“Fambul Tok” – një dritë që ndriçon mbi histori plot dhimbje

Shikuesit kosovarë ndërmjet 11 dhe 13 majit kishin mundësinë të marrin pjesë në njërën nga shfaqjet e filmit dokumentar “Fambul Tok” në Univerzitetin e Prishtines, Kinemanë Lumbardhi në Prizren dhe në White Tree në Prishtinë.

0
1008

Shikuesit kosovarë ndërmjet 11 dhe 13 majit kishin mundësinë të marrin pjesë në njërën nga shfaqjet e filmit dokumentar “Fambul Tok” në Univerzitetin e Prishtines, Kinemanë Lumbardhi në Prizren dhe në White Tree në Prishtinë.

Është pikërisht xhaxhai i Estherit, Jozefi, ai i cili e përdhunoi atë. Asokohe, ajo ishte vetëm 12 vjeçe. Vite më pas, rreth zjarrit të ndezur në thellësinë e natës, bashkëfshatarët me vëmendje dëgjojnë dëshminë e Estherit rreth historisë së saj të luftës. Zëri i saj plot dhimbje e vuajtje kumbonte në thellësinë e natës. Dhe ai, Jozefi, xhaxhai, përdhunuesi, ishte aty në mesin e tyre atë natë. Estheri drejtohet me pyetjet“pse?”, “si është e mundur?”. Në një moment mbizotëron qetësi dhe të gjithë janë në kërkim të fajtorit, është koha për atë që të japë llogari. Është koha për Jozefin të përgjigjet. Estheri dhe të gjithë të pranishmit presin përgjigje nga ai. Dhe ai shfaqet. Flet se si është zënë nga rebelët. Rrëfen për presionin dhe dhunën e ushtruar mbi të. Ai tregon për ultimatumin e dhënë nga ana rebelëve dhe zgjedhjen që kishte “o vdekje – o respektim i urdhërave të tyre”. Ndërgjegja dhe pendimi, rrëfen ai, e kanë ndjekur që nga ajo kohë.

Pendim, kërkim falje dhe pajtim.

Sierra Leone, një nga shtetet më të varfëra të kontinentit të Afrikës, u kaplua nga tmerri që solli lufta civile që nga fillimi i viteve ’90. Gjatë konfliktit qindra mijëra sierraleonas u vranë e u gjymtuan në mënyrën më brutale, mijëra u përdhunuan, madje një numër i madh i krimeve u ekzekutuan nga bashkëqytetarë, fqinjë, anëtarë të familjes – njerëz të cilët i njihnin dhe me të cilët kanë patur një të kaluar të përbashkët.

“Fambul Tok”(Biseda familjare) prek pikërisht këtë temë të dhimbshme dhe rrëfen historinë e sierraleonasve para, gjatë dhe pas luftës. Një tregim i shpalosur në mënyrën më të thjeshtë, i shoqëruar nga rrëfimet e vet të mbijetuarëve të krimeve, anëtarëve të komunitetit, kryesve të krimeve dhe shoqërisë civile.

Shikuesit kosovarë ndërmjet 11 dhe 13 majit kishin mundësinë të marrin pjesë në njërën nga shfaqjet e filmit dokumentar “Fambul Tok” në Univerzitetin e Prishtines, Kinemanë Lumbardhi në Prizren dhe në pëlhurën e bardhë të ekranit në oborrin e kafeterisë së hostelit White Tree në Prishtinë. Ishte rast i veçantë ku shikuesit jo vetëm që ndoqën me vëmendje dokumentarin e historisë së Sierra Leones, por në të njëjtën kohë kishin mundësinë që të reflektojnë, ndajnë mendimet, emocionet dhe të bashkëbisedojnë ndërmjet veti dhe me mysafiren e ftuar nga OJQ New Perspektiva, Znj. Laura Martin nga Universiteti i Edinburgut.

