Fiasko zgjedhore e Kurtit 

Kurti dikur dinte të mahniste me retorikën dhe qëndrimet e tij, por në vepër ai tregoi një fytyrë tjetër. Përpjekja për të zbatuar ideologjinë e tij nuk mund të kalonte assesi;  radikalizmi i tij doli në sipërfaqe dhe konsideroj se kjo ishte rruga drejt kësaj fiasko zgjedhore. Sundimit të tij do t'i vijë fundi nëse ai vazhdon të trajtojë në këtë mënyrë qytetarët, por edhe BE-në dhe dialogun për të cilin Kosova ka nevojë së tepërmi.

0
407

Zgjedhjet në Kosovë përfunduan e kryeministri aktual, Albin Kurti, assesi nuk mund të jetë i kënaqur me rezultatin. Vetëvendosje e tij, e cila e mban pushtetin qendror, mund të thuhet se përjetoi një debakël të vërtetë. Kjo parti ka fituar vetëm në 4 (katër) nga 38 komunat e Kosovës. Në këto 4 komuna kanë arritur sukses vetëm në raundin e dytë, ndërsa kanë pasur kandidatë për kryetarë në 12 komuna. Numri i votave të Vetëvendosjes është përgjysmuar në krahasim me zgjedhjet parlamentare të shkurtit, kështu që imponohet pyetja çfarë ka gabuar Kurti, çfarë fushate zgjedhore ka pasur, a po ia kthen populli shpinën dalëngadalë?

Prishtina, e as qytetet tjera më të mëdha si Prizreni, Mitrovica, Peja, nuk janë nën udhëheqjen e Vetëvendosjes. Kjo tregon se Kurti ose nuk ka pasur kandidatë të mirë ose populli ka humbur durimin për shkak se ndryshimet e premtuara nuk janë zbatuar. Ajo me të cilën do të duhet të kënaqet Vetëvendosje janë fitoret në komunat e Shtimes, Podujevës, Gjilanit dhe Kamenicës.

Nuk do të ketë absolutizëm në Kosovë, ky është një lajm i shkëlqyeshëm. Në tetë muajt e fundit, një njeri i ka tërhequr të gjithë penjtë, ndërsa shpresoj që pas këtyre zgjedhjeve ai të mos ketë mundësi ta bëj këtë. Kjo është diçka e mirë për popullin, është e mirë që njëmendësia të mos jetë e përfaqësuar në Kosovë. Kam krijuar përshtypjen se veprimet radikale të njëanshme të Kurtit mund të rrezikojnë gjithçka që kanë bërë paraardhësit e tij dhe veprime të tilla ka pasur mjaft në periudhën e mëparshme.   

Është mirë që fuqia e kryeministrit Kurti bile është lëkundur nga zgjedhjet, andaj tani ai do të duhet të merret edhe me problemet e brendshme. Nëse ende mendon të jetë lider i Kosovës, ai ndoshta do të duhej të sillej në mënyrë më të përshtatshme si ndaj bashkësisë ndërkombëtare ashtu edhe ndaj votuesve. Nganjëherë mendoj sikur ai po punon kundër Kosovës, sikur po përpiqet ta largojë Kosovën nga vlerat demokratike të Evropës.

Kurti dikur dinte të mahniste me retorikën dhe qëndrimet e tij, por në vepër ai tregoi një fytyrë tjetër. Përpjekja për të zbatuar ideologjinë e tij nuk mund të kalonte assesi;  radikalizmi i tij doli në sipërfaqe dhe konsideroj se kjo ishte rruga drejt kësaj fiasko zgjedhore. Sundimit të tij do t’i vijë fundi nëse ai vazhdon të trajtojë në këtë mënyrë qytetarët, por edhe BE-në dhe dialogun për të cilin Kosova ka nevojë së tepërmi. 

Ajo që është interesante, në mënyrë paradoksale, është se një parti e pakicës në Kosovë, d.m.th. Lista Serbe ka shënuar më së shumti fitore, madje në 10 komuna. Edhe optimistët më të mëdhenj nuk do ta kishin pritur këtë, por ja që ndodhi. Komunat me shumicë serbe janë lojale ndaj Beogradit dhe Serbisë, të cilët zyrtarisht e mbështesin këtë listë, kështu që ky rezultat është i pritshëm. 

Lista Serbe ka bërë të ditur se nëse nuk formohet Bashkësia e komunave serbe(BKS), e cila është paraparë me marrëveshjen e Brukselit, ajo do të largohet nga institucionet, me çka do të hapet një krizë e re, e ndoshta edhe zgjedhje të reja. Qëndrimi i Kurtit për BKS-në është i njohur, kështu që në skenën politike të Kosovës tashmë shihen probleme të reja, nëse Lista Serbe do të mbajë fjalën. Krahas këtij problemi, ka edhe një problem tjetër që i shkakton dëme të mëdha, e ai është qëndrimi ndaj UÇK-së dhe politika që doli nga kjo organizatë. Kjo është një nga arsyet që ia pakësoi elektoratin e Vetëvendosjes.  

Është tejet e sigurt që para nesh janë kohë të trazuara. Na duhen njerëz të arsyeshëm që nuk do të krijojnë pasiguri, të cilët do të fokusohen në punë, paqe dhe prosperitet. Shpresoj që ky rezultat i zgjedhjeve ta kthjellojë Kurtin. Në qoftë se kjo nuk ndodh, na presin edhe më shumë ditë të vështira dhe stagnim. Thuajse pak po ngecim prapa “Evropës”.  

 
Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.