Frika nga integrimi

Ai është punonjës i arsimit në një shkollë të mesme në veri të Mitrovicës dhe ndoshta mund të cilësohet si njeri me fat që për të njejtën punë që bën merr dy paga, njërën nga qeveria e Serbisë, tjetrën nga ajo e Kosovës.

0
464

Ai është punonjës i arsimit në një shkollë të mesme në veri të Mitrovicës dhe ndoshta mund të cilësohet si njeri me fat që për të njejtën punë që bën merr dy paga, njërën nga qeveria e Serbisë, tjetrën nga ajo e Kosovës.

Për bashkëbiseduesin tonë, që preferon të mos i përmendet emri, marrja e rrogës nga dy shtete është krejtësisht normale. “Fakti që dikush i merr dy rroga nuk përjetohet si veprim i turpshëm, akt kriminal apo diçka e ngjashme, por vetëm si një e drejtë, pasi që të dyja palët na trajtojnë si qytetarë të tyre, kështu që ndaj këtyre qytetarëve kanë të njejtat obligime,” thotë ai.

Edhe pse nuk e njeh shtetin e pavarur të Kosovës dhe shkolla në të cilën jep mësim punon me planprogram të Serbisë, ky mësimdhënës mendon se krahas pagës nga Serbia, meriton të paguhet edhe nga Kosova. Vlerëson se në 16 vjetët e fundit serbët kanë qenë të diskriminuar nga institucionet e Kosovës dhe kanë jetuar në kushte të vështira sociale dhe ekonomike.

Pavarësisht se Beogradi disa herë i kishte porositur që të mos marrin paga nga buxheti i Kosovës, duke i paralajmëruar se do të mund të ndëshkoheshin për këtë me ndërprerje të pagave nga buxheti i Serbisë, bashkëbiseduesi ynë thotë se ai dhe shumë kolegë të tij e kanë shpërfillur këtë porosi.

“Disa individë kanë vendosur që të marrin rrogë nga të dyja sistemet, thjesht për arsye pragmatike. Është krejtësisht logjike që askush nuk do të refuzonte të merrte të ardhura nga burime tjera në qoftë se do t’i ofrohej kjo mundësi. Edhe dikujt nga pala shqiptare nëse do t’i ofrohej mundësia për të marrë rrogë apo pension nga qeveria e Serbisë, me siguri që do të pranonte menjëherë, apo jo?” pyet ai.

Mësimdhënësi serb që jeton dhe punon në veri të Mitrovicës tregon për New Perspektiva se të dyja pagat i merr përmes xhirrollogarisë bankare, por thekson se paga e Serbisë është dukshëm më e mirë. Varësisht nga vendi i punës dhe numri i orëve që mbajnë, pagat e mësimdhënësve serbë të shkollave fillore dhe të mesme – sipas tij – janë nga 200 deri në 300 euro më të larta nga buxheti i Serbisë në krahasim me atë të Kosovës.

Tani ai dhe shumë pjesëtarë të tjerë të komunitetit të tij druajnë se të ardhurat e tyre mund t’u zvogëlohen. Me mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri sipas ligjeve të Kosovës dhe marrëveshjen e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit parashihet që veriu të integrohet gradualisht në sistemin e Kosovës. Rrjedhimisht, burim financiar kryesor për komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe do të jetë buxheti i Kosovës.

Qeveria në Prishtinë u ka ndarë këtyre komunave buxhetin për vitin 2015, por ato kanë refuzuar që ta miratojnë buxhetin sipas qarkores së propozuar nga Ministria e Financave duke kërkuar buxhet tetëfish më të madh. Poashtu komuna e Mitrovicës Veriore, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë refuzuar që shëndetësia dhe arsimi të futen në këtë buxhet, duke kërkuar linja të veçanta buxhetore përmes Asociacionit të Komunave Serbe, që pritet të themelohet këtë vit. Për shkak të mospërfilljes së afateve ligjore për miratimin e buxhetit, qeveria në Prishtinë u ka bllokuar xhirollogaritë bankare këtyre komunave nga data 1 mars.

Arsimtari serb në veri të Mitrovicës me të cilin kemi biseduar nuk ka fshehur frikën për atë se çfarë do të ndodhë me pagat e tyre në qoftë se zbatohet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. “Është e pranishme frika, shqetësimi dhe pasiguria për financimin tonë në të ardhmen dhe mundësinë potenciale që të punësuarit të largohen nga buxheti i qeverisë së Serbisë si rezultat i pikave të mundshme të marrëveshjes së Brukselit në të ardhmen dhe lënien e veriut në dorë të procesit të integrimit në Kosovë, përkatësisht largimit të institucioneve serbe që është rezultat i ratifikimit të kësaj marrëveshje,” shprehet ai.

