Fjalimi i kryeministrit, Tony Blair, për Kosovën, më 23 mars 1999 në parlamentin britanik

0
123

Ndërsa po flas, ende është e paqartë se cili do të jetë rezultati i bisedimeve të Z. Holbrooke, në Beograd, por ka pak vend për të qenë optimist. Bazuar në supozimin se ato nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e presidentit Millosheviç dhe shtypja në Kosovë nga forcat serbe vazhdon, Britania është e gatshme me aleatët e saj në NATO të ndërmarrë veprime ushtarake.

E bëjmë këtë për arsye shumë të qarta. E bëjmë kryesisht për të shmangur atë që përndryshe do të jetë katastrofë humanitare në Kosovë. Më lejoni t’i jap parlamentit një indikacion të shkallës së asaj që po ndodhë. Një çerek milioni kosovarë – më shumë se 10% e popullsisë – janë pa strehë si rezultat i shtypjes nga forcat serbe; 65 mijë njerëz janë larguar me forcë nga shtëpitë e tyre gjatë muajit të kaluar; dhe jo më pak se 25 mijë në katër ditët që pasuan që nga ndërprerja e bisedimeve të paqes; dhe vetëm dje, 5 mijë njerëz në rrethinën e Skënderajt u larguan me forcë nga fshatrat e tyre.

Një pjesë e madhe e rajonit të Drenicës në Kosovën veriore po spastrohet nga shqiptarët etnikë. Të gjitha fshatrat të cilat vëzhguesit e Komisionerit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara mund t’i shihnin dje në rajonin e Gllogovcit dhe Skënderajt ishin në flakë. Familjet po zhvendosen dhe po detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre. Ka njoftime se persona të maskuar po i ndajnë burrat veç: nuk e dimë cili do të jetë fati i tyre, por parlamentit do t’i kujtohet që në Srebrenicë, burrat u vranë. Që nga vera e kaluar, 2 mijë njerëz kanë humbur jetën. Pa forcën ndërkombëtare të verifikimit, s’ka dyshim që numrat do të ishin jashtëzakonisht më të lartë.

Veprojmë edhe sepse e dimë prej përvojës së hidhur gjatë këtij shekulli, më së fundi në Bosnjë, se jostabiliteti dhe lufta civile në një pjesë të Ballkanit pashmangshmërisht shpërndahet në tërë rajonin, dhe prekë edhe pjesën tjetër të Evropës. Ia rikujtoj parlamentit se janë më shumë se 1 milion refugjatë nga ish-Jugosllavia në Bashkimin Evropian.

Nëse Kosova lihet nën mëshirën e shtypjes serbe, nuk ka thjesht rrezik, por ka gjasa për rindezjen e trazirave në Shqipëri, destabilizim të Maqedonisë, efekte pothuajse të sigurta indirekte në Bosnjë, dhe tensione të mëtejshme në mes të Greqisë dhe Turqisë. Në rrezik janë interesat strategjike për gjithë Evropën. Nuk mund ta sodisim, në prag të BE-së, një shpërbërje drejt kaosit dhe rrëmujës.

Popullit të Kosovës i kemi dhënë një premtim shumë të thjeshtë. Mijëra prej tyre u kthyen në shtëpitë e tyre si rezultat i armëpushimit të negociuar tetorin e kaluar. U thamë atyre dhe Millosheviçit se nuk do ta toleronim shtypjen brutale të popullësisë civile. Pas masakrës së Reçakut, u përsëritën këto kërcënime dhe paralajmërime ndaj Millosheviçit. Të zmbrapsemi tani jo vetëm që do ta shkatërronte kredibilitetin e NATO-s; më e rëndësishmja, do të ishte shkelje e besimit të mijëra civilëve të pafajshëm, dëshira e vetme e të cilëve është të jetojnë në paqe, dhe të cilët i besuan fjalës sonë.

Këtë e them për popullin britanik: është përgjegjësi e rëndë për qeverinë ta justifikojë vënien e forcave të armatosura në betejë. Paralajmëroj se pasojat e mundshme të veprimit ushtarak janë serioze, si për forcat e NATO-s ashtu edhe për njerëzit në rajon. Vuajtja e tyre nuk mund të përfundojë brenda natës. 

Por, sipas gjykimit tim, pasojat e mosveprimit janë edhe më serioze për jetët e njerëzve dhe paqen në afat të gjatë. Duhet të veprojmë për t’i shpëtuar mijëra burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm nga katastrofa humanitare – nga vdekja, barbarizmi dhe spastrimi etnik nga një diktaturë brutale – dhe ta shpëtojmë stabilitetin e rajonit të Ballkanit, ku e dimë se kaosi mund ta gllabërojë të gjithë Bashkimin Evropian. Prandaj, nuk kemi alternativë pos të veprojmë, dhe do të veprojmë, përveç nëse Millosheviçi e zgjedh rrugën e paqes.

Më lejoni shkurtazi t’i përmbledhë muajt e fundit. Tetorin e kaluar, NATO-ja kërcënoi me përdorim force për ta siguruar pajtimin e Millosheviçit për armëpushim dhe përfundimin e shtypjes që po ndodhte gjatë asaj periudhe. Rezultoi me sukses – së paku, për pak kohë. Përpjekjet diplomatike, të mbështetura me kërcënim nga NATO, çuan në krijimin e një misioni verifikues për Kosovën prej 1,500 pjesëtarësh. Një forcë e NATO-s për shpëtim u krijua në Maqedoninë fqinje në rast se vëzhguesit hasin në vështirësi.

