Faza e farsës përfundimtare

BE-së i ka munguar në vazhdimësi serioziteti e ndjeshmëria në veprim, dhe mendjemprehtësia po ashtu. Qysh në nisje të tij, procesi i fundit negociator që nisi në vitin 2011, operoi me parakuptime e paragjykime. I gjithë procesi dialogues ishte fund e krye i shtrënguar dhe ndillte idenë, brenda të dyja shoqërive, se përfaqësuesit e tyre, në fakt, nuk kishin se çka të bënin. Dialog mes kujt e kujt atëherë? Dhe për çka?

0
509

Jemi në prag të nisjes së fazës finale të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Fazë nga e cila pritet të prodhohet marrëveshja përfundimtare mes dy vendeve. Por, gjasat janë tepër të vogla që shoqëria kosovare në një anë, dhe ajo serbe në tjetrën, të pranojnë marrëveshjen dhe të vazhdojnë jetën përpara.

Papranueshmëria shoqërore për marrëveshjet ndërkombëtare të arritura kanë prodhuar jo veç tensione dhe antagonizma politike, por edhe luftëra. Mjafton t’i hedhim sytë veç brenda shekullit XX. Një rrezik i tillë ekziston edhe tash. Rrezik për luftë, ose për tensione të mëdha nga të cilat nuk do të dilnim ndonjëherë.

Në njërën anë kemi Vučić-in dhe përplasjet e tij me Kishën Ortodokse Serbe. Dhe në tjetrën, Thaçin dhe përplasjet e tij me opozitën e këtushme. Këto përplasje mbase do të përmbahen për një kohë të gjatë nga faktorët ndërkombëtarë, por forcat antagoniste të ndryera përbëjnë rrezik shumë të madh për të ardhmen. Ato mund të shpërthejnë në dhunë, duke e përpunuar narracionin e tyre nacionalist.

Kjo marrëveshje përfundimtare, pavarësisht përmbajtjes së saj, do t’i japë arsye për ekzistencë lloj-lloj politikanëve idiotë që nuk kanë kurrfarë programi ekonomik për dekadat që vijnë. Marrëveshja përfundimtare, e bërë përngutshëm, e pasuar nga një proces pa transparencë dhe jopërmbajtësor, e papërcjellur me zhvillime për pajtim e për mirëkuptim mes shoqërive tona nuk i nënshtrohet një vizioni afatgjatë.

BE-së i ka munguar në vazhdimësi serioziteti e ndjeshmëria në veprim, dhe mendjemprehtësia poashtu. Qysh në nisje të tij, procesi i fundit negociator që nisi në vitin 2011, operoi me parakuptime e paragjykime. I gjithë procesi dialogues ishte fund e krye i shtrënguar dhe ndillte idenë, brenda të dyja shoqërive, se përfaqësuesit e tyre, në fakt, nuk kishin se çka të bënin.

Dialog mes kujt e kujt atëherë? Dhe për çka? Askush nuk e kupton.

Për të kursyer kohë, ndoshta BE-ja do të duhej të formulonte një marrëveshje që në fillim – dhe t’i detyronte të dyja palët që t’i nënshtroheshin asaj.

Por, BE-ja vendosi të organizonte një farë teatri – dhe t’i lëvizte si në teatër kukullash, edhe politikanët në pozitë edhe ata në opozitë. Shihni çfarë ndodhi në Serbi me shndërrimet e Vučić-it e Dačić-it. Ndërsa në Kosovë ndodhi diçka edhe më qesharake. Deri-dje internacionalistët, u bënë papritmas nacionalistë. Kjo, sepse deri-dje nacionalistët ishin bërë papritmas internacionalistë. PDK-ja i zhveshi rrobat e nacionalizmit, sepse duhej të luante rolin e saj që të merrte përfitimet e saj. Vetëvendosje, që kishte një potencë për t’u bërë parti serioze e majtë e internacionaliste, i veshi rrobat nacionaliste të PDK-së, sepse i duhej të luante rolin e saj që të merrte poashtu përfitimet nga aktrimi që duhej të bënte.

Është e zorshme të parashihet se cili do të jetë reagimi pas marrëveshjes përfundimtare. Por, cilido qoftë, ai duhet të përcillet me një angazhim të mirëfilltë qytetar për pajtim e mirëkuptim ndërshoqëror, për një kundër-narrativë që do të përballte reagimin negativ, dhe përmes një shtytjeje nga vetë BE-ja drejt politikave ekonomike.

Kështu, ndoshta do ta mbyllnim gojën për një farë kohe!

SHARE