Pasiguria dhe frika nga integrimi në institucionet e Kosovës ka qenë e pranishme ndër vite edhe tek serbët e komunave të tjera ku ata janë shumicë, siç është ajo e Graçanicës, Novobërdës, Ranillugut, Kllokotit e Parteshit, por ata tashmë janë integruar në sistemin ligjor të Kosovës.

Bajrush Ymeri ka qenë kryetar i komunës së Novobërdës kur kjo komunë u zgjerua në territor nga 92 km2 në 204 km2 duke përfshirë në kufinjtë e saj shumë fshatra serbe. Sot komuna udhëhiqet nga një serb, ndërsa ai mban pozitën e nënkryetarit. Ymeri thotë se kur u zgjerua Novobërda, ka vizituar shumë fshatra në të cilat jetojnë serbët e romët. Infrastruktura në këto fshatra ishte shumë e pazhvilluar, kujton ai, por duke kërkuar mbështetjen politike nga komuniteti, thotë se ka arritur të zhvillojë Novobërdën dhe të kultivojë raporte mjaft të mira ndërmjet qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike.

“Është shumë lehtë të arrish rezultete si në jug, ashtu edhe në veri. Vetëm duhet vullnet për punë dhe që kjo punë të bëhet me sinqeritet të madh. Natyrisht që për të pasur rezultate, është dashur kohë, mund dhe vullnet, sepse përkushtimi dhe vullneti janë elemente shumë të rëndësishme në këtë drejtim,” thotë Bajrush Ymeri.

Duke kujtuar momente nga udhëheqja e komunës gjatë mandatit të tij, ai thotë se ka pasur bashkëpunim shumë të mirë me qeverinë qendrore në Prishtinë. Sa i përket buxhetit, Ymeri tregon se kuvendi komunal ka miratuar sipas afatit ligjor shumën e lejuar nga Ministria e Financave, pavarësisht se kërkesat e tyre kanë qenë më të mëdha.

“Edhe ne kemi pasur problem sa i përket shëndetësisë dhe arsimit sepse sipas kritereve të përcaktuara nga Ministria e Financave, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore është përcaktuar qartë se sa punëtorë duhet të ketë shëndetësia e sa arsimi. Në njërën anë merret parasysh numri i banorëve e në anën tjetër numri i nxënësve. Kështu ne jemi munduar t’i sistemojmë disa nëpër lista të buxhetit të komunës, por jo të gjithë”, tregon Ymeri.

“Për shembull në shkolla që financohen nga Serbia, norma e plotë e punës së tyre është 16 orë, ndërsa te ne është 20 orë. Pra ka aq numër të madh të arsimtarëve në ato shkolla, sa që edhe dyfish ta kishim buxhetin, nuk do të mund t’i përfshinim të gjithë. Për shembull shkolla “Sveti Sava” në fshatin Parallovë numëron 16 nxënës, ndërsa numri i personelit arsimor dhe teknik është 24,” shton ai.

Z.Ymeri thotë se e kupton që në veri të Kosovës situata është më e ndërlikuar për shkak se që nga viti 1999 banorët e atjeshëm kanë pasur lidhje të forta me Beogradin. Por ai beson se ata munden dhe duhet të integrohen në institucionet e Kosovës. “Unë konsideroj se komunat në veri dhe zyrtarët e tyre fillimisht duhet ta kuptojnë sinqerisht situatën në të cilën gjenden dhe të fillojnë të jetojnë me realitetin e krijuar në Kosovë. Thjesht të binden me ligjet dhe rregullat në fuqi, sepse ata jetojnë në Kosovë e jo në Serbi. Ky është hapi i parë që duhet ta bëjnë, pa të cilin nuk mund të ecin përpara,” porosit Ymeri. I kupton serbët e veriut që kërkojnë buxhet më të madh, por thotë se secili duhet ta marrë atë që i takon, sepse “kriteret duhet të vlejnë njësoj për të gjithë”.

Komuna e Novobërdës është një nga tregimet e suksesshme për integrimin e serbëve dhe pakicave të tjera, të cilat me Kushtetutën e Kosovës gëzojnë të drejta të gjëra siç është përfaqësimi i tyre i garantuar në institucionet qendrore dhe ato lokale, shkallë të lartë të autonomisë në disa komuna si dhe të drejtën e bashkëpunimit me Serbinë. Edhe komunat në veri të Kosovës mbase do të përfitonin nga përpjekjet për ta kuptuar më mirë sistemin e qeverisjes lokale në Kosovë dhe mundësitë që ofron ai kur zbatohet në mënyrë të efektshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

SHARE