Në të njëjtën kohë, Millosheviçi i dha një premtim të dërguarit të SHBA-së, Z. Holbrooke, se do t’i tërhiqte forcat serbe në mënyrë që numri i tyre të rikthehej në nivelin që ishte para shkurtit 1998 – domethënë, afërsisht 10,000 trupa të sigurisë së brendshme dhe 12,000 trupa ushtarake jugosllavë. Millosheviçi nuk e përmbushi asnjëherë këtë zotim; në të vërtetë, numrat u rritën. Besojmë se tani janë diku rreth 16,000 trupa të sigurisë së brendshme dhe 20 mijë trupa ushtarake në Kosovë, me 8 mijë përforcime ushtarake të vendosura menjëherë matanë kufirit.

Në janar, NATO-ja e paralajmëroi Millosheviçin se do të reagonte nëse nuk vepron në përputhje me marrëveshjet që kishte lidhur në tetor, nëse shtypja vazhdonte dhe nëse e pengonte procesin e paqes. Millosheviçi nuk e përmbushi asnjërën nga këto kërkesa.

Edhe atëherë, u zhvilluan përpjekje intensive diplomatike. Miku im i nderuar, Sekretari i Jashtëm, dhe kolegu i tij francez, Z. Védrine, kryesuan së bashku bisedimet e paqes në Francë. Ekziston një marrëveshje në tryezë. Do të garantohej autonomia për Kosovën, me një kuvend të zgjedhur në mënyre demokratike, institucione llogaridhënëse dhe forca policore të kontrolluara në nivel lokal. Pas tri viteve, statusi i Kosovës do të rishqyrtohej. Të drejtat e të gjithë banorëve të saj – përfshirë serbët – do të mbroheshin, pavarësisht origjinës së tyre etnike. Dhe konflikti i tmerrshëm që ka qenë mallkim për jetën e njerëzve të saj do të përfundonte. Shqiptarët e Kosovës e kanë nënshkruar marrëveshjen për paqe. Serbët jo. Ata janë zmbrapsur nga zotimet që i kanë bërë në dokumentet politike në bisedimet në Rambuje, dhe refuzojnë të lejojnë një forcë paqëruajtëse në Kosovë nën komandën e NATO-s për ta mbështetur zbatimin e marrëveshjes.

Duhen dy palë për të bërë paqe. Deri tani, vetëm njëra palë ka treguar gatishmëri për ta bërë këtë zotim. Ishte Millosheviçi ai që ia hoqi autonominë Kosovës në vitin 1989. Është Millosheviçi ai që po refuzon ta zgjidhë një problem politik me mjete politike.

Aksioni i NATO-s do të ishte në formë të bombardimeve ajrore. Do t’i përfshijë shume vende të NATO-s. E ka mbështetjen e plotë të NATO-s. Objektiv minimal do ta ketë frenimin e represionit së vazhdueshëm serb në Kosovë në mënyrë që ta shmangë një tragjedi humanitare. Andaj, do t’i marrë në shënjestër kapacitetet ushtarake të diktaturës serbe. Për ta shmangur këtë veprim, Millosheviçi duhet të bëjë çka ka premtuar tetorin e kaluar – t’i japë fund shtypjes, t’i tërheqë trupat në kazerma, ta zbresë nivelin e tyre sipas marrëveshjes dhe t’i tërheqë nga Kosova tanket, artilerinë e rëndë dhe armët tjera që i solli në Kosovë në fillim të vitit të kaluar. Ai duhet të pajtohet me propozimet e përcaktuara në marrëveshjen e Rambujesë, përfshirë një forcë tokësore të udhëhequr nga NATO.

Çfarëdo sulmi nga forcat serbe kundër personelit të NATO-s të përfshirë në misione paqeruajtëse në vende tjera të rajonit do të ishte plotësisht i pajustifikueshëm dhe do të haste në kundërpërgjigje të menjëherëshme dhe të ashpër në vetëmbrojtje. Presidenti Millosheviç nuk duhet ta vë në dyshim vendosmërinë tonë për t’i mbrojtur forcat tona dhe për të reaguar ashtu siç kërkohet ndaj çdo kërcënimi ndaj tyre. 

Z. Holbrooke ia ka bërë të qartë Millosheviçit qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare. Nuk mund të ketë dyshim se çka është në rrezik. Zgjedhja tani i takon atij. Millosheviçi mund të zgjedhë paqe për banorët e Kosovës dhe fundin e izolimit të Republikës Federale të Jugosllavisë në Evropë, ose mund ta zgjedhë konfliktin e vazhdueshëm dhe pasojat serioze që pasojnë.

Shpresoj që parlamenti do t’më bashkangjitet për t’i bërë thirrje presidentit Millosheviç ta zgjedhë rrugën e paqes, dhe se do ta mbështesë NATO-n dhe veprimin e bashkësisë ndërkombëtarenëse ai nuk e zgjedh këtë rrugë. https://api.parliament.uk/historic-hansard/commons/1999/mar/23/kosovo

SHARE