Fëmijët janë fajtorë

Sporti edhe një herë u poshtërua nga ana e politikanëve. Sportistët, ndonëse një nga grupet më të ndritshme shoqërore të secilës shoqëri, mbetën nën hijen e politikanëve, të dëshmuar si grupi shoqëror më i ndytë absolutisht i secilës shoqëri.

0
146

Ditëve të fundit, më saktësisht pas përfundimit të zgjedhjeve në kryeqytetin e Serbisë, tema kryesore e të gjithë zyrtarëve serbë e me këtë edhe të mediave është Kosova. Madje edhe për dikë që e përcjellë këtë temë dhe të gjitha ato që ndodhin në Kosovë dhe në lidhje me Kosovën, e konsiderohem i tillë, është vështirë të ndjekë dhe të kuptojë të gjitha porositë dhe mendimet që ditëve të fundit u dëgjuan në lidhje me Kosovën. OK, të gjithë e dimë që zyrtarët e Serbisë dhe të Kosovës kanë marrë afatin që “të normalizojnë” marrëdhëniet e tyre dhe që duhet të nënshkruajnë atë marrëveshje juridikisht të obligueshme. Por një histeri e tillë, megjithkëtë më ka befasuar pak. 

Diku kulminacioni i kësaj histerie, e me këtë edhe gjëja që më së shumti më ka hidhëruar, është pështjellimi i cili u krijua rreth zhvillimit të ndeshjes hendbollistike midis reprezentacioneve të reja të femrave të Serbisë dhe Kosovës e cila është dashur të luhej në Serbi në kuadër të turneut kualifikues për kampionatin botëror. Po e përsëris, ndeshja e reprezentacioneve të hendbollisteve të reja! E po ashtu do t’jua kujtoj të gjithë juve që EHF (Federata Evropiane e Hendbollit) është njëra nga organizatat e para sportive e cila e ka pranuar Kosovën në anëtarësinë e saj qysh para shumë vitesh.   

Pra, Serbia mori përsipër organizimin e këtj turneu kualifikues, i cili është paraparë të mbahet në Kragujevc. Kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla sportive, vendi i mbajtjes dihet mjaft kohë më përpara dhe procesi i organizimit zgjatë një kohë të caktuar, duke pasur parasysh që ky është një turne dhe ku marrin pjesë disa reprezentacione. Pra, është ditur edhe më heret që në këtë turne do të takohen seleksionet e Serbisë dhe Kosovës, është ditur që më parë se seleksioni i Kosovës duhet të vijë në Serbi ashtu që të luajë në këtë turne. Dhe kjo nuk është përmenur askund. Mirëpo, me rritjen e tensioneve politike rreth marrëveshjes së lartëpërmendur juridikisht të obligueshme, ashtu edhe kjo ndeshje depërtonte në plan të parë. Së pari doli informata se si Serbia (federata serbe e hendbollit) korri një fitore të madhe diplomatike (!), kështu që i tërë turneu do të luhet pa simbole shtetërore, e kjo pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës në të. Kjo shkaktoi reagimin e opinionit – si të luhet në Serbi e të mos ketë flamur të Serbisë dhe këtë për shkak të Kosovës?! Mandej, u mor vendimi që turneu të zhvendoset nga Kragujevci dhe të zhvillohet në një qendër sportive në rrethinën e Beogradit  dhe atë pa praninë e publikut. Do të thosha vendim politik që të ngriten edhe më tensionet dhe të shkaktohet reagim i opinionit publik. Natyrisht, ajo që pasoi qe reçeta e mirënjohur e pushtetit aktual serb, reagimet dhe kërcënimet e “grupeve të tifozëve”. Po, të po atyre grupeve të tifozëve që angazhohen sipas nevojës, p.sh. një vit janë angazhuar në shpërndarjen e paradës gay në Beograd, kur ishte politikisht e nevojshme, kurse qysh vitin tjetër parada u mbajt pa kurrfarë problemi, kur situata politike e kërkonte një gjë të tillë. Natyrisht, ndeshja u anulua dy orë para fillimit të planifikuar, kurse 5-6 orë para fillimit të takimit të Vučić-it dhe Thaçit në  Bruksel, me vendimin e Ministrit të policisë së Serbisë, Nebojša Stefanović-it.

Qëllimi politik u arrit (do të shihet më vonë pa ndonjë efekt real), kurse EHF-ja e përjashtoi reprezentacionin e Serbisë nga garat e mëtutjeshme. Vajzat nga Serbia që merren me sport mbetën pa garën e tyre për të cilat trajnohen dhe bëjnë përpjekje të mëdha. Vajzat nga Kosova, të cilat po ashtu janë vetëm sportiste, sigurisht kanë mbetur të habitura se për çka po ndodh e tërë kjo dhe pse ato janë fajtore për këtë, kur është dashur vetëm të luajnë hendboll, siç e kanë bërë këtë edhe më parë. 

Në fund të fundit, sporti edhe një herë u poshtërua nga ana e politikanëve. Sportistët, ndonëse një nga grupet më të ndritshme shoqërore të secilës shoqëri, mbetën nën hijen e politikanëve, të dëshmuar si grupi shoqëror më i ndytë absolutisht i secilës shoqëri. Mua më vjen turp nga kjo. Atyre sigurisht që jo. 

comments

SHARE