Gjatë projektimit shpesh mbretëronte një qetësi intriguese. Ishte ajo qetësi që reflekton vëmendjen e cila në sfond është në kërkim të vazhdueshëm të ndërlidhshmërisë me historinë e Ballkanit. Ndonëse në shikim të parë mund të asocohej me luftërat e fundit që kapluan një pjesë të madhe të gadishullit ballkanik kur Kosova gjithashtu pësoi rëndë, kishte edhe ngjajshmëri të tjera të cilat përkujtonin kontekstin vendor. Për një pjesë të shikuesve ajo që ishte traditë e lashtë e sierraleonasve që nëpërmjet bisedave, pendimit dhe kërkimfaljes të gjejnë paqen, paksa ngjasonte edhe me traditën e vjetër shqiptare të “pajtimit dhe faljes së gjaqeve”.

Nga ana tjetër, për një grup studentësh filmi kishte rëndësi të veçantë nga një aspekt tjetër. Pikërisht ndërlidhja me luftën e vitit 1999 në Kosovë – gjetja e ngjashmërive dhe dallimeve si dhe praktikat e menaxhimit të periudhës së luftës – ishte ajo që inicoi diskutim në thellë. Sierraleonasit zgjodhën të rrëfejnë haptazi dhe të mësojnë vuajtjet e bashkëbanorëve të tyre. Të folurit haptas dhe publikisht por edhe gjithëpërfshirja ishte ajo që e bënte këtë proces të dallojë.

Në një moment, shikuesit e orientuan diskutimin tek gratë dhe lufta. U tha që kryesisht janë gratë të cilat zakonisht anashkalohen, harrohen apo margjinalizohen, ndërsa dhimbja e tyre nuk mbaron me përfundimin e luftës. Për studentët e fakultetit të Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës përfshirja e grave dhe hapësira që iu kushtua atyre në rastin e Fambul Tok’ut sierraleonas kishte një vlerë të veçantë, së bashku me përkrahjen e komunitetit në tejkalimin e plagëve të thella tek ata. Praktikat në të cilat një grua e dhunuar gjatë luftës vazhdon të dënohet edhe pas përfundimit të luftës, nëpërmjet mënjanimit shoqëror dhe në masë të madhe edhe nga vet familja është denim i shumëfishtë të cilin ajo e vuan jo deri në fund të luftës por deri në fund të jetës së saj.

U zhvillua edhe diskutim me znj. Martin rreth eksperiencës së saj personale në këto tema me sierraleonasit dhe procesin e tyre me pyetje nga më të ndryshmet. Nga ajo se si lufta ndikoi në politikë dhe politikanët në fuqi e deri tek ndikimi i amnistisë së përgjithshme mbi procesin e pajtimit apo normalizimit të marrëdhënieve në interes së paqes dhe zhvillimit në të ardhmen.

Ndonëse diskutimet ishin të gjata dhe të ndryshme, ajo që pothuajse gjithmonë ishte si përfundim ishte se dëmi i luftës është i madh, pa marrë parasysh se në cilin vend të botës ndodh. Frymëzimi nga filozofia e sierraleonasve ishte i dukshëm. E kaluara nuk mund të zhbëhet, dhe kjo është po aq e vërtetë sa edhe vetë lufta. Por e ardhmja i takon atyre dhe ajo që mund të nxirret nga ajo është minimizimi i reflektimit të pasojave në të ardhmen dhe zhvillimin e mirëqenjes së përgjithshme. Pranimi publik i krimeve të bëra edhe nga ana e kryesve të krimeve të luftës, pendimi dhe kërkimfalja ishte bazë që sollën sadopak qetësi tek të mbijetuarit. Nga ana tjetër, ishte bujaria e fisnikëria e të mbijetuarve për të falur që solli paqen dhe shpresën për rindërtim dhe për zhvillimin e të ardhmes. Për ata tani ekziston një mision i shenjtë, dhe ai është ndërtimi i një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Paqe!