Grenell nga Beogradi: Trump s’do të lejojë që bisedimet Prishtinë-Beograd të zgjasin shumë

0
67

I Dërguari Special i Presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun, Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka arritur në Beograd, nga ku në prag të takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Trump nuk do të humbë shumë kohë me negociata dhe se ekziston një afat i shkurtër kohor për arritjen e marrëveshjes Prishtinë-Beograd, transmeton Reporteri.net.

Grenell drejt Beogradit udhëtoi nga Prishtina, ku kishte takime me liderët e dy partive pretendente për të qeverisur me vendin, dhe presidentin Thaçi, nga të cilët kërkoi heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe.

I pyetur se kur mund të arrihet marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe cila mund të jetë zgjidhja, Grenell me shaka u përgjigj se nuk e parashikon të ardhmen. Por, ai tha se Trump nuk dëshiron të humbasë shumë kohë me negociata dhe se ekziston një afat i shkurtë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Nëse do të dija që po e parashikoj të ardhmen, unë do të luaja loto dhe të zgjedh numrat fitues dhe do të isha një njeri shumë i pasur. Por nuk e di. E vërteta është që ne jemi përqendruar në këtë çështje, por më duhet të them që ekziston një afat i shkurtër kohor për këtë, Presidenti Trump nuk dëshiron të humbasë kohë dhe nuk do të lejojë që negociatat të zgjasin shumë nëse nuk ka asnjë shenjë drejt përparimit. Ne nuk duam të humbim kohë ose të imponojmë zgjidhje. Shpresoj që Serbia dhe Kosova do të shfrytëzojnë mundësinë që kanë tani”, theksoi Grenell nga Beogradi.

Njëjtë sikurse në Prishtinë, Grenell ka thënë se Serbia duhet të ndalë lobimin kundër pavarësisë së Kosovës, derisa kjo e dyta duhet të heqë taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake./ Reporteri.net

(Reporteri.net, 23/01/2020)

SHARE