Fantazmat

Brenda disa muajsh edhe qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të shfrytëzojnë të gjitha përparësitë e regjimit pa viza. A janë midis këtyre edhe 100,000 serbë? Pse Qeveria në Prishtinë të mundohej të fitonte këtë të drejtë për ata njerëz kur Serbia nuk e siguroi këtë të drejtë për njerëzit që kanë pasaportën e saj?

0
1350

Brenda disa muajsh edhe qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të shfrytëzojnë të gjitha përparësitë e regjimit pa viza. A janë midis këtyre edhe 100,000 serbë? Pse Qeveria në Prishtinë të mundohej të fitonte këtë të drejtë për ata njerëz kur Serbia nuk e siguroi këtë të drejtë për njerëzit që kanë pasaportën e saj?

Bashkimi Evropian paraqet një lloj ideali për të gjitha vendet e Ballkanit. Diçka të lartësuar dhe te paarritshme, diçka drejt së cilës duhet gjithmonë të synohet dhe për të cilën duhet të bëhet gjithçka. Këtë të fundit, që të bëhet gjithçka për hyrje në Bashkimin Evropian nuk kam mundur ta besoj deri para disa viteve, por edhe kjo u bë e qartë me negociatat në Bruksel kur dy palë që assesi nuk do të negocionin dhe dakordoheshin për asgjë, u ulën ne tavolinë në Bruksel dhe arritën disa marrëveshje shumica prej të cilave nuk po zbatohen, por ja, me rëndësi është që janë arritur. Si ia doli ta bëjë këtë Bashkimi Evropian? Paj me metodën e vjetër të “shkopit dhe karrotës”. Premtime të bukura dhe pak esencë. Një nga “karrotat” kryesore për Serbinë dhe Kosovën ishte liberalizimi i vizave. Pse pikërisht liberalizimi i vizave? Paj për shkak që populli gabimisht beson se ashtu do t’ia dalë të shkojë dhe të mbërrijë në ndonjë vend ku mund të ketë një jetë të denjë. Paj vetëm vitin e kaluar rreth 100,000 njerëz kanë ikur nga Kosova në kërkim të një jete më të mirë. Natyrisht, të tjerët shpresojnë që tani kur të fillojë të zbatohet regjimi pa viza, ata do të mund ta realizojnë këtë më lehtë.

Serbia mori liberalizimin e vizave më 2009, mirëpo u ballafaqua me një varg problemesh. Një nga problemet kryesore dhe kërcënimi më i madh për mbijetesën e liberalizimit të vizave ishin kërkuesit e azilit numri i të cilëve u rrit me vrull, e midis të cilëve, sipas të gjitha statistikave përpara të tjerëve ishin shqiptarët nga Kosova, të cilët masivisht filluan të marrin pasaportat e Serbisë për shkak të kësaj „pështatshmërie“. Atëherë Serbia u ballafaqua me kërcënimin e heqjes së regjimit pa viza por edhe me problemin e paraqitjes së rrejshme të vendbanimit, gjë që mund të sillte edhe deri te ndryshimi i rrezikshëm në strukturën e popullatës në komunat përgjatë kufirit. Edhe një problem tjetër erdhi në shprehje në atë kohë. Ndoshta për neve edhe problemi më i rëndësishëm. Nga ajo marrëveshje për regjimin pa viza u përjashtuan shtetasit serbë me vendbanim në Kosovë. Me këtë, më tepër se 100,000 shtetas të Serbisë në mënyrë të turpshme mbetën të diskriminuar në raport me pjesën tjetër të popullatës serbe. Çfarë hapi i pushtetit serb! Paj dikush ia lejoi vetes që t’i ndajë qytetarët e vet në më të vlefshëm dhe më pak të vlefshëm, pastaj në qytetarë të rendit të parë dhe të dytë! E pabesueshme. Ata njerëz hasën në problemin që u detyruan të kërkojnë viza për çdo kalim të kufirit, por edhe aty kishte problem sepse shumica e vendeve i lëshonte ato viza në Prishtinë, madje edhe në Shkup. Do të thotë serbët nga veriu i Kosovës është dashur të shkojnë me dokumentet e tyre të Serbisë në Prishtinë (kurse autoritetet kosovare nuk i njohin këto dokumente) për viza, duke iu ekspozuar rrezikut që t’u konfiskohen ato dokumente, por edhe rreziqeve tjera që bart me vete përdorimi i transportit publik në jug të Kosovës për serbët nga veriu. Sa e kujdesshme kjo Qeveri e Serbisë! Dhe kështu shkoi deri më tani.

Tani, në vitin 2016 edhe Kosova mori rekomandimin e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave. Brenda disa muajsh edhe qytetarët e Kosovës do të kenë mundësi që të shfrytëzojnë të gjitha përparësitë e regjimit pa viza. A janë midis këtyre edhe këta 100,000 serbë? Paj jo. Jo. Pse Qeveria në Prishtinë të mundohej të fitonte këtë të drejtë për ata njerëz kur Serbia nuk e siguroi këtë të drejtë për njerëzit që e kanë pasaportën e saj? Pse ta bënte këtë Kosova, qëllimi kryesor i së cilës është që ata njerëz t’i detyrojë të integrohen në atë sistem që ata e quajnë shtet (e janë gjithnjë e më afër kësaj)? Natyrisht që kjo nuk ndodhi.

Çka i pret tani këta njerëz? Paj, ose do t’i pranojnë pasaportat e Kosovës, e me këtë edhe të gjitha ato që ua ka imponuar përmes një dere të vogël para së gjithash pushteti në Serbi me një politikë të papërgjegjshme, me një qasje të papërgjegjshme ndaj atyre njerëzve që u bë e qartë qysh më 2009, e tani më 2016 dhe plotësisht e zhveshur, ose me të vërtetë do të mbeten të izoluar nga të dyja anët. Do të mbeten me të vërtetë të izoluar. Opsioni i tretë? Të marrin cilëndo nga të dy pasaportat valide dhe të shkojnë të marrin të tretin. Mendoj se shumica do ta bëjnë këtë, edhepse nuk jam aspak i lumtur për këtë.

Paçi fat me “liberalizimin”!