Fitorja e Bidenit, ‘zgjidhje magjike’ për Kosovën?

0
127

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në fillim të këtij muaji, që rezultuan me fitoren e demokratit, Joe Biden, ishin në fokus të diskutimeve të medieve dhe analistëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Shumë prej tyre konsiderojnë se fitorja potenciale e Biden-it do të jetë dobiprurëse për Kosovën dhe se kjo mund të sjellë vëmendjen e duhur ndërkombëtare për ta çuar tutje dialogun me Serbinë.  

Me Biden-in tani në krye, udhëheqja serbe përballet me sfida të reja, konsideron Vuk Vuksanovic, hulumtues doktoral për marrëdhëniet ndërkombëtare në LSE. ‘Sfida e parë ka të bëjë me Kosovën. Disa presin që Biden në këndvështrimin e tij më transatlantik do të koordinojë politikën amerikane për Ballkanin me BE-në, duke përfshirë vendin e saj më me ndikim, Gjermaninë,” shkruan Vuksanovic dhe shton se “për Vučić-in, makthi është që Gjermania dhe SHBA bashkërisht t’i bëjnë presion që ai të njohë Kosovën, pa ndonjë zgjidhje që ia ruan fytyrën dhe që mund t’u shitet votuesve serbë.’

Se zgjedhja e Joe Biden si president i SHBA-së paralajmëron fillim të ri, mendojnë edhe dy ish-diplomatët, Bernard Nikaj dhe Labinot Hoxha. Sipas tyre, presidenca e tij do të jetë jetike për rolin e BE-së në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. ‘Realiteti është se Serbia do të duhet të njohë pavarësinë e Kosovës në fund të dialogut, ose nuk do të ketë marrëveshje. Një realitet tjetër është se si Kosova ashtu edhe Serbia janë në këtë çështje për premtimin më të madh të integrimit në BE. Pa këtë stimul, nuk mund të arrihet shumë në këtë proces,’ shkruajnë Nikaj dhe Hoxha. Sipas tyre, nëse e marrim parasysh entuziazmin me të cilin u prit lajmi për fitoren e Joe Biden nga udhëheqja e BE-së, mund të presim një marrëdhënie shumë më të ngushtë midis SHBA dhe BE duke filluar nga janari 2021.

Asnjë figurë tjetër politike amerikane nuk e ka besueshmërinë e Joe Biden-it në çështjet e Ballkanit, konsideron Mike Hatzel, i Institutit të Universitetit John Hopkins pë Politika të Jashtme, SAIS. ‘Si President, duke punuar me aleatët tanë të BE-së, ai do të ishte në një pozicion unik për të gjallëruar dialogun midis Serbisë dhe Kosovës dhe për të forcuar përpjekjet për të kapërcyer ndasinë e mbetur midis komuniteteve serbe dhe shqiptare të Kosovës. Duke bërë këtë Biden do t’i shërbejë interesit jetësor të Amerikës në një rajon të Ballkanit paqësor, ku dy herë shkuam në luftë në vitet 1990’ shkruan Hatzel. 

Megjithatë, jo të gjitha janë optimist. Aidan Hehir, profesor i asociuar për marrëdhëniet ndërkombëtare pranë Universitetit të Uestminster-it, konsideron se Biden nuk është ‘zgjidhja magjike’ për Kosovën. ‘Pengesa e parë për realizimin e vizionit të Biden-it për Kosovën është fakti i thjeshtë se SHBA janë shumë më pak të fuqishme sot se sa dikur. Ka kaluar koha kur SHBA mund të ushtronte autoritet të parezistueshme mbi aleatët dhe armiqtë e saj. Kosova përfitoi më së shumti nga mbështetja e SHBA-së pikërisht në atë kohë kur SHBA ishte në kulmin e saj, dhe rënia e fuqisë amerikane ka ndikuar në statusin ndërkombëtar të Kosovës.’ Më tutje, sipas Hehir, duke pasur parasysh një sërë sfidash të mëdha me të cilat përballen SHBA, është e vështirë të imagjinohet që Biden do t’i japë prioritet Kosovës.

Si kundërpërgjigje ndaj skepticizmit të Hehir, Drilon Gashi, ekspert i zhvillimit ndërkombëtar në Uashington, konsideron se ndonëse presidenti i zgjedhur Biden i vetëm nuk do të jetë zgjidhje për problemet e Kosovës, ai e njeh Kosovën dhe rajonin për së afërmi dhe mund t’i rregullojë problemet e rajonit. “Ai është i nevojshëm tani më shumë se kurrë: të inkurajojë zhvillimin ekonomik dhe një angazhim për qeverisje të mirë, të ndihmojë në arritjen e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe KB dhe të inkurajojë më tej Serbinë që të njohë Kosovën”, shkruan Gashi, i cili beson se “SHBA e udhëhequr nga Presidenti Biden – një mik i mirë i Kosovës në kohë të vështira – mund t’i realizojë interesat e Kosovës dhe të ndihmojnë në integrimin e vendit siç nuk ka bërë asnjë president para tij.

Ndërkaq, publicisti Veton Surroi, konsideron se presidenti Biden do të korrigjojë gabimet në politikën e jashtme të presidentit Trump, por se pas Grenellit “nuk vjen anti-Grenelli; vijnë vektorët brenda të cilëve duhet ta gjejnë veten Kosova dhe regjioni.” Sipas Surroit, presidenti Trump po ia lë Biden-it jo vetëm një konflikt të papërfunduar, por edhe ca ndërlikime të mëtejme. “Ai dhe i dërguari i tij larguan rolin tradicional amerikan – ai i cili merret me çështjet e ‘rënda’ të shtetndërtimit, pra sovraniteti, kufijtë, aranzhimet kushtetuese – dhe u morën me çështje të ‘buta’, tradicionalisht evropiane, sikurse janë liritë e këmbimeve tregtare, etj. E pa SHBA-në, siç u pa në dhjetëvjetëshin e kaluar, nuk ka zgjidhje të çështjes së njohjes së Republikës së Serbisë nga Kosova.’

SHARE