë proces, Kosovës dhe Serbisë. Serbia, e udhëhequr nga Presidenti Aleksandar Vučić, vazhdon që të theksojë në mënyrë kategorike se nuk do të njohë pavarësinë e shtetit të Kosovës në asnjë rrethanë. Në anën tjetër, edhe shteti i Kosovës vazhdon të jetë shumë i vendosur sa i përket taksës 100%. Faktorë të tillë, dhe të tjerë, bëjnë që shtetet të mos arrijnë në një pikë të përbashkët si pasojë e një qasjeje shumë egocentrike në procesin e dialogut. Në këto rrethana kur arritja te një zgjidhje duket mjaft e zymtë, bëhet e nevojshme që të ketë intervenim të faktorit ndërkombëtar. Intervenimi ndërkombëtar, në këto rrethana, në këtë proces, më shumë se i dëshirueshëm, duket se është bërë i pashmangshëm.

Së pari, pa marrë parasysh nëse kjo realizohet përmes ofrimit të nxitësve pozitivë ose negativë, Serbia dhe Kosova duhet që në një mënyrë të kushtëzohen nga SHBA apo edhe shtetet e ndryshme evropiane që të ndjekin rrugën e arritjes së një marrëveshjeje. Ofrimi i sanksioneve ose stimuluesve pozitivë janë të nevojshëm në këtë moment pasi që asnjëri nga shtetet nuk  duket se ka ndonjë tendencë të ndryshimit të sjelljes dhe efektet që do të mund të vinin nga ndryshimi i qasjes së shteteve ndaj Kosovës dhe Serbisë në këtë fazë do të mund të ishin pozitive.

Ndërhyrja e faktorëve ndërkombëtarë është diçka e pashmangshme në marrëdhënie ndërkombëtare dhe vështirë që ndonjë marrëveshje mund të rregullohet bazuar në raporte të pastra bilaterale, pa ndërhyrjen e shteteve tjera. Në fakt kjo në shumë raste është dëshmuar si diçka shumë e mirëseardhur. Një artikull në Foreign Policy dëshmon se si Maqedonia dhe Greqia arritën që të kurorëzonin Marrëveshjen e Prespës përmes ndihmës së ndërmjetësimit nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një vullnet i tillë dhe qasje e ashtuquajtur “gjithëpërfshirëse” kërkohet edhe nga Kosova dhe Serbia pasi që është dëshmuar si një formulë e suksesshme e cila ka ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Greqisë. Ky rast në rajonin e Ballkanit ofron një precedent të rëndësishëm mbi rëndësinë e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar në procesin e normalizimit të raportit mes shteteve.

Më tej, ndërhyrja e shteteve të tjera duhet të shikohet si element i cili i kontribuon legjitimitetit të zgjidhjes së arritur. Në këtë kontekst, mbështetja e shteteve më të rëndësishme në arritjen e një zgjidhjeje do ta rriste legjitimitetin e një marrëveshjeje pasi që liderët në shtetet përkatëse jo gjithmonë kanë përkrahjen apo mirëpranimin e duhur popullor. Në rastin e Republikës së Kosovës, konsultimet e tashmë kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, me Kancelaren Angela Merkel janë parë nga një kënd pozitiv edhe nga përfaqësuesë të opozitës në Republikën e Kosovës. Pranimi i gjerë i “fuqisë së butë” të Gjermanisë nga ana e popullit të Kosovës vetëm sa do ta rriste legjitimitetin e përpjekjeve për marrëveshje shikuar nga një kënd më demokratik. Thirrje për ndërhyrje të SHBA-së në procesin e dialogut patën bërë liderët e Kosovës dhe Serbisë, Presidenti Hashim Thaçi dhe Presidenti Vučić. Kjo në një mënyrë mbron idenë se ndërhyrja e shteteve më me peshë perceptohet si pozitive sa i përket legjitimitetit të marrëveshjeve.

Procesi i dialogut vazhdon të jetë në një fazë në të cilën mund të konsiderohet i bllokuar. Në këto rrethana, si rezultat i një qasjeje që thekson interesat vetanake, Kosova dhe Serbia vazhdojnë që të mos tregohen të gatshme për të gjetur një zgjidhje. Në këtë kontekst, intervenimi i ndërkombëtarëve shndërrohet në diçka të nevojshme dhe ndoshta edhe të paevitueshme. Megjithatë, shikuar në një kënd pozitiv, duket se kjo ndërhyrje në këtë fazë perceptohet si diçka legjitime nga të dy palët duke dhënë shpresë për lëvizje pozitive.

SHARE