Hapa të vegjël drejt pajtimit

Ka vite të tëra që jemi dëshmitarë të gjuhës së urrejtjes, si tek serbët ashtu edhe tek shqiptarët dhe, natyrisht, ndaj njëri-tjetrit. Për të ardhur deri tek pajtimi dhe që ky proces, të paktën ndonjëherë në të ardhmen, për brezat e ardhshëm, të jetë i suksesshëm, gjuha e urrejtjes është diçka kundër së cilës duhet të luftojmë të gjithë së bashku. Të dënojmë gjithçka që nxitë dhe përhapë urrejtje dhe të mbështesim madje edhe përpjekjet më të vogla që dy popujt të jetojnë përsëri së bashku dhe në paqe.

0
87

Pothuajse 20 vjet pas luftës në Kosovë, procesi i pajtimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve është larg të qenit i suksesshëm. Për shkak të grindjeve politike, ndarjes së njerëzve, urrejtjes e cila ekskluzivisht mbështetet nga ana e politikanëve, kujtimeve që ende janë të freskëta, dy popuj që me vite të tëra kanë jetuar së bashku ende janë në një udhëtim të gjatë drejt bashkëjetesës dhe paqes.

Rrugët drejt pajtimit mund të jenë të ndryshme dhe të inicuara si nga politikanët ashtu edhe nga qytetarët të cilët kanë marrë pjesë në konflikt. Në mënyrë që procesi i pajtimit të jetë i suksesshëm dhe që qytetarët të jetojnë në një shoqëri me paqe pozitive, është e nevojshme që të gjithë të marrin pjesë në këtë proces aspak të lehtë dhe që ai të inicohet, para së gjithash, nga lart poshtë, nga ana e politikanëve dhe institucioneve, dhe të prekë të kaluarën në nivelin më të lartë institucional, duke dënuar krimet e së kaluarës (ose siç do ta shpjegonte teoria si një koncept të ndërtimit të paqës nga lart-poshtë). Kjo, natyrisht, nuk është e mjaftueshme, sepse përveç kësaj është e domosdoshme edhe iniciativa e shoqërisë dhe qytetarëve, ose siç do ta quante teoria e pajtimit një rrugë drejt pajtimit nga poshtë-lart. Në gjithë këtë, sigurisht, janë të nevojshëm edhe ata që qëndrojnë “në mes”. Në këtë rast, për shembull, këta do të ishin përfaqësuesit e mediave. 

Megjithëse krejtësisht papritur, vetëm disa ditë më parë, Gjykata e Lartë në Beograd dënoi një gazetë të përditshme serbe për gjuhën e urrejtjes. Domethënë, gazeta Informer në botimet e saj, ndër të tjera, e përdori termin “šiptar” për shqiptarët e Kosovës. Ky term, i përdorur me të madhe si në mesin e gazetarëve që nuk kujdesen për etikën gazetareske, ashtu edhe midis qytetarëve, nga shqiptarët perceptohet si gjuhë urrejtjeje ndaj tyre. Së fundmi, përdorimi i këtij termi u njoh si gjuhë urrejtjeje edhe nga gjykata në Serbi, e me këtë Informer-it iu dha një vendim sipas të cilit është e domosdoshme të paguajë 100,000 dinarë të Serbisë si dëmshpërblim.

Ka vite të tëra që jemi dëshmitarë të gjuhës së urrejtjes, si tek serbët ashtu edhe tek shqiptarët dhe, natyrisht, ndaj njëri-tjetrit. Për të ardhur deri tek pajtimi dhe që ky proces, të paktën ndonjëherë në të ardhmen, për brezat e ardhshëm, të jetë i suksesshëm, gjuha e urrejtjes është diçka kundër së cilës duhet të luftojmë të gjithë së bashku. Të dënojmë gjithçka që nxitë dhe përhapë urrejtje dhe të mbështesim madje edhe përpjekjet më të vogla që dy popujt të jetojnë përsëri së bashku dhe në paqe. Me vetë këtë, këtij veprimi të gjykatës në Serbi ia vlen t’i kushtohet vëmendje. Ndoshta ky është fillimi i një rruge të duhur drejt një jete të qetë. Ndoshta ky aktvendim nuk është i madh në kuptimin e shumës së dënimit, por është i rëndësishëm për përparimin e procesit të pajtimit. Më në fund, në Serbi u bë e qartë se përdorimi i termit “šiptar” nuk është asgjë tjetër pos urrejtje. Për shkak se përdorimi i këtij termi bëhet i dënueshëm, le të shpresojmë që kjo do të sjellë deri tek një rënje e madhe e përdorimit të tij.

Procesi i pajtimit është i gjerë dhe asnjëherë nuk është i njëjtë, as që mundet i njëjti model të përdoret për konflikte të ndryshme. Duke qenë kështu, çdo kontribut dhe ndikim pozitiv në këtë proces duhet të mbështetet dhe të konsiderohet si një hap i vogël, por i vlefshëm përpara. Siç u tha edhe në fillim, ky proces është kompleks dhe kërkon aktorë të ndryshëm. Në politikanët tanë, si nga ana serbe, ashtu edhe nga ajo kosovare, natyrisht që nuk mund të mbështetemi, jo vetëm kur bëhet fjalë për pajtimin, por për çfarëdo qoftë. Sidoqoftë, ndërtimi i paqes nuk është diçka që do t’u shkonte atyre për dore. Është e qartë që mediat nuk po na ndihmojnë në masë të mjaftueshme, kështu që, në radhë të parë, ne qytetarët e zakonshëm duhet të bëjmë përpjekje që më në fund të jetojmë një jetë paqësore. Nëse dikush ende nuk di se si të fillojë, do të thosha se mjafton të respektohet vendimi i Gjykatës së Lartë në Beograd. Le të mësojmë sa për fillim se çka është gjuha e urrejtjes. Tingëllon si hap i vogël, por për procesin e pajtimit ky është që tani një kontribut shumë i madh.

comments

SHARE