Gjuha jonë e përditshme

Dukuria që të rinjtë komunikojnë në gjuhën angleze nuk duhet të prezantohet si një problem por si një zgjidhje kalimtare, sepse çfarëdo komunikimi është më i mirë se heshtja. Por sigurisht që do të ishte më mirë të kuptonim njëri-tjetrin në gjuhët tona.

0
332

Kohë më parë, Radio Evropa e Lirë botoi një intervistë të realizuar në Kosovë e cila në thelbin e saj merrej me problemin se pse të rinjtë në Kosovë më së shpeshti komunikojnë në gjuhën angleze, por edhe me atë se si të përmirësohet procesi i pajtimit midis dy popujve përmes komunikimit në të gjitha nivelet. Ky gjithsesi është një shembull i mirë se si një problem në dukje banal në të vërtetë përbën bazën dhe thelbin e problemit të të gjithë neve që jetojmë këtu.

Sidoqoftë, është pyetje e vërtetë se sa punë prej kësaj bëhet në terren ashtu që ky komunikim të rigjallërohet dhe të fillojë të përfaqësojë atë anë të procesit shoqëror që mund të ndikojë që disa gjëra të ndryshojnë për të mirë. Kuptimi trivial i problemit është në vetvete një pengesë më e madhe se vetë problemi në esencë, kështu që më së shpeshti kur bëhet pyetja nëse dikush ka mësuar gjuhën e popullit me të cilin jeton në një vend përgjigjja është  negative. Vetë kuptimi i kësaj është më shumë problem psikologjik se sa që kjo është çështje e vullnetit apo mundësisë. Historia e trazuar që kemi kaluar edhe njëra edhe tjetra palë na vendos në një pozitë që të mendojmë për mësimin e shqipes ose serbishtes më shumë nën dritën e krenarisë kombëtare se sa për shkak të nevojave reale. Tek komuniteti serb me vite plasohet ideja dhe qëndrimi se mësimi i gjuhës shqipe do të ishte një lloj nënshtrimi ndaj popullit shqiptar shumicë. Mirëpo, kjo dukuri ka jehonën e vet edhe tek populli shqiptar kështu që ngjashëm tek populli shqiptar mbështetet ideja se të gjithë popujt që jetojnë në Kosovë duhet të dinë gjuhën shqipe sepse kjo është gjuha e shumicës. Në këtë pozicion pat krijohet klima që edhe njëra edhe pala tjetër konsiderojmë se gjuha është ajo që na mban autentik dhe krenar dhe se është e vetmja gjë që na e ruan sovranitetin dhe integritetin si popull.     

Natyrisht, gjuha është baza e çdo kulture kombëtare dhe nuk duhet hequr dorë nga ajo që të krijohet një shoqëri e re, por po ashtu njohja e gjuhëve të tjera nuk ju vë tek populli gjuhën e të cilit e flisni por vetëm ju bën pjesëtar më të dobishëm të shoqërisë në çdo aspekt. Asnjë dukuri negative nuk është paraqitur asnjëherë kur dikush ka mësuar gjuhë të tjera. Kjo vetëm sa ka zgjeruar horizontet dhe mundësitë e asgjë tjetër. Por është e qartë që vetëm disa gjenerata më të reja mund ta kuptojnë këtë në një mënyrë të duhur. 

Dukuria që të rinjtë komunikojnë në gjuhën angleze nuk duhet të prezantohet si një problem por si një zgjidhje kalimtare, sepse çfarëdo komunikimi është më i mirë se heshtja. Por sigurisht që do të ishte më mirë të kuptonim njëri-tjetrin në gjuhët tona. Ajo që unë do të mësoja shqip nuk do të thoshte asgjë përveç se dëshiroj t’i kuptoj më mirë disa gjëra, si dhe mundësitë e mia në Kosovë t’i bëjë më të mëdha dhe më të arritshme. Rrugët tona janë përplot me tabela ŠKOLA NEMAČKOG JEZIKA, apo SHKOLLA E GJUHËS GJERMANE, dhe të shumë gjuhëve tjera evropiane derisa gjuhët tona i lëmë pas dore dhe po i bëjmë më pak të vlefshme.

Problemi që kemi këtu dhe që ekziston nuk na e ka imponuar askush – për këtë e kemi fajin vetëm ne dhe askush tjetër, dhe vetëm ne, me pak më shumë vullnet, mund ta zgjidhim. A do të nënkuptonte kjo zgjidhje ndryshimin e planprogrameve mësimore nëpër shkolla apo ndonjë formë tjetër, nuk dua të hyj në këtë, sepse siç ndodh zakonisht, kjo menjëherë, sipas zakonit, kalon në sferën e politikës edhepse për këtë nuk ka kurrfarë nevoje, por gjithsesi problemin duhet zgjidhur. Mes tjerash, shikuar edhe nga aspekti praktik, është plotësisht e arsyeshme të dish gjuhën e popullit me të cilin e ndan fatin, sepse edhe pse veprojmë ndarazi, problemet i kemi të njëjta. Gjuha dhe komunikimi janë themeli i çdo gjëje, pa këto është thjesht e pamundur të bëhet çkadoqoftë lidhur me pajtimin mes dy popujve. As që do thotë se gjuha do t’ia ndryshojë nacionalitetin atij që e flet atë – po të ishte ashtu gjysma e botës do të bëheshin anglezë vetëm pse flasin në gjuhën angleze. Problemi që kemi këtu është para së gjithash në kokat tona e jo në tavolinë apo midis popujve. Vetëm kur ne me veten tonë të zgjidhim disa dilema, atëherë do të mund ta zgjidhim edhe këtë problem. Kurse duke pasur parasysh të gjitha këto, do të ishte më mirë për ne të nxitonim sepse shumë breza janë rritur tashmë e që nuk e dinë asnjë fjalë të gjuhës të cilën e flet fqinji i tyre.

Shënim: Pikëpamjet, mendimet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ekskluzivisht të autorit dhe jo domosdoshmërisht të New Perspektivës.
 

SHARE