Fundi apo fillimi

Dhe kur në fund ia doli që prapë të krijojë klimën ku ai është zot i situatës dhe ku të gjithë të tjerët, madje edhe organet shtetërore, duhet të  përshtaten në atë situatë ashtu që ta  sigurojnë vetveten në nivelin politik në periudhën e ardhshme, ai vendosi të ndërmarrë një veprim të llojit të vet me të cilin do ta hiqte qafesh barrën në Qeveri dhe të krijojë atë që nuk ka arritur ta bëjë në mandatin e parë.

0
79

Dorëheqja e kryeministrit të institucioneve të Kosovës ishte befasi për ata që nuk i kanë përcjellur të gjitha ato që po ndodhin gjatë disa muajve të kaluar, por për ata që tërë këtë situatë e kanë shikuar nga një kënd tjetër, kjo ka qenë gati se plotësisht e pritur. Hapi i cili si një bombë e llojit të vet jehoi në mediat kosovare, por edhe në regjion, ishte i pritur ekskluzivisht vetëm për ata që tërë periudhën prej 678 ditësh sa ka zgjatur Qeveria e kanë shikuar në atë mënyrë që nga e tëra të nxjerrin vetëm atë që në planin afatgjatë është e favorshme politikisht për bartësit e pushtetit.

Para ardhjes së Ramush Haradinajt në pozitën e kryeministrit të Kosovës, situata në të gjitha sferat lëvizi nga pika e vdekur. Në drejtim të mirë apo të keq, këtë po ia lëmë secilit të gjykojë në përputhje me pritjet e tyre apo afinitetet politike, por lëvizja është evidente, edhe pse nganjëherë me hapa të vegjël. Mirëpo, një situatë e tillë e zgjidhjes paqësore të problemit nuk i përgjigjet dikujt dhe doli që ai dikush ishte pikërisht kryeministri i zgjedhur atëherë, zoti Haradinaj. Shtrohet pyetja pse është kjo kështu dhe përgjigjen në këtë pyetje nuk duhet kërkuar shumë gjatë sepse ajo është e qartë. Zotëriu i përmendur tejet vështirë e gjen veten në sferën ku gjërat e mëdha dakordohen me dorëza të bardha, pa fyerje dhe kërcënime, pa shkaktim të mostolerancës dhe pa të gjitha ato në të cilat ai është gjetur më së miri gjatë tërë këtyre viteve pas vitit 1999. 

Përveç kësaj, koalicioni të cilin ai u detyrua ta pranojë pas zgjedhjeve nuk i përshtatej sepse ka pasur tepër të tillë që politikën e vet nuk e kanë bazuar mbi të gjitha ato që ai i konsideron legjitime për krijimin e situatës politike. Ka pasur tepër të tillë që nën peshën e rrethanave dhe për shkak të disa interesave më të larta hynë në atë koalicion kurse si partner të koalicionit nuk kanë qenë zgjidhje përkatëse për të gjitha ato që gjatë fushatës parazgjedhore zotëriu i përmendur i premtoi trupit të tij zgjedhor. Koalicioni i formuar ishte barrë për zotin Haradinaj dhe ngadalë por sigurt, duke krijuar situatën politike, krijoi kushte që ta heqë qafe në mënyrë sa më adekuate. Gjithsesi, nganjëherë këtë e bënte me hapa, duke i zëvendësuar ministrat madje edhe për një fjalë të thënë, duke aktruar kështu një zotëri të sofistikuar me sjellje kalorësiake. 

Me vendosjen e taksave, të cilat gjithsesi e kanë shënuar qeverisjen e tij, ai përsëri krijoi një situatë sa që nëpër disa media prapë po përshkohen madje edhe fjalët më të rrezikshme për të përshkruar situatën të cilën e krijoi ai. Natyrisht, nuk duam që të hamendësojmë se me urdhër të kujt e ka bërë këtë por gjithsesi në të gjitha ato urdhëresa është nënshkrimi i tij, gjë që e vendos atë në pozitën e fajtorit me vetëdëshirë për gjithçka që është bërë.

Dhe kur në fund ia doli që prapë të krijojë klimën ku ai është zot i situatës dhe ku të gjithë të tjerët, madje edhe organet shtetërore, duhet të përshtaten në atë situatë ashtu që ta sigurojnë vetveten në nivelin politik në periudhën e ardhshme, ai vendosi të ndërmarrë një veprim të llojit të vet me të cilin do ta hiqte qafesh barrën në Qeveri dhe të krijojë atë që nuk ka arritur ta bëjë në mandatin e parë. Sigurisht e keni vërejtur që po flas për ndonjë mandat të tij të ardhshëm. Unë sinqerisht mendoj që kjo është gati se e sigurt, e po ashtu sinqerisht shpresoj që po gabohem sepse këto që i ka bërë ai deri më tani e vendosin atë në listën e të padëshiruarve për atë pozitë. Duke folur nga këndvështrimi i komunitetit serb, përveç gjuhës serbe, edhe atë mjaft të varfër, zotëriu i përmendur nuk ka asgjë me çka do t’i afrohej komunitetit serb në Kosovë.

Por gjithsesi nuk dua të merrem me analizë politike, sepse thjesht, nuk jam ekspert në atë lëmi, ndonëse pothuajse çdo gjë është e qartë pa marrë parasysh të gjitha përpjekjet pë të na bindur për të kundërtën. Sidoqoftë, le t’ia lëmë kohës që ta tregojë nëse nga Qeveria ka dalë politikani dhe nëse në të do të kthehet komandanti.      

SHARE