Haradinaj viziton familjen serbe në Plemetin, i thotë se taksa nuk prek asnjë komunitet në vend

0
39

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar gjatë ditës së sotme një familje të komunitetit serb në Plemetin të Obiliqit.

Gjatë qëndrimit në familjen e Slavisha Jakovleviqit, Haradinaj e ka siguruar atë se “do t’u qëndrojmë afër dhe do të kujdesemi për mirëqenien e tyre”.

“Mora konfirmimin nga ta se përkushtimi ynë institucional ka pasur ndikim drejtpërdrejt në përmirësimin e jetesës së gjithsecilit dhe se Kosova është shtëpia jonë e përbashkët. Masat e ndërmarra nga Qeveria e vendit, nuk do të prekin asnjërin komunitet në vend, për më tepër janë në shërbim të mbrojtjes së të drejtës tonë, për një jetë më të mirë”, ka thënë Haradinaj, raporton Koha.net.

Ai tha se bashkë me komunitetin serb dhe të gjitha komunitetet e tjera në Obiliq pati rastin të nis edhe një projekt me rëndësi infrastrukturore, asfaltimin e rrugës Sitnica.

“Ky përkushtim institucional nuk është vetëm sot dhe vetëm në këtë Komunë. Puna dhe përkushtimi ynë do të vazhdojë në secilën pjesë të Kosovës dhe për secilin qytetarë të saj, pa dallim etnie dhe pa dallim feje. Sepse, Kosova e ka dëshmuara bashkëjetesën në multietnicitet”, theksoi kreu i ekzekutivit.

(koha.net, 05/12/2018)

comments

SHARE