Frika nga stigma dhe mangësitë ligjore vështirësojnë regjistrimin e viktimave të dhunës seksuale

Ligji për statusin e viktimave të dhunës seksuale të luftës u njeh statusin viktimave që i janë nënshtruar dhunës seksuale në periudhën mes shkurtit 1998 dhe qershorit 2000. Organizata të shoqërisë civile, por edhe hulumtuesë të OKB-së, kanë rekomanduar që të zgjatet ky  afat kohor.

0
208

Pak muaj pasi në Kosovë ka nisur aplikimi për statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, që u mundëson atyre të marrin një pension, Komisioni Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit të Viktimës së Dhunës Seksuale po përballet me një interesim të vogël për këtë status.

Mijëra të mbijetuar të dhunës seksuale të luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë prej gati dy dekadash kanë vazhduar përpjekjet për njohjen e statusit të tyre, por tani që kjo është e mundur, mangësitë ligjore dhe frika nga stigma pengojnë ato të përfshihen në këtë proces.

Ligji aktual u njeh statusin e të mbijetuarve të dhunës seksuale viktimave që i janë nënshtruar dhunimit në periudhën mes 27 shkurtit të vitit 1998 dhe 20 qershorit të vitit 1999 kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova pas ndërhyrjes NATO-s. Organizatat e shoqërisë civile, por edhe hulumtues të OKB-së, kanë kërkuar që ky afat kohor të zgjatet të deri në fund të vitit 2000.

Rekomandimet e deritashme janë bazuar kryesisht në kërkesat e organizatave të shoqërisë civile në mënyrë që të sigurohet që ligji të përfshijë edhe viktimat e dhunës seksuale pas 20 qershorit të vitit 1999.  Afati kohor do të ishte në përputhje me periudhën përcaktuar tashmë në ligjin bazë për kategorinë e “personit civil të zhdukur”.

Megjithatë në qeveri kanë mohuar që ka ndonjë iniciativë për  amandamentimin e  këtij ligji.

Bazuar në raportet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Human  Rights Watch, forcat serbe përdorën dhunën seksuale si armë lufte për të poshtëruar, frikësuar dhe zhvendosur me forcë civilët shqiptarë  të Kosovës dhe si një mjet për të ndryshuar demografinë e territorit.

Pas shpalljes së pavarësisë, autoritetet në Kosovë për një kohë të gjatë u siguruan kategorive të tjera të luftës (familjeve të dëshmorëve, invalidëve, veteranëve  dhe viktimave civile të luftës) një pension, kujdes shëndetësor dhe përfitime të tjera. Por të mbijetuarit e dhunës seksuale u desh shumë më shumë të presin që t’u njihet statusi i viktimës.

Një nga mangësitë e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe viktimave të dhunës seksuale të luftës, është afati kohor dhe përfitimet jo të barabarta me kategoritë e tjera të luftës.

Kryetarja e Komisionit të Qeverisë së Kosovës për Njohjen dhe Verifikimin e statusit të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës së Kosovës, Minire Begaj, thotë se procesi verifikues nuk përjashton viktimat e asnjë nacionaliteti. “Komisioni u kërkon viktimave që aplikojnë për këtë status vetëm dëshmi për të mbështetur ato që ato kanë përmendur në aplikacion”, ka thënë Begaj.

Siobhan Hobbs, e cila në vitin 2016 ka hartuar një raport të UN Women, organizatës së Kombeve të Bashkuara që angazhohet për barazi gjinore dhe fuqizim të grave, mbi gjendjen e vështirë të viktimave të dhunës seksuale në Kosovë, rekomandon një varg ndryshimesh në këtë ligj.

“Komisioni duhet të funksionojë pa diskriminim, duke siguruar që mundësitë e përfituesve të jenë në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare. Duhet të ndryshohet afati kohor për dhunën seksuale, në mënyrë që të përfshijë veprimet që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas përfundimit formal të konfliktit”, ka thënë Hobbs për New Perspektiva.

Blagica Radovanović, udhëheqëse e “Santa Marija”, një OJQ në Zveqan që merret me viktimat e dhunës në familje, ka thënë se “komunitetet tjera nuk janë përfshirë në proces”.

“Mendoj që ky do të duhej të ishte një proces gjithpërfshirës”, ka thënë Radovanović.

Megjithatë në Komisionin Qeveritar për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit të Viktimës së Dhunës Seksuale në Luftë mohojnë të kenë pasur ndonjë aplikacion të viktimave jashtë periudhës kohore që përcaktohet me ligjin aktual. Sipas Komisionit, deri më tani nuk është paraqitur asnjë rast i viktimave që mund t’i jenë nënshtruar dhunës seksuale në një kohë që nuk përputhet me periudhën e përcaktuar me ligjin në fuqi.

Deri më tani Komisioni qeveritar ka pranuar rreth 540 aplikacione nga të cilat rreth 200 prej tyre u është dhënë ky status.

Veprore Shehu, e cila udhëheq organizatën “Medica Kosova” në Gjakovë, që ka trajtuar viktimat e dhunës seksuale, thotë se procedurat e aplikimit kanë disa mangësi që duhet të  rregullohen. “Megjithatë ka disa defekte në procedurat verifikuese që nevojiten të qartësohen”, ka thënë ajo.

Për dallim nga kategoritë e tjera të luftës, ligji nuk ofron mbështetje për fëmijët e viktimave të dhunës seksuale dhe ata nuk gëzojnë përfitimet arsimore dhe shëndetësore.

Një nga sfidat aktuale të procesit të aplikimit për statusin e  viktimës së dhunës seksuale të luftës është edhe plotësimi i aplikacioneve dhe pamundësia që t’i dërgojnë vetë ato.  Ndërsa mundësitë për të paraqitur aplikacionin nga një palë e tretë në emër të viktimës në të shumtën kanë rezultuar të pasuksessshme.

Feride Rushiti, udhëheqëse e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, organizatë e cila ka trajtuar  të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës dhe ka avokuar në njohjen e statusit të tyre, thotë se nuk mund të shkohet në kërkesa të reja për amandamentim të ligjit pa u përcjell  fillimisht se si po shkon ky proces që ka filluar. “Pastaj mendoj që duhet të ketë kërkesa nga viktimat që janë jashtë afatit kohor për të filluar me qenë zë i tyre në kuptimin e avokimit”,  ka thënë Rushiti për New Perspektiva.

comments

SHARE