Fushatë në të dy drejtimet

Shkelja e ligjit nga ata që do të duhej ta mbronin atë është bërë një praktikë ligjore e cila konsiderohet si mishërim i patriotizmit, ndërsa justifikimi i kësaj është bërë detyrë e vartësve dhe konsiderohet si shëmbëllim i besnikërisë. Kushdo që pajtohet me këtë do të thoshte se tek ne në skenë është demokracia e realizuar. Dhe e gjithë kjo është në të vërtetë një fushatë e përfaqësuesve të autoriteteve për të dëshmuar se janë pikërisht ata që në terren vendosin rendin dhe ligjin, e nga ana tjetër, kryetarët e komunave do të udhëheqin një fushatë të ngjashme duke provuar të kundërtën.

0
171

Presidenti i Kosovës i caktoi zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri të Kosovës për arsye se kryetarët e lartpërmendur, menjëherë pas vendosjes së taksës për mallra nga Serbia qendrore, dhanë dorëheqje në ato funksione. Natyrisht, e thënë në këtë mënyrë, çdo gjë duket sipas rregullave dhe në përputhje me ligjin, por a është me të vërtetë kështu?

Të rikujtojmë se dorëheqjet që i dorëzuan kryetarët e komunave nga veriu i Kosovës menjëherë pas vendosjes së taksave të lartpërmendura nuk ishin pranuar në fillim, dhe as më shumë e as më pak por për shkak të fjalës Metohi të cilën ligji i Kosovës nuk e trajton fare si emërim ligjor territorial e me këtë edhe përdorimi i saj vendoset jashtë ligjit dhe si pasojë e kësaj të gjitha dokumentet që e përmbajnë këtë fjalë nuk mund të jenë valid. Mirëpo, që paradoksi të jetë edhe më i madh, pas refuzimit të dorëheqjeve të përmendura, askush nuk u prononcua dhe kjo mbeti në të ashtuquajturin vakum juridik. Kështu që pas tërë kësaj shtrohet pyetja logjike se si është e mundur që dokumenti i cili nuk është pranuar ligjërisht të prodhojë pasoja juridike. Kush merr vesh bile pak nga e drejta do të kuptojë që një rrjedhë e tillë e ngjarjeve, e para së gjithash, një proces i këtillë i marrjes së vendimeve është krejtësisht i papranueshëm.   

Por, sido që të jetë, ne disi tashmë jemi mësuar me gjëra të këtilla, kështu që pothuajse askush nuk u ndal në atë që po e them unë tani si një nga argumentet porse menjëherë, sipas shprehisë, i jemi kthyer sulmit dhe fajësimit reciprok për gjithfarë gjërash.

Zgjedhjet e shpallura janë tek dera dhe ky është një fakt që duhet pranuar me kokë të ftohtë dhe në fushatë të hyhet me qëllime të qarta ndonëse kjo këtu është shumë më vështirë se sa që mund të merret me mend. Kurse fushata, edhe pse do të zgjasë vetëm disa ditë, do të jetë periudha kur të dyja palët do të tregojnë fuqinë e tyre në terren. Është e qartë që në komunat e lartpërmendura veriore si subjekt politik me mbështetjen më të madhe është pikërisht Lista Serbe prej së cilës si kandidatë janë promovuar kryetarët e komunave që dhanë dorëheqje dhe të cilët, pas shpalljes së zgjedhjeve, prapë janë kandiduar për pozitat e  njëjta. Pothuajse është e sigurtë që në ato pozita ata do të mbeten edhe pas zgjedhjeve, por le t’ia lëmë kohës ta tregojë këtë.

Mirëpo, dëshmi se madje as kjo nuk mund të kalojë pa probleme është pluhuri i madh që u ngrit rreth certifikimit të kandidatëve të rinj/të vjetër. E që absurdi të jetë edhe më i madh, arsyeja që e theksoi përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ si argument kundër certifikimit ishte tejet qesharak. Përfaqësuesit të lartpërmendur i pengoi ajo që kryetarët e komunave kishin dhënë dorëheqje kur u vendosën taksat për mallrta nga Serbia qendrore por edhe ajo që deklaruan se do ta bënin prapë këtë nëse do të vendosej ndonjë masë e re e cila e cenon mbijetesën e serbëve në Kosovë. Ky është thuajse rast unik që dikush fajësohet për një deklaratë apo diçka që eventualisht do të bënte në të ardhmen. Mënyra e tillë e argumentimit do të ishte qesharake po të mos ishte e mjerë dhe fryt i mosdijes. Por, siç e kam theksuar disa herë në blogjet e mia, paradoksalja me rastin e marrjes së vendimeve në Kosovë është bërë e pranueshme nën presion. Shkelja e ligjit nga ata që do të duhej ta mbronin atë është bërë një praktikë ligjore e cila konsiderohet si mishërim i patriotizmit, ndërsa justifikimi i kësaj është bërë detyrë e vartësve dhe konsiderohet si shëmbëllim i besnikërisë. Kushdo që pajtohet me këtë do të thoshte se tek ne në skenë është demokracia e realizuar. Dhe e gjithë kjo është në të vërtetë një fushatë e përfaqësuesve të autoriteteve për të dëshmuar se janë pikërisht ata që në terren vendosin rendin dhe ligjin, e nga ana tjetër, kryetarët e komunave do të udhëheqin një fushatë të ngjashme duke provuar të kundërtën. Por siç thotë një fjalë e urtë popullore, shprehia është çudi. Kështu që, sipas shprehisë, më 19 maj do të votojmë PËR njërën palë KUNDËR palës tjetër e kështu prapë çdo gjë nga fillimi.

SHARE