Fitorja e opozitës dhe 10:0 për Serbinë 

Këto zgjedhje sipas të gjitha gjasave kanë krijuar një lider të ri midis shqiptarëve, ndërsa përfaqësuesit e vjetër të serbëve i kthyen në parlamentin e Kosovës. Për disa diçka e pritur dhe e parashikueshme, për disa të tjerë ndoshta edhe jo, por gjithsesi para nesh janë ditë jashtëzakonisht interesante.

0
673

Edhe një palë zgjedhje janë pas nesh. Pas 6 tetorit 2019 Kosovën e pret një përbërje e re e parlamentit, por, para së gjithash, edhe një Qeveri e re. Derisa të gjithë me padurim e prisnim vendimin zgjedhor, rezultati sikur kishte qenë i parashikueshëm. Apo ndoshta vetëm i pritur një kohë të gjatë. 

Në fakt, nëse asgjë tjetër, këto zgjedhje treguan vetëm një gjë: qytetarët janë tejet të pakënaqur me politikën e gjertanishme të Kosovës. Së paku qytetarët e komunitetit shqiptar. Shumicën në parlament do ta përbëjnë, deri më tani, partitë opozitare Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Sipas rezultateve momentale, Vetëvendosje është në epërsi me disa mija vota e me këtë edhe lideri i kësaj partie, Albin Kurti, paralajmëron politikën e vet kur dhe nëse do të bëhet kryeministër. Përveç kësaj, ai e paralajmëron Qeverinë e re me partinë tjetër opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila sipas numrit të votave hap pas hapi po e ndjekë Vetëvendosjen.   

Duke i marrë parasysh zgjedhjet e mëparshme dhe rritjen gjithnjë e më të madhe të pakënaqësisë midis shqiptarëve në Kosovë, kjo fitore e madhe e partive opozitare nuk është asgjë e re, por ashti siç edhe u tha më heret, ishte diçka e pritur. Por edhe sa për ndryshim, për herë të parë këto zgjedhje sollën udhëheqjen e një partie e cila nuk është në mënyrë direkte e lidhur me historitë e luftës në Kosovë. 

Derisa në këtë rast fitoi opozita, pyetja është se kush fitoi në anën serbe? 

Paj, edhe ai rezultat ishte i pritur. Definitivisht më shumë se sa rezultatet e mësipërme. Në fakt, me rreth 98% të votave të serbëve, Lista Serbe mori që të 10 mandatet që u takojnë serbëve. Derisa pyesnim se si do të festohet kjo nga ana e liderëve serbë dhe shpresonim se nuk do të jetë skandaloze si herën e kaluar, këtu pritjet tona na mashtruan. Liderët serbë kremtuan fitoren në qendër të pjesës veriore të Mitrovicës duke përshëndetur Milan Radojičić-in dhe trumbetarët. Edhe një herë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić dhe shefi i zyrës për Kosovë, Marko Đurić, shpallën fitoren prej 10:0 dhe festuan, siç e thotë presidenti serb, “fitoren më bindëse në historinë e Listës Serbe”. Edhe pse të gjithë ne ende nuk e kemi të qartë pse dikush do të festonte fitoren e Serbisë kur bëhet fjalë për zgjedhjet në shtetin e Kosovës, duket se po vazhdojnë festimet e fitoreve me nga 10:0.

Këto zgjedhje sipas të gjitha gjasave kanë krijuar një lider të ri midis shqiptarëve, ndërsa përfaqësuesit e vjetër të serbëve i kthyen në parlamentin e Kosovës. Për disa diçka e pritur dhe e parashikueshme, për disa të tjerë ndoshta edhe jo, por gjithsesi para nesh janë ditë jashtëzakonisht interesante.   

Derisa me padurim presim se çka do të sjellin rezultatet e këtyre zgjedhjeve, po bëhet gjithnjë e më e pasigurt nëse Qeverinë e re të Kosovës do ta përbëjë opozita e gjertanishme, a do të ketë vend për përfaqësuesit serbë në atë Qeveri të re, por ajo që mbetet gjëja më interesante është: si do të duken negociatat në Bruksel nëse ato do t’i udhëheqë Albin Kurti.